Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Njohjet—Pjesa 1: A jam gati të njihem me dikë?

Njohjet—Pjesa 1: A jam gati të njihem me dikë?

Çfarë do të thotë të njihesh me dikë?

  Disa njerëz duan të njihen me dikë vetëm sa për të kaluar kohën. Megjithatë, në këtë artikull, shprehja «të njihesh me dikë» i referohet kohës që një çift kalon bashkë për të kuptuar nëse do të ishin bashkëshortë të përshtatshëm për njëri-tjetrin. Pra, njohja ka një qëllim. Nuk është thjesht një mënyrë për të pasur vëmendjen e seksit tjetër.

 Shoqërimi me dikë duhet të të ndihmojë që me kalimin e kohës të marrësh një vendim—ose të martoheni, ose t’i jepni fund lidhjes romantike. Ja pse, që në fillim të lidhjes, duhet të jesh i përgatitur për secilin rezultat.

 Përfundimi: Nëse ndihesh gati të njihesh me dikë, atëherë duhet të ndihesh gati edhe për t’u martuar.

Të njihesh me dikë pa pasur synim martesën, është sikur të shkosh në një intervistë pune kur s’ke ndërmend të fillosh punë

A je gati të njihesh me dikë?

  Meqë njohja mund të çojë në martesë, duhet të mendosh mirë se si mund të ndikojë personaliteti yt te lidhja që po krijon. Për shembull, shqyrto aspektet e mëposhtme:

  •   Marrëdhëniet familjare. Mënyra si i trajton prindërit dhe vëllanë a motrën, sidomos kur je i stresuar, shpesh tregon si do ta trajtosh bashkëshortin.

     Parim nga Bibla: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur, sharje dhe çdo gjë të dëmshme.»—Efesianëve 4:31.

     Pyet veten: «A thonë prindërit ose motra a vëllai se i trajtoj me respekt? Kur lind një mosmarrëveshje, a ia dal t’i diskutoj gjërat me qetësi apo nxehem dhe filloj të zihem?»

    Nëse nuk je në gjendje të zgjidhësh mosmarrëveshjet me prindërit, a do të arrish t’i zgjidhësh me bashkëshortin?

  •   Altruizmi. Kur të martohesh, shpesh do të të duhet të marrësh parasysh preferencat e bashkëshortit, e madje të veprosh sipas tyre.

     Parim nga Bibla: «Secili të vazhdojë të kërkojë jo interesin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.

     Pyet veten: «A dua të më dalë gjithnjë e imja? A më njohin të tjerët si njeri të arsyeshëm? Në cilat mënyra kam treguar se i vendos nevojat e të tjerëve para të miave?»

  •   Përulësia. Një bashkëshort i mirë di të pranojë gabimet e tij a të saj dhe të kërkojë sinqerisht falje.

     Parim nga Bibla: «Të gjithë ne gabojmë shumë herë.»—Jakovi 3:2.

     Pyet veten: «A i pranoj kollaj gabimet apo përpiqem të nxjerr justifikime? A jam tepër i ndjeshëm kur më japin këshilla për të përmirësuar?»

  •   Paratë. Kush di t’i përdorë paratë në mënyrë të përgjegjshme, shmang një nga shkaqet më të zakonshme të konflikteve në martesë.

     Parim nga Bibla: «Kush nga ju, kur dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë që të llogaritë shpenzimet për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta përfunduar?»—Luka 14:28.

     Pyet veten: «A di t’i mbaj nën kontroll shpenzimet apo jam shpeshherë në borxh? Si kam treguar se jam i përgjegjshëm në menaxhimin e parave?»

  •   Miqësia me Perëndinë. Nëse je Dëshmitar i Jehovait, është mjaft e rëndësishme që tashmë të kesh një program të rregullt për të studiuar Biblën dhe për të ndjekur mbledhjet e kongregacionit.

     Parim nga Bibla: «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë.»—Mateu 5:3.

     Pyet veten: «A bëj përpjekje që ta mbaj të fortë besimin? A u jap përparësi aktiviteteve që lidhen me adhurimin e Perëndisë, apo lejoj të më shpërqendrojnë gjëra të tjera?»

 Përfundimi: Personi me të cilin do të martohesh meriton një bashkëshort të mirë. Nëse po punon me gjithë shpirt të jesh i tillë, ka më tepër të ngjarë të tërheqësh dikë që po vepron njësoj.