Kalo te përmbajtja

A do të më falë Zoti?

A do të më falë Zoti?

Përgjigjja e Biblës

 Po, Zoti do të t’i falë mëkatet nëse bën hapat e nevojshëm. Bibla thotë se Perëndia është ‘gati të falë’ dhe se ‘do të falë në masë të madhe’. (Nehemia 9:​17; Psalmi 86:5; Isaia 55:7) Kur fal, e bën këtë plotësisht. Na ‘i fshin’ mëkatet tona. (Veprat 3:​19) Gjithashtu, Zoti fal përgjithmonë, pasi ai thotë: «Nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.» (Jeremia 31:34) Kur fal, nuk na i nxjerr më në pah mëkatet që të na akuzojë ose të na ndëshkojë herë pas here.

 Megjithatë, falja e Perëndisë nuk bazohet te dobësia apo sentimentalizmi. Ai nuk i ndryshon kurrë standardet e tij të drejta. Ja pse nuk i fal disa mëkate.​—Josiu 24:19, 20.

Hapa për të fituar faljen e Perëndisë

  1.   Pranoje se mëkati yt ka shkelur normat e Perëndisë. Ndonëse mund të kesh lënduar edhe të tjerë me atë që bëre, së pari duhet të kuptosh se mëkati yt ka fyer Perëndinë.​—Psalmi 51:​1, 4; Veprat 24:16.

  2.   Rrëfeju Zotit në lutje.​—Psalmi 32:5; 1 Gjonit 1:9.

  3.   Ndihu thellësisht i hidhëruar për mëkatin tënd. «Trishtimi në mënyrë të perëndishme» sjell pendim, pra ndryshim të gjendjes së zemrës. (2 Korintasve 7:​10) Përfshin keqardhjen për hapat e gabuar që të çuan në mëkat.​—Mateu 5:​27, 28.

  4.   Ndërro rrugë, domethënë ‘kthehu’. (Veprat 3:​19) Kjo mund të nënkuptojë të mos përsëritësh më një veprim të vetëm a një shprehi të gabuar, ose mund të nënkuptojë se duhet të ndryshosh tërësisht mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit.​—Efesianëve 4:​23, 24.

  5.   Merr hapa të ndreqësh gabimin ose të rregullosh dëmin. (Mateu 5:​23, 24; 2 Korintasve 7:​11) Kërkoju të falur atyre që vuajtën për shkak të asaj që bëre ose që nuk bëre, dhe dëmshpërbleji sa të mundesh.​—Luka 19:​7-​10.

  6.   Kërkoji të falur Perëndisë në lutje në bazë të shpërblesës së Jezuit. (Efesianëve 1:7) Që lutja jote të marrë përgjigje, duhet t’i falësh ata që kanë gabuar ndaj teje.​—Mateu 6:​14, 15.

  7.   Nëse ke bërë një mëkat të rëndë, fol me dikë të kualifikuar për të të ndihmuar të rregullosh marrëdhënien me Zotin dhe që mund të lutet për ty.​—Jakovi 5:​14-​16.

Ide të gabuara për të pasur faljen e Zotit

 «Aq shumë kam mëkatuar, sa Zoti s’më fal dot.»

Perëndia e fali Davidin që kreu kurorëshkelje dhe vrasje

 Për aq kohë sa ndjekim hapat që na ka treguar Perëndia në Bibël, ai do të na falë, sepse aftësia e tij për të falur është më e madhe se mëkatet tona. Ai mund t’i falë mëkatet e rënda, edhe ato që janë përsëritur shumë herë.​—Isaia 1:​18.

 Për shembull, Perëndia e fali mbretin David të Izraelit që kreu kurorëshkelje dhe vrasje. (2 Samuelit 12:​7-​13) E fali edhe apostullin Pavël që ndihej sikur ishte mëkatari më i keq i botës. (1 Timoteu 1:​15, 16) Edhe judenjtë e shekullit të parë që Perëndia i konsideronte përgjegjës për vrasjen e Jezuit, Mesisë, merrnin faljen e tij nëse ndryshonin rrugë.​—Veprat 3:​15, 19.

 «Nëse i rrëfehem një prifti ose shërbëtori fetar, shfajësohem.»

 Asnjë njeri nuk është i autorizuar të falë mëkatet që bën një tjetër ndaj Zotit. Një mëkatar mund ta marrë veten kur i rrëfehet një njeriu tjetër, ama vetëm Perëndia mund t’ia falë mëkatet.​—Efesianëve 4:​32; 1 Gjonit 1:​7, 9.

 Nëse është kështu, atëherë ku donte të dilte Jezui kur u tha apostujve: «Kujtdo që t’ia falni mëkatet, do t’i falen, dhe kujtdo që ia mbani, do t’i mbahen.» (Gjoni 20:23) Këtu po fliste për një autoritet unik që do t’u jepte apostujve kur të merrnin frymën e shenjtë.​—Gjoni 20:22.

 Siç u premtoi, apostujt morën këtë dhuratë kur fryma e shenjtë u derdh mbi ta në vitin 33 të e.s. (Veprat 2:​1-4) Apostulli Pjetër e përdori këtë autoritet kur gjykoi dishepujt Anania dhe Safira. Me anë të një mrekullie, Pjetri e mori vesh planin e tyre hileqar dhe gjykimi që u dha tregoi se mëkati i tyre nuk do të falej.​—Veprat 5:​1-​11.

 Kjo dhuratë e mrekullueshme e frymës së shenjtë, ashtu si dhuratat e tjera: ajo e shërimit dhe e të folurit në gjuhë të huaja, u hoqën pas vdekjes së apostujve. (1 Korintasve 13:​8-​10) Pra asnjë njeri sot nuk mund të shfajësojë një tjetër nga mëkati.