Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse them gjithmonë fjalët e gabuara?

Pse them gjithmonë fjalët e gabuara?

 «Ka raste kur ia dal ta kontrolloj gjuhën, ama në raste të tjera më flet goja para mendjes.»—Xhejmsi.

 «Kur jam në ankth, flas pa menduar, ndërsa kur jam e relaksuar, flas më shumë nga ç’duhet. Pra, në thelb e katranos gjithmonë.»—Maria.

 Bibla thotë se «gjuha është një zjarr» dhe se «një zjarr i vogël mjafton për t’i vënë flakën një pylli të madh». (Jakovi 3:5, 6) Po ti, a gjendesh shpesh në telashe për shkak të fjalëve që thua? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë.

 Pse them gjithmonë fjalët e gabuara?

 Papërsosmëria. Në Bibël thuhet: «Të gjithë ne pengohemi shumë herë. Nëse dikush nuk pengohet në fjalë, është njeri i përsosur.» (Jakovi 3:2) Për shkak të dobësisë njerëzore nuk pengohemi vetëm kur ecim, por edhe kur flasim. Ja pse themi fjalë të gabuara.

 «Përderisa kam mendje të papërsosur dhe gjuhë të papërsosur, është e paarsyeshme të them se kam kontroll të përsosur mbi to.»—Ana.

 Të folurit e tepërt. Në Bibël thuhet: «Në fjalët e shumta nuk mungon shkelja.» (Proverbat 10:19) Njerëzit që flasin shumë, por dëgjojnë pak, kanë më shumë gjasa të gabojnë e të ofendojnë të tjerët.

 «Në një grup, jo medoemos ata që flasin janë më inteligjentët. Jezui ka qenë njeriu më inteligjent që ka jetuar ndonjëherë, megjithatë me raste qëndroi në heshtje.»—Xhulia.

 Sarkazma. Në Bibël thuhet: «Ka nga ata që flasin pa u menduar si me goditje shpate.» (Proverbat 12:18) Një shembull i të folurit të pamenduar është sarkazma, pra fjalët thumbuese që ulin të tjerët. Njerëzit që përdorin sarkazëm mund të thonë: «Po bëja shaka!» Ama, nëse dikush poshtërohet, kjo s’mund të quhet shaka. Bibla na nxit të heqim ‘sharjet, bashkë me çdo të keqe’.—Efesianëve 4:31.

 «Jam person shakaxhi dhe kam qejf t’i bëj të tjerët për të qeshur—cilësi që çojnë në sarkazëm, dhe sarkazma më fut shpesh në telashe.»—Oksana.

Kur nxjerr një fjalë nga goja, s’e kthen dot mbrapsht, sikurse nuk rikthen dot në tubet pastën e dhëmbëve

 Si ta kontrolloj gjuhën?

 Të mësosh si ta kontrollosh gjuhën mund të jetë e vështirë, por parimet e Biblës na vijnë në ndihmë. Le të shqyrtojmë disa prej tyre.

 «Flitini zemrës . . . dhe heshtni.»—Psalmi 4:4.

 Ndonjëherë përgjigjja më e mirë është të mos kthesh përgjigje. Një e re me emrin Laura thotë: «Kur jam e acaruar, provoj ndjenja që në përgjithësi fashiten. Zakonisht, pasi qetësohem, jam e lumtur që nuk i thashë gjërat që mendova në acarim e sipër.» Nëse ndalesh, sikur edhe për pak sekonda, mund ta frenosh veten që të mos thuash fjalët e gabuara.

 «A nuk i peshon veshi fjalët, si shijon qiellza ushqimin?»—Jobi 12:11.

 Mund t’i kursesh shumë probleme vetes nëse i peshon fjalët që ke ndër mend të thuash. Ndaj pyet veten:

  •   A janë të vërteta? A janë të dashura? A duhet t’i them patjetër?—Romakëve 14:19.

  •   Si do të ndihesha po të m’i thoshin mua?Mateu 7:12.

  •   A do të tregonin se e respektoj pikëpamjen e tjetrit?—Romakëve 12:10.

  •   A është vendi dhe koha e duhur për t’i thënë?—Eklisiastiu 3:7.

 «Me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten.»—Filipianëve 2:3.

 Kjo këshillë do të të ndihmojë të mendosh pozitivisht për të tjerët. Kur ke pikëpamje pozitive, është më e lehtë të frenosh gjuhën e të mendosh para se të flasësh. Por, edhe sikur të jetë tepër vonë sepse tashmë ke thënë diçka lënduese, përulësia do të të ndihmojë të kërkosh falje, madje sa më shpejt që të jetë e mundur. (Mateu 5:23, 24) Pas kësaj, ji i vendosur ta kontrollosh më shumë gjuhën.