Kalo te përmbajtja

Kam ndjenja faji—A më ndihmon dot Bibla të gjej lehtësim?

Kam ndjenja faji—A më ndihmon dot Bibla të gjej lehtësim?

Përgjigjja e Biblës

 Po. Bibla mund të na ndihmojë të gjejmë lehtësim kur ndihemi në faj. (Psalmi 32:1-5) Nëse kemi bërë diçka të gabuar por na vjen vërtet keq, Perëndia do të na falë dhe do të na ndihmojë të gjejmë lehtësim. (Psalmi 86:5) Bibla na tregon se, me raste, ndjenjat e fajit janë të dobishme. Ato na nxitin ta ndryshojmë një rrugë të gabuar dhe të bëjmë çmos për ta shmangur në të ardhmen. (Psalmi 51:17; Proverbat 14:9) Pavarësisht nga kjo, Bibla na këshillon që të mos kemi ndjenja të tepruara faji, ndoshta duke e gjykuar veten si të pandreqshëm dhe si të pavlerë në sytë e Perëndisë. Nëse jemi kaq të ashpër me veten, ‘do të na mbytë trishtimi i tepërt’.—2 Korintasve 2:7.

 Çfarë mund t’i shkaktojë ndjenjat e fajit?

 Ne mund të ndihemi në faj për disa arsye. Ndoshta mendojmë se kemi lënduar dikë që duam ose nuk kemi jetuar në lartësinë e një standardi të caktuar. Me raste mund të ndihemi fajtorë, edhe pse nuk kemi bërë asnjë gabim. Për shembull, nëse vendosim standarde tepër të larta dhe të paarsyeshme për veten, me shumë gjasa do të kemi ndjenja faji të panevojshme sa herë që nuk arrijmë dot të jetojmë në lartësinë e tyre. Ja pse Bibla na nxit të jemi të arsyeshëm me atë që presim nga vetja.—Eklisiastiu 7:16.

 Si t’i përballoj ndjenjat e fajit?

 Në vend që të të paralizojnë ndjenjat e fajit, bëj ç’është e mundur që të ndreqësh gjërat. Si?

  •   Pranoji gabimet e tua. Lutju Perëndisë Jehova a dhe kërkoji falje. (Psalmi 38:18; Luka 11:4) Ji i sigurt se Perëndia do ta dëgjojë lutjen tënde nëse je penduar vërtet dhe nëse përpiqesh fort të mos e përsëritësh gabimin. (2 Kronikave 33:13; Psalmi 34:18) Ai sheh zemrën, të cilën njerëzit nuk e shikojnë dot. Kur vëren se po përpiqemi ta braktisim rrugën e gabuar, Perëndia «do të na i falë mëkatet» ngaqë «është besnik dhe i drejtë».—1 Gjonit 1:9; Proverbat 28:13.

     Patjetër, nëse kemi gabuar ndaj dikujt, na duhet të pranojmë gabimin dhe t’i kërkojmë sinqerisht falje personit. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë. Mund të duhet guxim dhe përulësi. Por, kur kërkojmë falje nga zemra, mund të arrijmë 2 gjëra të rëndësishme: heqim një barrë të rëndë nga supet tona dhe kemi sërish paqe me atë që lënduam.—Mateu 3:8; 5:23, 24.

  •   Medito për shkrimet që flasin për mëshirën e Perëndisë. Për shembull, lexo 1 Gjonit 3:19, 20. Aty, Bibla pranon se «zemra mund të na dënojë», pra, mund ta kritikojmë veten më tepër seç duhet dhe të ndihemi sikur nuk e meritojmë dashurinë e Perëndisë. Gjithsesi, te shkrimi lexojmë edhe se «Perëndia është më i madh se zemra jonë». Ç’do të thotë kjo? Ai na njeh fund e krye dhe i kupton plotësisht ndjenjat dhe dobësitë tona. Gjithashtu e di që të gjithë kemi lindur të papërsosur, me prirjen për të gabuar. b (Psalmi 51:5) Prandaj, Ai nuk i hedh poshtë ata që janë penduar me gjithë zemër për gabimet e tyre.—Psalmi 32:5.

  •   Mos jeto me të shkuarën. Bibla ka plot tregime të burrave dhe të grave që bënë gabime, por pastaj ndryshuan për mirë. Një prej tyre është Sauli nga Tarsi, që më vonë u bë i njohur si apostulli Pavël. Kur ishte farise, i përndoqi brutalisht dishepujt e Jezuit. (Veprat 8:3; 9:1, 2, 11) Mirëpo, kur kuptoi se ai po dilte kundër Perëndisë dhe Mesisë, ose Krishtit, u pendua, ndryshoi rrugë dhe u bë një i krishterë model. Patjetër, Pavli ishte penduar thellësisht për të shkuarën, por nuk jetonte me të shkuarën. I vetëdijshëm për mëshirën e madhe që i tregoi Perëndia, u bë një predikues i zellshëm dhe nuk e humbi kurrë nga sytë shpresën e jetës së përhershme.—Filipianëve 3:13, 14.

 Vargje nga Bibla për ndjenjat e fajit dhe për faljen

 Psalmi 51:17: «Zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.»

 Kuptimi: Nëse të vjen vërtet keq që ke lënduar Perëndinë, Ai nuk të hedh poshtë për shkak të gabimeve të tua. Ai është i mëshirshëm.

 Proverbat 28:13: «Kush i mbulon fajet e veta, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe heq dorë prej tyre, do t’i tregohet mëshirë.»

 Kuptimi: Nëse ia rrëfejmë mëkatet tona Perëndisë dhe ndryshojmë rrugë, Ai do të na falë.

 Jeremia 31:34: «Unë do t’ua fal fajin e nuk do t’ua kujtoj më mëkatin.»

 Kuptimi: Kur Perëndia fal, nuk na i kujton më gabimet. Ai tregon mëshirë të vërtetë.

a Jehova është emri i Perëndisë.—Eksodi 6:3.

b Prirja e lindur për të bërë gjëra të gabuara është pasojë e mëkatit që kemi trashëguar nga njeriu i parë, Adami. Bashkë me gruan e tij, Evën, mëkatuan kundër Perëndisë dhe humbën jetën e përsosur. Si pasojë e humbën edhe gjithë pasardhësit e tij.—Zanafilla 3:17-19; Romakëve 5:12.