Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?

Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?

KAPITULLI 34

Pse ia vlen të jetosh sipas normave të Biblës?

Je ulur e po rri gjatë pushimit me dy shoqe të shkollës, kur sheh të afrohet nxënësi i ri.

—Ej, e di që Eno e ka me ty,—thotë njëra nga shoqet.—Shiko si po të sheh. Sa s’po të ha me sy!

—Dhe e di më të bukurën?—të pëshpërit shoqja tjetër duke t’u afruar.—Nuk është i zënë.

Ti e kishe tashmë një dyshim që kur të ftoi në një mbrëmje. Kuptohet që nuk pranove, megjithëse me vete thoshe si do të kishte qenë po të kishe shkuar.

Shoqja e parë t’i ndërpret mendimet.

—Çfarë tersi, unë jam e zënë,—thotë ajo,—se nuk e lija pa ia hedhur grepat.

Por pastaj, ajo të sheh e habitur. Ti e di ku do të dalë.

—Si ka mundësi që nuk ke një të dashur?—pyet ajo.

Këtë pyetje e ke tmerr kur e dëgjon. Ç’është e vërteta, edhe ty do të të pëlqente të kishe të dashur. Por të kanë thënë se është më mirë të presësh derisa të jesh gati për martesë, e pastaj të lidhesh me një djalë. Po të mos ishte për . . .

—Për punën e fesë, apo jo?—ta pret shoqja e dytë.

—Mos po më lexon mendimet?—thua me vete.

—Aman edhe ti, ngele gjithmonë Bibla, Bibla, Bibla,—të ngacmon ajo.—Pse s’ia bën njëherë qejfin vetes?

A TË ka ndodhur ndonjëherë të të tallin, ngaqë përpiqesh të jetosh sipas normave të Biblës? Nëse të ka ndodhur, ndoshta ke pyetur veten se mos po humbet diçka. Kështu mendonte një vajzë me emrin Bora. «Normat e Biblës më dukeshin kufizuese,—kujton ajo.—Lakmoja lirinë që kishin shokët e shkollës.»

Qëndro me këmbë në tokë

Përvoja nuk është gjithmonë mësuesi më i mirë. Në të vërtetë, është e mençur dhe në përputhje me Shkrimet të mësosh nga gabimet e të tjerëve, siç bëri psalmisti Asaf. Për njëfarë kohe, ai mendonte se normat e Perëndisë ishin tepër kufizuese. Por duke parë ç’rrugë kishin marrë ata që nuk i bindeshin Perëndisë, e pati më të lehtë të qëndronte me këmbë në tokë. Më vonë, Asafi nxori përfundimin se ata ishin në «vende të rrëshqitshme».​—Psalmi 73:18.

Për të mos bërë të njëjtat gabime, shih komentet e disa të rinjve që, për njëfarë kohe, i braktisën normat e Biblës dhe kryen marrëdhënie seksuale pa qenë të martuar.

Çfarë ndikoi në mendimet dhe veprimet tuaja?

Bora: «Kur isha në shkollë, shihja që të gjithë kishin të dashur dhe dukeshin të lumtur. Kur dilja me ta dhe i shihja që putheshin e përqafoheshin, bëhesha xheloze dhe ndihesha e vetmuar. Shpesh ëndërroja me orë të tëra për një djalë që më pëlqente. Kjo ma shtonte dëshirën që të rrija me të.»

Mikeli: «Shihja dhe lexoja gjëra që e paraqitnin seksin si diçka të mrekullueshme. Kur flitja me shokët për seksin, bëhesha edhe më kurioz. Pastaj, kur isha vetëm me një vajzë, mendoja se mund të tregoheshim intimë pa vajtur deri në marrëdhënie seksuale dhe se mund të ndalesha kur të doja.»

Andrea: «E kisha zakon të shihja pornografi në Internet. Fillova të pija shumë. Shkoja në festa me të rinj që shpërfillnin normat morale të Biblës.»

Trejsi: «E dija që seksi para martese ishte i gabuar, por nuk e urreja një gjë të tillë. S’kisha ndër mend të kryeja marrëdhënie para se të martohesha, por ndjenjat ma mposhtën arsyen. Për njëfarë kohe, ndërgjegjja m’u mpi dhe nuk më brente asnjë ndjenjë faji.»

A të bëri më të lumtur ajo gjë?

Bora: «Në fillim, u ndjeva sikur isha liruar nga zinxhiri dhe më vinte mirë që më në fund isha si shokët. Por këto ndjenja nuk zgjatën shumë. Më dukej vetja e ulët, sikur më kishin rrëmbyer dëlirësinë, ndihesha bosh. Më vinte tmerrësisht keq që e kisha hedhur tej virgjërinë.»

Andrea: «Sa vinte dhe u dorëzohesha më kollaj dëshirave të gabuara. Por në të njëjtën kohë, po më sfiliste ndjenja e fajit dhe më vinte inat me veten.»

Trejsi: «Imoraliteti ma shkatërroi rininë. Mendoja se me të dashurin do t’ia kalonim për mrekulli, por ja që s’ndodhi ashtu. E lënduam njëri-tjetrin shumë dhe i sollëm trishtim e vuajtje. Net të tëra qaja me dënesë në shtrat dhe thosha: ‘Ah, sikur ta kisha dëgjuar Jehovain!’»

Mikeli: «Më dukej sikur një pjesë e imja kishte vdekur. U mundova t’i shpërfillja pasojat që po u sillnin të tjerëve veprimet e mia, por më kot. Vuaja kur mendoja se po lëndoja të tjerët duke parë vetëm qejfin tim.»

Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që u duket se normat morale të Biblës janë tepër kufizuese?

Trejsi: «Zbato normat e Jehovait dhe shoqërohu me ata që veprojnë njësoj. Kështu do të jesh më i lumtur.»

Bora: «Nuk ekziston vetëm ti dhe dëshira jote. Veprimet e tua do të ndikojnë edhe te të tjerët. Dhe, duke shpërfillur këshillat e Perëndisë, do t’i bësh dëm vetëm vetes.»

Andrea: «Kur nuk ke përvojë, kujton se jeta që bëjnë moshatarët e tu është fantastike. Si pa kuptuar, fillon t’i imitosh. Prandaj zgjidhi shokët me kujdes. Beso te Jehovai dhe s’do të pendohesh.»

Mikeli: «Ndër gjërat më të vyera që na jep Jehovai, janë dinjiteti dhe dëlirësia. T’i flakësh tej këto dhurata vetëm ngaqë nuk ke vetëkontroll, do të thotë ta shesësh veten për dy lekë. Fol me prindërit dhe me njerëz të pjekur për problemet e tua. Nëse gabon, fol pa humbur kohë dhe ndreqe situatën. Po të bësh siç thotë Jehovai, do të kesh prapë paqe të vërtetë.»

Normat e Biblës​—Këmishë force apo rrip sigurimi?

Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’ dhe dëshiron që edhe ti të jesh i lumtur. (1 Timoteut 1:11; Eklisiastiu 11:9) Normat e shkruara në Bibël janë për të mirën tënde. Ndoshta të duken si këmishë force që të kufizon lirinë. Por në të vërtetë, normat morale të Biblës janë më shumë si një rrip sigurimi që të mbron jetën.

S’diskutohet që mund t’i besosh Biblës. Nëse vendos të jetosh sipas normave të saj, jo vetëm që do ta bësh Jehovain të lumtur, por edhe vetë do të nxjerrësh dobi.​—Isaia 48:17.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Ti mund të bëhesh mik me Perëndinë. A do të dish se si?

SHKRIMI KYÇ

«Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.»​—Isaia 48:17.

KËSHILLË

Mendo si mund ta mbrosh mençurinë e normave të Biblës para motrës ose vëllait tënd më të vogël. Duke u folur atyre, do të përforcosh në zemër bindjet e tua.

A E DIJE . . . ?

Për të prishur miqësinë me Jehovain mjafton veç një çast, por për ta ndrequr mund të duhen vite.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që ta kuptoj më mirë sa të mençura janë normat e Biblës, do të ․․․․․

Nëse filloj t’i kem zili ata që ndjekin normat e botës, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse përvoja nuk është mësuesi më i mirë, kur mendon për pasojat që vijnë po të mos u bindesh ligjeve të Perëndisë?

● Çfarë mëson nga fjalët e Borës, Mikelit, Andreas dhe Trejsit?

● Pse disa mund t’i shohin normat e Biblës si këmishë force që të kufizon lirinë, dhe pse ky mendim është dritëshkurtër?

[Diçitura në faqen 285]

«Dëshpërimi që vjen nga disiplinimi pas një shkeljeje, s’është gjë para dhembjes që ndien duke e fshehur.»​—Dona

[Figurat në faqen 288]

Normat e Biblës nuk të kufizojnë lumturinë, por të mbrojnë