Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si ta luftoj dëshpërimin?

Si ta luftoj dëshpërimin?

 Çfarë do të bëje ti?

 Mendo për dy situatat e mëposhtme:

 Xheniferi e ka humbur gëzimin. Çdo ditë shpërthen në të qarë pa e kuptuar pse. I shmang të tjerët dhe mezi ha. E ka të vështirë të flejë apo të përqendrohet. Thotë me vete: «Çfarë po më ndodh? A do të kthehem ndonjëherë siç isha?»

 Marku ishte nxënës model. Por, tani e urren shkollën dhe po merr nota gjithnjë e më të këqija. S’ka fare fuqi të merret me sportet që dikur i pëlqenin shumë. Miqtë e tij janë konfuzë, kurse prindërit të shqetësuar. Është vetëm një fazë kalimtare apo diçka më tepër?

 A të ndodh shpesh të ndihesh si Xheniferi ose Marku? Nëse po, ç’mund të bësh? Ke dy mundësi:

  1.   Të përpiqesh ta kalosh vetë

  2.   Të flasësh me një të rritur që i beson

 Mbase të pëlqen mundësia A, sidomos nëse nuk të vjen të flasësh. Ama, a është zgjidhja më e mençur? Bibla thotë: «Dy janë më mirë se një, . . . sepse në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun. Por ç’do të bëhet me atë që është vetëm kur të bjerë dhe të mos ketë një tjetër që ta ngrejë?»​—Eklisiastiu 4:​9, 10.

 Sa për ta ilustruar, mendo sikur ke humbur në një lagje shumë të rrezikshme. Është errësirë dhe ngado sheh njerëz të dyshimtë. Çfarë do të bëje? Mund të përpiqeshe ta gjeje vetë rrugën. Por a nuk do të ishte më e mençur t’i kërkoje ndihmë një personi të besuar?

 Ndjenjat e dëshpërimit ngjajnë me këtë lagje të rrezikshme. Është e vërtetë se herë pas here mund të ndihesh i trishtuar, megjithatë kjo mund të jetë kalimtare. Por nëse ndihesh shumë i trishtuar për një kohë të gjatë, është më mirë të kërkosh ndihmë.

 PARIMI BIBLIK: «Kush veçohet, . . . tërbohet kundër gjithë mençurisë.»​—Proverbat 18:1.

 Avantazhi i mundësisë B​—domethënë të flasësh me një prind apo me një të rritur të cilit i beson​—është se mund të përfitosh nga eksperienca e dikujt që tashmë i ka kapërcyer me sukses ndjenjat negative.

 Mbase mendon: «Po prindërit e mi s’ia kanë fare idenë si ndihem unë!» Megjithatë, a je i sigurt? Edhe pse në adoleshencë mund të kenë kaluar situata të ndryshme nga të tuat, ndjenjat mund të kenë qenë të njëjta. E madje mund të dinë si t’i kapërcesh.

 PARIMI BIBLIK: «A nuk kanë mençuri të moshuarit, dhe kuptueshmëri ata që kanë ditë të gjata?»​—Jobi 12:12.

 Mësimi: Nëse i hap zemrën prindit a një të rrituri që i beson, ka shumë të ngjarë të marrësh këshilla që do të të ndihmojnë.

Kur ndihesh i dëshpëruar, është njësoj si të kesh humbur në një lagje të rrezikshme; të duhet ndihmë për të gjetur rrugën

 Po nëse është problem shëndetësor?

 Nëse ndihesh shumë i trishtuar çdo ditë, mbase ke një problem shëndetësor që duhet kuruar, si për shembull depresion.

 Në adoleshencë simptomat e depresionit mund t’u ngjajnë goxha luhatjeve të zakonshme të humorit, tipike për këtë moshë, por në përgjithësi janë më të forta e të vazhdueshme. Ndaj nëse ndihesh vazhdimisht shumë i mërzitur, pse të mos flasësh me prindërit që të vizitohesh te një mjek?

 PARIMI BIBLIK: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po.»​—Mateu 9:​12.

 Nëse je diagnostikuar me depresion, s’ka pse të kesh turp. Te të rinjtë depresioni është diçka e zakonshme dhe mund të kurohet. Miqtë e tu të vërtetë s’kanë për ta humbur respektin për ty.

 Sugjerim: Ki durim. Duhet kohë të shërohesh nga depresioni kështu që mund të presësh ditë të mira dhe të këqija. a

 Një plan për të marrë veten

 Pavarësisht nëse ke nevojë ose jo për trajtim mjekësor, mund të bësh diçka për të luftuar trishtimin e vazhdueshëm. Për shembull, ushtrimet fizike të rregullta, një dietë ushqimore e shëndetshme dhe gjumi i mjaftueshëm mund të të ndihmojnë të gjesh ekuilibrin emocional. (Eklisiastiu 4:6; 1 Timoteut 4:8) Mbase është e dobishme të mbash një ditar, ku mund të shkruash si ndihesh, synimet për t’u shëruar, dështimet apo sa ke përparuar në luftën kundër trishtimit.

 Qoftë nëse po vuan nga depresioni apo nëse thjesht po kalon një periudhë të vështirë emocionale, mos harro: mund ta luftosh këtë gjendje nëse pranon ndihmë nga të tjerët dhe bën përpjekje personale për t’u shëruar.

 Vargje nga Bibla që mund të të ndihmojnë

  •  «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»​—Psalmi 34:18.

  •  «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.»​—Psalmi 55:22.

  •  «Unë Jehovai, Perëndia yt, të kap nga dora e djathtë dhe të them: ‘Mos ki frikë, se unë do të të ndihmoj.’»​—Isaia 41:13.

  •  «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen.»​—Mateu 6:​34.

  •  «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja; kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën.»​—Filipianëve 4:​6, 7.

a Nëse të shkon në mendje t’i japësh fund jetës, kërko menjëherë ndihmën e një të rrituri të cilit i beson. Për më shumë informacion, shiko serinë me katër pjesë «Jo vetëvrasjes!» te Zgjohuni! e prillit 2014