Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Pse të mësosh një gjuhë tjetër?

Pse të mësosh një gjuhë tjetër?

 Mësimi i një gjuhë të re mund të të vërë në provë vetëdisiplinën dhe përulësinë. Por a ia vlejnë përpjekjet? Shumë të rinj do të përgjigjeshin po. Ky artikull shpjegon pse.

 Pse?

 Shumë veta mësojnë një gjuhë tjetër sepse u kërkohet në shkollë. Kurse të tjerë kanë vetë qejf ta mësojnë. Ja disa shembuj.

  •   Ana, një e re në Australi, vendosi të mësonte gjuhën e mamasë, lituanishten. Ajo thotë: «Bashkë me familjen po planifikojmë të shkojmë me pushime në Lituani dhe kam qejf të merrem vesh me kushërinjtë atje.»

  •   Xhina, një Dëshmitare e Jehovait nga Shtetet e Bashkuara, mësoi gjuhën amerikane të shenjave (ASL) dhe u transferua në Belize që të zgjeronte shërbimin. Ajo shpjegon: «Bota e dikujt që nuk dëgjon, mund të jetë vetëm një grusht personash me të cilët mund të komunikojë. Njerëzit e vlerësojnë vërtet kur u them se kam mësuar ASL-në që t’u flas për Biblën atyre që nuk dëgjojnë.»

 A e dije? Bibla paratha se lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë do t’u predikohej njerëzve të ‘çdo kombi, fisi dhe gjuhe’. (Zbulesa 14:6) Në përmbushje të kësaj profecie, shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait mësojnë një gjuhë të re që të zgjerojnë shërbimin në vendin e tyre a në një vend tjetër.

 Cilat janë sfidat?

 Nuk është e lehtë të mësosh një gjuhë të re. Një adoleshente me emrin Korina, shprehet: «Mendoja se, që të mësoje një gjuhë tjetër, mjaftonte të mësoje fjalë të reja, por kuptova se duhet të mësosh edhe kulturën e mentalitetin. Pa diskutim, duhet kohë për të mësuar një gjuhë.»

 Kërkohet edhe përulësi. «Duhet të mësosh të qeshësh me veten, sepse do të bësh plot gabime. Ama, kështu mëson»,—thotë Xhejmsi, një i ri që mësoi spanjisht.

 Përfundimi: Ka më tepër të ngjarë të mësosh një gjuhë tjetër, po arrite të përballosh pengesat dhe ndonjë gafë të sikletshme herë pas here.

 Këshillë: Mos i humb shpresat nëse të tjerët duket se mësojnë më shpejt se ti. Bibla thotë: «Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»​—Galatasve 6:4.

 Ç’të mira vijnë?

 Mësimi i një gjuhe të re sjell plot të mira. Për shembull, një adoleshente e quajtur Olivia, thotë: «Kur mëson një gjuhë tjetër, zgjerohesh dhe krijon miqësi të reja.»

 Mësimi i një gjuhe të huaj ia shtoi vetëbesimin një adoleshenteje me emrin Meri. Ajo thotë: «S’para e vlerësoj veten për gjërat që bëj, por tani që po mësoj një gjuhë tjetër, kënaqem me çdo fjalë të re që mësoj. Ndihem më mirë me veten.»

 Xhina, e përmendur më lart, gjen më shumë gëzim në shërbim tani që u mëson të tjerëve Biblën në gjuhën e shenjave. «S’ka gjë më të bukur se të shohësh si u qesh fytyra njerëzve kur filloj të komunikoj me ta në gjuhën e tyre»,​—thotë ajo.

 Përfundimi: Mësimi i një gjuhe tjetër të ndihmon të zësh miq të rinj, të kesh më shumë vetëbesim e ta bësh më domethënës shërbimin. Kjo ndihmon jashtë mase që lajmi i mirë të predikohet në «të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët».​—Zbulesa 7:9.