Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti një tokë parajsore

Së shpejti një tokë parajsore

Së shpejti një tokë parajsore

«Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»​—Mateu 6:9, 10.

KJO lutje e mirënjohur, që shumë veta e quajnë lutja «Ati ynë», i jep shpresë njerëzimit. Pse?

Siç thuhet në këtë lutje, falë Mbretërisë së Perëndisë, vullneti i tij do të bëhet në tokë. E kjo është e sigurt, njësoj siç është e sigurt që vullneti i Perëndisë tashmë po bëhet në qiell. Vullneti i tij është që toka të kthehet sërish në parajsë. (Zbulesa 21:1-5) Çfarë është saktësisht Mbretëria e Perëndisë dhe si do ta sjellë ajo parajsën?

Një qeveri e vërtetë

Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e vërtetë. Që të funksionojë, çdo qeveri ka nevojë për rregulla, ligje dhe nënshtetas. A i përmbush Mbretëria e Perëndisë këto kërkesa? Ja si u përgjigjet Bibla tri pyetjeve të mëposhtme.

Cilët janë qeveritarët e Mbretërisë së Perëndisë? Jehovai është sovrani më i lartë. (Isaia 33:22) Ai ka caktuar në krye të Mbretërisë Birin e tij, Jezu Krishtin. (Mateu 28:18) Nën drejtimin e Jehovait, Jezui ka zgjedhur një numër të kufizuar individësh nga «çdo fis, gjuhë, popull dhe komb», që bashkë me të «do të mbretërojnë mbi tokën».—Zbulesa 5:9, 10.

Çfarë ligjesh ka vënë Mbretëria e Perëndisë për nënshtetasit e saj? Disa nga ligjet ose urdhërimet kërkojnë që të kryhen vepra të mira. Jezui tregoi cili është më i rëndësishmi nga këto ligje, kur tha: «‘Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.’ Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi. I dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd si veten.’»—Mateu 22:37-39.

Ligje të tjera kërkojnë që nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë të mos i bëjnë disa veprime. Për shembull, Bibla bën këtë pohim të qartë: «Mos u mashtroni! As kurvarë, as idhujtarë, as kurorëshkelës, as burra që mbahen për qëllime të panatyrshme seksuale, as burra që shkojnë me burra, as hajdutë, as lakmitarë, as pijanecë, as sharës, as zhvatës nuk do ta trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.»—1 Korintasve 6:9, 10.

Cilët janë nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë? Jezui i krahasoi nënshtetasit e Mbretërisë së Perëndisë me delet. Ai tha: «Ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme me një bari të vetëm.» (Gjoni 10:16) Që një njeri të jetë nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë, nuk mjafton të thotë se e ndjek Bariun e Shkëlqyer, Jezuin, por duhet edhe të bëjë atë që urdhëron ai. Jezui tha: «Jo kushdo që më thotë: ‘Zotëri, Zotëri’ do të hyjë në mbretërinë e qiejve, por do të hyjë ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.»—Mateu 7:21.

Prandaj, ata që janë nënshtetas të Mbretërisë së Perëndisë e përdorin dhe e nderojnë emrin e Perëndisë, Jehova, siç bëri Jezui. (Gjoni 17:26) I binden urdhrit të Jezuit për t’u mësuar të tjerëve ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14; 28:19, 20) Gjithashtu tregojnë dashuri nga zemra për njëri-tjetrin.—Gjoni 13:35.

‘Rrënohen ata që rrënojnë tokën’

Kushtet e sotme të botës tregojnë se Mbretëria e Perëndisë së shpejti do të marrë masa për të sjellë ndryshime të mëdha në tokë. Nga e dimë këtë? Dy mijë vjet më parë, Jezui përshkroi një shenjë me shumë aspekte, që do të tregonte se «mbretëria e Perëndisë është afër». (Luka 21:31) Siç u tregua në artikullin e kaluar, aspektet e kësaj shenje shihen qartë sot në mbarë botën.

Çfarë do të vijë më pas? Jezui përgjigjet: «Atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.» (Mateu 24:21) Kjo nuk do jetë një katastrofë e shkaktuar nga njerëzit. Përkundrazi, do të jetë Perëndia që do të veprojë, ‘për të rrënuar ata që rrënojnë tokën’. (Zbulesa 11:18) Njerëzit e ligj, që me veprimet e tyre egoiste e kanë çuar planetin buzë rrënimit, «do të shfarosen nga toka». Kurse të paqortueshmit, që i shërbejnë Perëndisë siç do ai, «do të mbeten në të».—Proverbat 2:21, 22.

Perëndia Jehova ka arsye të forta që të ndërmarrë këto veprime rrënjësore. Pse? Le të bëjmë një shembull. Ta zëmë se jeni pronar i një ndërtese me disa apartamente. Disa prej qiraxhinjve sillen mirë dhe janë të respektueshëm; ata e paguajnë qiranë dhe kujdesen për apartamentin. Ndërsa qiraxhinjtë e tjerë hapin telashe dhe janë egoistë; ata nuk pranojnë ta paguajnë qiranë dhe e dëmtojnë keqas ndërtesën. Me gjithë paralajmërimet e herëpashershme, ata vazhdojnë të sillen keq. Çfarë do të bënit ju? Si pronar, patjetër që do t’i dëbonit ata qiraxhinj të këqij.

Po kështu, Perëndia Jehova, si Krijues i tokës dhe i gjithçkaje në të, ka të drejtën të vendosë se cilët do të lejojë të banojnë në tokë. (Zbulesa 4:11) Jehovai ka thënë se qëllimi i tij është të heqë nga toka të ligjtë që shpërfillin vullnetin e tij dhe shkelin të drejtat e të tjerëve.—Psalmi 37:9-11.

Toka kthehet në parajsë

Së shpejti, Mbretëria e Perëndisë në duart e Jezu Krishtit do të sundojë mbi tokë. Jezui e quajti këtë fillim të ri ‘përtëritja e krijimit’. (Mateu 19:28) Si do të jenë kushtet? Vini re premtimet e mëposhtme të Biblës:

Psalmi 46:9. «Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut.»

Isaia 35:1. «Shkretëtira dhe vendet e thata do të ngazëllojnë. Rrafshina e shkretë do të gëzojë dhe do të lulëzojë si shafrani.»

Isaia 65:21-23. «Të zgjedhurit e mi do të nxjerrin dobi të plotë nga vepra e duarve të tyre. Nuk do të robtohen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë që të shkatërrohen papritur.»

Gjoni 5:28, 29. «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre, do ta dëgjojnë zërin e [Jezuit] dhe do të dalin.»

Zbulesa 21:4. «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më.»

Arsye për të besuar

A i besoni premtimet e Biblës? Bibla paratha se shumë veta nuk do t’i besonin. Në të thuhet: «Në ditët e fundit do të vijnë tallës, që . . . do të vazhdojnë të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: ‘Ku është kjo prania e tij e premtuar?! Se ja, që nga dita që paraardhësit tanë ranë në gjumin e vdekjes, të gjitha gjërat po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit.’» (2 Pjetrit 3:3, 4) Por këta tallës gabojnë rëndë. Shqyrtoni vetëm katër arsye pse mund t’u besoni fjalëve të Biblës:

(1) Perëndia ka ndërhyrë në çështjet e tokës në të kaluarën. Përmbytja e kohës së Noesë është një shembull i jashtëzakonshëm.—2 Pjetrit 3:5-7.

(2) Fjala e Perëndisë paratha me saktësi kushtet e sotme botërore.

(3) Të gjitha gjërat nuk «po vazhdojnë tamam si nga fillimi i krijimit». Në një shkallë të paparë në histori, planeti ynë po vuan nga prishja e shoqërisë, e moralit dhe e mjedisit.

(4) ‘Lajmi i mirë për mbretërinë’ po predikohet anembanë botës, dhe kjo tregon se së shpejti «do të vijë fundi».—Mateu 24:14.

Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë të studioni me ta Fjalën e Perëndisë, Biblën, që të mësoni më shumë për shpresën e jetës së përhershme nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë. (Gjoni 17:3) Po, njerëzimi ka përpara një të ardhme të mrekullueshme. Së shpejti na presin kohë të shkëlqyera. A do ta gëzoni edhe ju këtë të ardhme?

[Diçitura në faqen 7]

Ata që thonë se gjërat do të mbeten siç kanë qenë gjithmonë, gabojnë rëndë

[Figura në faqen 8]

A do ta gëzoni edhe ju këtë të ardhme?