Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse e urrej pamjen time?

Pse e urrej pamjen time?

KAPITULLI 7

Pse e urrej pamjen time?

A të ndodh shpesh të jesh i pakënaqur me pamjen tënde?

□ Po □ Jo

A të ka shkuar ndonjëherë në mend të bësh operacion plastik ose ndonjë dietë ekstreme për të ndrequr ndonjë defekt?

□ Po □ Jo

Çfarë do të ndryshoje te vetja po të mundeshe? (Rretho atë që do të doje të ndryshoje.)

Gjatësinë

Trupin

Fytyrën

Peshën

Flokët

Zërin

NËSE përgjigjja jote ishte po për dy pyetjet e para dhe rrethove tri ose më shumë gjëra në pyetjen e tretë, shih anën e mirë: ka shumë mundësi që të tjerët nuk të shohin me sy aq negativ sa e sheh ti veten. Është kollaj të kalosh në ekstrem e të merakosesh së tepërmi për pamjen e jashtme. Në fakt, rezultatet e një ankete treguan se shpesh vajzat e reja kanë më shumë frikë nga shtimi në peshë, sesa nga lufta bërthamore, nga kanceri apo edhe nga humbja e prindërve.

S’ka dyshim se pamja mund të ndikojë në vlerësimin për veten dhe në mënyrën si të trajtojnë të tjerët. «Dy motrat e mia më të mëdha ishin të bukura si kukulla, kurse unë isha topolake,—thotë Mariza 19-vjeçare.—Në shkollë më tallnin shumë. Kulmi ishte kur tezja më vuri nofkën ‘topçe’, siç quante edhe qenushin e saj të shëndoshë.» Xhuli, një vajzë 16-vjeçare, kishte një problem të ngjashëm. «Një vajzë në shkollë më tallte e më thoshte ‘dhëmbëlepur’. Vërtet ishte një gjë koti, por prapëseprapë ndihesha keq, dhe akoma më rri mendja te dhëmbët.»

Merak apo fiksim?

S’ka asgjë të keqe të shqetësohesh për pamjen. Në fakt edhe Bibla lavdëron paraqitjen fizike të disa burrave dhe grave, si Sara, Rakela, Jozefi, Davidi dhe Abigaila. Bibla thotë se një grua me emrin Abishaga ishte «shumë e bukur».​—1 Mbretërve 1:4, Dio.

Megjithatë, shumë adoleshentë janë të fiksuar pas pamjes. Për shembull, duke parë modelet e holla si steka nëpër reklamat në pamje të parë magjepsëse të revistave të modës, disa vajza mendojnë se të jesh e bukur do të thotë të jesh e dobët. Harrojnë se ato foto që të lënë pa mend, zbukurohen artificialisht ose përmirësohen me kompjuter, dhe se ato modele të hajthme sharrojnë për të ngrënë që të mbajnë linjat. Edhe pse e di këtë, kur e krahason veten me ato që sheh nëpër revista, bëhesh keq. Po si i bëhet kur s’të kënaq vërtet pamja jote? Pikësëpari, duhet ta shohësh veten me sy objektiv.

Imazh i shtrembëruar?

A je parë ndonjëherë në një pasqyrë të shtrembër? Ajo mund të të zmadhojë ose të të zvogëlojë. Sido që të të tregojë, nuk je ashtu.

Po kështu, shumë adoleshentë kanë një imazh të shtrembëruar për veten. Për shembull, sipas një studimi, 58 për qind e vajzave thoshin se ishin mbi peshë, kur në fakt mbi peshë ishin vetëm 17 për qind e tyre. Sipas një studimi tjetër, 45 për qind e grave që faktikisht ishin nën peshë, mendonin se kishin kile të tepërta.

Disa studiues thonë se pjesa më e madhe e vajzave që janë në merak për peshën, s’kanë pse të jenë. Por kjo, pa dyshim, s’të ngushëllon shumë, nëse je vërtet trupngjeshur. Cili mund të jetë shkaku në këtë rast?

Një faktor mund të jenë gjenet. Disa njerëz janë të dobët e thatimë nga natyra. Por nëse gjenet kanë paracaktuar që do të kesh një pamje topolake dhe me dhjamë, kjo do të thotë se nuk je programuar për të qenë i dobët. Edhe në atë që mund të konsiderohet pesha jote ideale, ndoshta do të dukeshe më i shëndoshë nga sa do të doje. Gjimnastika dhe dieta mund të ndihmojnë, megjithatë, në përgjithësi, s’ke asgjë në dorë për të ndryshuar linjat që ke trashëguar.

Një faktor tjetër mund të jenë ndryshimet që ndodhin normalisht gjatë adoleshencës. Gjatë pubertetit dhjamrat e trupit te vajzat rriten nga 8 në 22 për qind. Me kalimin e kohës, shpesh situata ndryshon, dhe një topçe 11 ose 12-vjeçare lë pas pubertetin dhe bëhet një adoleshente me trup të derdhur. Por, çfarë duhet të bësh, nëse atë trup e ke ngaqë nuk ha si duhet ose nuk bën ushtrime? Ç’të bësh nëse vërtet duhet të biesh në peshë për një shëndet të mirë?

Ekuilibër

Bibla thotë se është mirë të jemi ‘të përkorë në zakone’. (1 Timoteut 3:11) Prandaj, haji të gjitha vaktet ose mos mbaj dieta ekstreme. Ndoshta mënyra më e mirë për të rënë ca kile është një regjim me ushqim të shëndetshëm dhe fizkulturë në masë të arsyeshme.

S’ka nevojë të mbahet ndonjë dietë që është bërë e modës. Për shembull, pilulat dietike mund të presin oreksin për pak kohë, mirëpo trupi përshtatet shpejt me to dhe oreksi kthehet prapë. Ose metabolizmi bie, dhe prapëseprapë shton në peshë, pa përmendur efektet anësore që janë vënë re te disa, si marrje mendsh, tension të lartë, kriza ankthi, e ndoshta edhe varësi ndaj tyre. Pak a shumë, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për pilulat diuretike që shkarkojnë lëngjet e trupit ose rritin metabolizmin.

Një regjim i arsyeshëm në të ngrënë, i kombinuar rregullisht me pak fizkulturë, ndihmon të dukesh dhe të ndihesh më mirë. Pak aerobi disa herë në javë, është e shkëlqyer për shëndetin. Ndoshta mjafton diçka e thjeshtë, si ecja me hap të shpejtë ose ngjitja e shkallëve.

Kujdes nga gracka e anoreksisë!

Për të rënë në peshë, disa adoleshentë kanë rënë viktimë e anoreksisë, një çrregullim në të ushqyer me pasoja që mund të çojnë deri në vdekje. Ja çfarë thotë Masami rreth katër muaj pas kurës që bëri për anoreksinë: «Kur më thonë ‘dukesh mirë me shëndet’, them me vete ‘ndoshta ngaqë po shëndoshem’. Ndonjëherë qaj dhe them: ‘Ah sikur të kisha peshën e mëparshme​—peshën e katër muajve më parë!’»

Anoreksia mund të fillojë pa e kuptuar. Një vajzë mund të nisë një dietë, në dukje të padëmshme, ndoshta për të rënë ndonjë kile. Mirëpo, kur e arrin atë që do, prapë s’është e kënaqur. «Kam akoma për të hequr»,—mund të thotë tek sheh e pakënaqur veten në pasqyrë. Kështu, vendos të bjerë edhe ndonjë kile tjetër. Pastaj, edhe pak akoma, edhe pak akoma, dhe ja ku filloi anoreksia.

Nëse ke simptomat e anoreksisë ose ndonjë çrregullim tjetër në të ngrënë, të duhet ndihmë. Hapu me njërin nga prindërit ose me një të rritur tjetër të besuar. Një proverb në Bibël thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17.

Ç’është bukuria e vërtetë?

Në përgjithësi, Bibla përqendrohet shumë pak te pamja apo te trupi. Ajo që e bën dikë tërheqës ose jo në sytë e Perëndisë, është njeriu i brendshëm.​—Proverbat 11:20, 22.

Le të marrim rastin e Absalomit, birit të mbretit David. Bibla thotë: «Në tërë Izraelin nuk kishte burrë aq të bukur sa Absalomi, që ta lëvdonin kaq shumë. Ai s’kishte asnjë të metë që nga tabani i këmbës e deri te maja e kokës.» (2 Samuelit 14:25) Megjithatë, ishte i pabesë. Krenaria dhe ambicia e shtynë të merrte me forcë fronin e mbretit të emëruar nga Jehovai. Pra, Bibla nuk flet mirë për Absalomin, përkundrazi, e përshkruan si tradhtar të pacipë dhe plot urrejtje vrastare.

Kështu, «Jehovai vlerëson zemrat», jo linjat e një vajze dhe muskujt e një djali. (Proverbat 21:2) Megjithëse dëshira për t’u dukur mirë s’është e gabuar, personaliteti ka shumë më tepër rëndësi se pamja. Si përfundim, cilësitë frymore janë ato që të bëjnë tërheqës, dhe jo muskujt e fryrë a barku petë!

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLL. 1, KAP. 10

NË KAPITULLIN TJETËR:

Shumë të rinj preken nga ndonjë sëmundje kronike a kufizim fizik. Nëse edhe ti ke të njëjtin problem, si ta përballosh?

SHKRIMI KYÇ

«Njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.»​—1 Samuelit 16:7.

KËSHILLË

Nëse po mundohesh të biesh në peshë:

● Mos e lër pa ngrënë mëngjesin. Nëse nuk e ha, do të të marrë shumë uria dhe do të hash më shumë se normalisht.

● Pi një gotë të madhe me ujë para çdo vakti. Kjo të ul oreksin dhe të ndihmon të mbash nën kontroll sasinë që ha.

A E DIJE . . . ?

Disa ekspertë thonë se, nëse rri pa ngrënë që të biesh në peshë, trupi mund të vihet në «alarm» dhe të ulë metabolizmin. Si pasojë, rimerr shumë shpejt të gjitha kilet e humbura!

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Mund të kujdesem më mirë për shëndetin duke ․․․․․

Gjimnastikë e arsyeshme për mua do të ishte ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Si ndihesh me pamjen tënde?

Cilët janë disa hapa të arsyeshëm që mund të bësh për të përmirësuar pamjen?

Çfarë do t’i thoshe një shoku a shoqeje që ka çrregullime në të ngrënë?

Si mund ta ndihmosh vëllanë a motrën më të vogël që të ketë mendim të ekuilibruar për pamjen?

[Diçitura në faqen 69]

«Për një kohë të gjatë më tallnin se kisha sy të mëdhenj. Mësova ta marr me të qeshur, por edhe të kem besim te personaliteti dhe te cilësitë e mira që kam. Tani jam mësuar me pamjen time dhe e pranoj veten ashtu si jam.»​—Ambra

[Figura në faqen 68]

Mendimi që ke për veten mund të jetë si imazhi yt në një pasqyrë të shtrembër