Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Çfarë gjuhe fliste Jezui?

Studiuesit nuk bien dakord për gjuhën që fliste Jezui kur ishte në tokë. Megjithatë, ka të ngjarë të ketë folur një formë të hebraishtes dhe një dialekt të aramaishtes. Kur shkoi në Nazaret të Galilesë dhe hyri në sinagogë, Jezui lexoi nga profecia e Isaisë, me sa duket siç ishte shkruar në hebraisht. Bibla nuk thotë se ai e ktheu në aramaisht pjesën që lexoi.—Luka 4:16-21.

Për gjuhët që përdoreshin në Palestinë kur Jezu Krishti ishte në tokë, profesori Xhorxh Rajt thotë: «Greqishtja dhe aramaishtja me sa duket ishin gjuhët më të folura . . . Ushtarët dhe zyrtarët romakë mund t’i dëgjoje tek bisedonin në latinisht, ndërsa judenjtë konservatorë fare mirë mund të kenë përdorur me njëri-tjetrin një variant të vonshëm të hebraishtes.» Ja pse mbishkrimi që kishte vendosur Pilati në shtyllën e torturës së Jezuit ishte shkruar në tri gjuhë: hebraisht, latinisht dhe greqisht.—Gjoni 19:20.

Në librin e tij Zbulime nga koha e Jezuit (anglisht), Alen Milardi thotë: «Ndërsa kryenin detyrat të përditshme, guvernatorët romakë sigurisht flitnin greqisht dhe Jezui mund t’u jetë përgjigjur në greqisht pyetjeve të Pilatit në gjyq.» Megjithëse Bibla nuk thotë gjë për këtë, është interesante kur mendon se nuk përmendet ndonjë përkthyes që u përdor në këtë rast.—Gjoni 18:28-40.

Sipas profesor Rajtit, «nuk kemi asnjë mënyrë të sigurt për të ditur nëse [Jezui] fliste greqisht ose latinisht, por, kur mësonte të tjerët, ai zakonisht përdorte aramaishten ose hebraishten e ndikuar nga aramaishtja, e cila flitej gjerësisht».—Biblical Archaeology, 1962, faqja 243.

Sa të mëdhenj ishin gurët e tempullit në Jerusalem?

Kur dishepujt po flitnin me Jezuin për tempullin në Jerusalem, njëri i tha: «Mësues, shiko! Ç’gurë e ç’ndërtesa!» (Marku 13:1) Po sa të mëdhenj ishin disa nga këta gurë?

Në kohën kur Jezui ishte në tokë, mbreti Herod kishte dyfishuar zonën e tempullit në malin e tempullit në krahasim me atë të kohës së Solomonit. Ishte platforma më e madhe në lashtësi, e bërë nga njeriu, dhe arrinte deri në 480 metra me 280 metra. Disa nga gurët e ndërtesës, ose blloqet e gurit të latuar, thuhet se ishin 11 metra të gjatë, 5 metra të gjerë dhe 3 metra të trashë. Disa peshonin më shumë se 50 tonë. Njëri madje arrinte gati në 400 tonë dhe, sipas një studiuesi, ishte «i pashoq në përmasa në gjithë botën e lashtë».

Si përgjigje, Jezui tha: «A i sheh këto ndërtesa të mëdha? Këtu nuk do të mbetet gur pa u rrëzuar.» (Marku 13:2) Shumë nga këta gurë të stërmëdhenj mund të shihen akoma përtokë, atje ku mbetën pasi i shqepën me leva dhe i shembën ushtarët romakë në vitin 70 të e. s.

[Figura në faqen 26]

Gurët e tempullit, të hedhur jashtë malit të tempullit në Jerusalem