Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si t’i përmirësoj aftësitë komunikuese?

Si t’i përmirësoj aftësitë komunikuese?

 Pse të bisedosh sy më sy me të tjerët?

 Disa thonë se bisedat ballë për ballë janë të vështira dhe stresuese, sidomos në krahasim me komunikimin me mesazhe.

 «Presioni është më i madh kur komunikon sy më sy me dikë, sepse nuk mund të ndryshosh ose të fshish asnjë nga fjalët që thua.»—Ana.

 «Të komunikosh me anë të mesazheve është si një shfaqje e regjistruar paraprakisht, por të komunikosh ballë për ballë është si një shfaqje live. E vetmja gjë që mendoj është: ‘Mos ia këput kot!’»—Xhina.

 Megjithatë, herët a vonë, do të të duhet aftësia për të komunikuar sy më sy me të tjerët. Për shembull, këto aftësi do të të nevojiten nëse do të zësh miq, do të fillosh a do të mbash një punë ose do të fillosh një lidhje romantike kur të jesh gati.

 Lajmi i mirë është që s’ke pse të frikësohesh nga bisedat ballë për ballë. Ti mund t’ia dalësh, edhe nëse je tip i ndrojtur.

 «Ndonjëherë do të thuash diçka të gabuar e do të ndihesh në siklet. Është e pashmangshme. Prandaj mos e merr veten shumë seriozisht.»—Nili.

 Si ta fillosh një bisedë?

  •   Bëj pyetje. Mendo për një temë që mund t’u interesojë të tjerëve dhe përdore si pikënisje për bisedën. Për shembull:

     «A ke shkuar në ndonjë vend për pushime këtë verë?»

     «Ky është një sit shumë interesant. A e ke parë ndonjëherë?»

     «A dëgjove për . . . ?»

     Nëse do që të jesh më specifik, mendo për diçka që keni të përbashkët. Për shembull, a shkoni në të njëjtën shkollë ose a bëni të njëjtën punë? Përdor këtë pikë të përbashkët si bazë për pyetjet e tua.

     «Mendo për pyetje që ty të duken interesante, për të cilat do të doje të dije mendimin e të tjerëve.»—Maritsa.

     Kujdes: Mos bëj si hetues duke i drejtuar tjetrit një breshëri pyetjesh. Gjithashtu, përpiqu të mos bësh pyetje tepër personale. Pyetje të tilla si: «Cila ka qenë gjëja më e vështirë për ty kohët e fundit?» ose: «Pse vishesh gjithmonë me blu?» mund ta vënë tjetrin në siklet. Madje, pyetja e dytë mund të duket si një kritikë.

     Që të mos dukesh si një hetues, mund të shprehësh edhe ti mendimin tënd për pyetjen që bëre, para ose pasi të përgjigjet tjetri. E thënë ndryshe, bëj një bisedë, jo intervistë.

    A lë përshtypjen sikur je hetues kur u bën pyetje të tjerëve?

     Parim nga Bibla: «Mendimet e zemrës së njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.»—Proverbat 20:5.

  •   Ji dëgjues i mirë. Nëse biseda do të shkojë mirë apo jo, varet më shumë nga aftësia jote për të dëgjuar, sesa për të folur.

     «Kam si synim të mësoj një gjë të re për personin me të cilin flas. Më pas, përpiqem të kujtoj çfarë tha ai ose ajo, që të mendoj për një pyetje të bukur për bisedën e radhës.»—Tamara.

     Kujdes: Mos e vrit mendjen se çfarë do të thuash më pas. Nëse dëgjon me kujdes, fjalët do të të vijnë natyrshëm.

     Parim nga Bibla: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, të mos nxitohet për të folur.»—Jakovi 1:19.

  •    Trego interes të sinqertë. Do ta shijosh më shumë bisedën nëse interesohesh vërtet për personin me të cilin po flet.

     «Kur tjetri e kupton se të intereson vërtet ajo që po thotë, biseda do të jetë e këndshme, edhe nëse do të ketë ndonjë moment paksa të çuditshëm.»—Maria.

     Kujdes: Mos bëj pyetje tepër personale. Mund ta kalosh cakun nëse pas komplimentit për pallton, pyet: «Sa e more?»

     Parim nga Bibla: ‘Mos kërko vetëm interesat e tua, por edhe të të tjerëve.’—Filipianëve 2:4.

 Si mund ta mbyllësh një bisedë? Një i ri që quhet Xhordan sugjeron: «Përpiqu ta mbyllësh bisedën me një koment pozitiv. Mund të thuash diçka të tillë: ‘U kënaqa shumë që folëm’ ose ‘ia kalofsh mirë sot’. Kështu do ta lësh derën hapur për bisedën e radhës.»