Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të falësh?

Ç’do të thotë të falësh?

Përgjigjja e Biblës

 Të falësh do të thotë të vendosësh të mos ia llogaritësh fajin dikujt. Në Bibël, fjala greke e përkthyer falje, fjalë për fjalë do të thotë «të lësh të kalojë», si në rastin kur dikush nuk kërkon t’i shlyhet borxhi. Jezui e përdori këtë krahasim kur i mësoi dishepujt të luteshin: ‘Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne falim këdo që është në borxh me ne.’ (Luka 11:4, shënimi.) Po ashtu, në shëmbëlltyrën për skllavin e pamëshirshëm, Jezui tregoi se falja është njësoj si fshirja e borxhit.​—Mateu 18:23-​35.

 I falim të tjerët kur «e lëmë të kalojë» mërinë, pra nuk mbajmë mëri, dhe nuk kërkojmë kompensim për lëndimin apo humbjen që kemi pësuar. Bibla mëson se dashuria altruiste është baza për të falur me të vërtetë, pasi ajo «nuk e mban llogari të keqen».​—1 Korintasve 13:​4, 5.

Kur fal nuk do të thotë se:

  •   Po toleron gabimin. Faktikisht Bibla i dënon ata që pohojnë se veprimet e këqija janë të padëmshme ose të pranueshme.​—Isaia 5:​20.

  •   Po shpërfill gabimin si të mos ketë ndodhur kurrë. Zoti e fali mbretin David për mëkatet e rënda, por nuk e mbrojti nga pasojat e veprimeve të tij. Madje Perëndia mundësoi dokumentimin e mëkateve të Davidit që t’i dinim edhe ne sot.​—2 Samuelit 12:​9-​13.

  •   Po lë të tjerët të përfitojnë prej teje. Ta zëmë se i ke dhënë hua para dikujt, por ai i shpërdoron dhe nuk t’i kthen dot siç ka premtuar. I vjen shumë keq për këtë dhe të kërkon ndjesë. Mund të zgjedhësh ta falësh pa i mbajtur mëri dhe pa ia mbajtur avaz, madje mund t’ia fshish një herë e mirë borxhin. Megjithatë mund të zgjedhësh të mos i japësh më borxh.​—Psalmi 37:21; Proverbat 14:15; 22:3; Galatasve 6:7.

  •   Po fal pa një bazë të vlefshme. Zoti nuk i fal njerëzit që janë fajtorë për mëkate të vullnetshme e keqdashëse dhe që nuk i pranojnë gabimet, nuk kthejnë rrugë e nuk u kërkojnë falje atyre që kanë lënduar. (Proverbat 28:13; Veprat 26:20; Hebrenjve 10:26) Këta të papenduar bëhen armiq të Perëndisë dhe ai nuk na kërkon t’i falim ata që ai nuk i ka falur.​—Psalmi 139:21, 22.

     Po nëse je viktimë e një keqtrajtimi mizor nga dikush që refuzon të të kërkojë falje e madje ta pranojë fajin? Bibla këshillon: «Lëre zemërimin dhe largohu nga tërbimi.» (Psalmi 37:8) Ndonëse nuk ia fal gabimin, mund të zgjedhësh të mos e lësh zemërimin të të gërryejë. Ki besim se Zoti do t’i kërkojë llogari. (Hebrenjve 10:30, 31) Gjithashtu, merr zemër sepse Perëndia do të sjellë një kohë kur nuk do ta ndiejmë më dhembjen e thellë ose lëndimin që ndoshta na rëndon sot.​—Isaia 65:17; Zbulesa 21:4.

  •   «Po fal» gjëra të vogla që ti i merr si fyerje. Ndonjëherë, në vend që të falim dikë që ne e konsiderojmë fajtor, mund të na duhet të pranojmë se pikësëpari nuk kishim arsye të vlefshme për t’u fyer. Bibla thotë: «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja prehet në gji të budallenjve.»​—Eklisiastiu 7:9.

Çfarë të ndihmon të falësh?

  1.   Kujto ç’do të thotë të falësh. Nëse fal, nuk po mbyll sytë para një gabimi si të mos kishte ndodhur kurrë, por ti thjesht nuk po e mban llogari.

  2.   Kupto dobitë e faljes. Kur nuk mban inat e mëri, ruan qetësinë, ke shëndet më të mirë dhe je më i lumtur. (Proverbat 14:30; Mateu 5:9) Ç’është më e rëndësishmja, t’i falësh të tjerët është thelbësore nëse do që Zoti të të falë për mëkatet e tua.​—Mateu 6:​14, 15.

  3.   Trego dhembshuri. Të gjithë jemi të papërsosur. (Jakovi 3:2) Ashtu siç e vlerësojmë kur na falin, edhe ne duhet t’i falim të tjerët.​—Mateu 7:​12.

  4.   Ji i arsyeshëm. Nëse nuk kemi ndonjë arsye të madhe për t’u ankuar, mund të zbatojmë këshillën e Biblës: ‘Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin.’​—Kolosianëve 3:​13.

  5.   Vepro pa u vonuar. Përpiqu të falësh sa më shpejt, në vend që ta lejosh inatin të kthehet në gangrenë.​—Efesianëve 4:​26, 27.