Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Ç’duhet të di për alkoolin?

Ç’duhet të di për alkoolin?

 Bibla nuk e dënon pirjen e alkoolit me masë kur është e ligjshme, por dënon dehjen.​—Psalmi 104:15; 1 Korintasve 6:​10.

 Po nëse ndihesh nën presion të pish në rrethana që s’i lejon as ligji, as prindërit?

 Mendo për pasojat

 Disa nga moshatarët e tu mund të mendojnë se s’bëhet qejf pa pirë. Por ç’mund të ndodhë pas pirjes?

  •  Telashe me ligjin. Në varësi të vendit ku jeton, nëse pi alkool kur nuk është e ligjshme, mund të gjobitesh, të akuzohesh për krim, të të marrin patentën, mund të të kërkohet të bësh ndonjë shërbim për komunitetin ose madje të përfundosh në burg.​—Romakëve 13:3.

  •  Prishje reputacioni. Kur pi alkool, nuk ke më turp. Nën efektin e tij mund të thuash e të bësh gjëra për të cilat do të bëhesh pishman. (Proverbat 23:31-​33) Në këtë epokë të rrjeteve sociale, veprimet e tua mund të ndikojnë për shumë kohë te reputacioni yt.

  •  Mungesë mbrojtjeje. Alkooli mund të të bëjë pre të lehtë për abuzime fizike ose seksuale. Për shkak të alkoolit, të tjerët mund të ndikojnë më lehtë te ti dhe kjo mund të të çojë në veprime të rrezikshme e të paligjshme.

  •  Varësi. Disa studime tregojnë se sa më i ri të fillosh pijen, aq më e madhe është mundësia për të krijuar varësi. Pija për të përballuar stresin, vetminë ose mërzinë krijon një cikël gjithnjë e më të vështirë për t’u ndërprerë.

  •  Vdekje. Në një nga vitet e fundit shoferët në Shtetet e Bashkuara shkaktuan një vdekje çdo 52 minuta nën ndikimin e alkoolit. Në çdo vit të një periudhe pesëvjeçare, nga aksidentet automobilistike për shkak të alkoolit vdiqën mbi 1.500 të rinj nën 21 vjeç. Edhe nëse ti nuk pi alkool, rrezikon shumë po të udhëtosh me një shofer që ka pirë.

 Merr një vendim

 Mund t’i shmangësh pasojat e rrezikshme e të kushtueshme të pijes nëse që më përpara vendos ç’të bësh.

 Parimi biblik: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) S’është e mençur të pish para se të ngasësh makinën ose para se të bësh diçka tjetër që kërkon përqendrim të plotë.

 Vendimi: «Nëse vendos të pi alkool, nuk do të pi derisa të jetë e ligjshme dhe derisa të jem në rrethana të përshtatshme.»

 Parimi biblik: «Jeni skllav i tij ngaqë i bindeni.» (Romakëve 6:​16) Nëse pi vetëm se pinë moshatarët e tu, po i lejon të tjerët të kenë kontroll mbi ty. Nëse pi që të kapërcesh mërzinë ose të përballosh stresin, nuk po zhvillon aftësitë e nevojshme për të përballuar problemet.

 Vendimi: «S’do t’i lejoj moshatarët të më mbushin mendjen të pi.»

 Parimi biblik: «Mos rri me ata që pinë . . . me tepri.» (Proverbat 23:20) Shoqëritë e gabuara mund të ta thyejnë vendosmërinë. Kur rri me ata që abuzojnë me alkoolin, vë veten në rrezik.

 Vendimi: «Nuk do të shoqërohem shumë me ata që abuzojnë me alkoolin.»