Kalo te përmbajtja

Çfarë është qielli sipas Biblës?

Çfarë është qielli sipas Biblës?

Përgjigjja e Biblës

 Fjala «qiell» ka tri kuptime kryesore në Bibël. Ajo përdoret: (1) për qiellin fizik; (2) për vendin ku banojnë krijesat qiellore dhe (3) për të simbolizuar një pozitë të lartë ose të ngritur. Në secilin rast, konteksti ndihmon për të përcaktuar kuptimin e saktë. a

  1.   Qielli fizik. Sipas këtij kuptimi, «qielli» i referohet atmosferës së tokës ku fryn era, ku fluturojnë zogjtë, ku formohet shiu e bora dhe ku shkreptijnë vetëtimat. (Psalmi 78:26; Proverbat 30:19; Isaia 55:10; Luka 17:24) Mund t’i referohet edhe hapësirës kozmike ku ndodhen ‘dielli, hëna dhe yjet’.​—Ligji i përtërirë 4:​19; Zanafilla 1:1.

  2.   Vendi ku banojnë krijesat qiellore. Fjala «qiell» u referohet edhe qiejve të padukshëm, ose vendit ku banojnë krijesat qiellore, të cilat janë një formë jete më e lartë, jashtë universit fizik. (1 Mbretërve 8:​27; Gjoni 6:​38) Në qiejt e padukshëm banojnë Perëndia Jehova, i cili është «Frymë», si edhe engjëjt që krijoi ai. (Gjoni 4:​24; Mateu 24:36) Ndonjëherë «qiejt» personifikojnë engjëjt besnikë, «kongregacionin e të shenjtëve».​—Psalmi 89:​5-7.

     Gjithashtu, Bibla e përdor fjalën «qiell» për t’iu referuar në mënyrë specifike pjesës së qiejve të padukshëm ku banon vetë Jehovai, pra «vendbanimit të tij». (1 Mbretërve 8:​43, 49; Hebrenjve 9:​24; Zbulesa 13:6) Për shembull, Bibla paratha se Satanai dhe demonët do të dëboheshin nga qielli e nuk do të lejoheshin më të hynin në praninë e Jehovait. Megjithatë, ata mbeten krijesa qiellore.​—Zbulesa 12:​7-9, 12.

  3.   Simboli i një pozite të lartë ose të ngritur. Në Shkrime fjala «qiell» përfaqëson një pozitë të lartësuar, që zakonisht lidhet me autoritetin qeverisës. Një pozitë të tillë mund ta ketë:

Çfarë ndodh në qiell?

 Qielli i padukshëm është një vend ku gëlon aktiviteti. Aty jetojnë qindra milionë krijesa qiellore ‘që përmbushin fjalën’ e Jehovait.​—Psalmi 103:20, 21; Danieli 7:​10.

 Bibla e përshkruan qiellin plot dritë e shkëlqim. (1 Timoteut 6:​15, 16) Profeti Ezekiel pa në vegim qiellin që ‘shndriste’, kurse në vegimin e Danielit për qiellin përmendet «një rrëke zjarri». (Ezekieli 1:​26-​28; Danieli 7:​9, 10) Qielli është i shenjtë, ose i pastër, dhe i bukur.​—Psalmi 96:6; Isaia 63:15; Zbulesa 4:​2, 3.

 Ideja e përgjithshme që përçon Bibla për qiellin, është mbresëlënëse. (Ezekieli 43:​2, 3) Gjithsesi, është e pamundur që njerëzit ta kuptojnë plotësisht qiellin, meqë qiejt e padukshëm shkojnë përtej perceptimit njerëzor.

a Fjala hebraike e përkthyer «qiell» me sa duket vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «e lartë» ose «e ngritur». (Proverbat 25:3) Shiko The New Brown, Driver, and Briggs Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, faqja 1029.

b Një enciklopedi pohon se qiejt e rinj tek Isaia 65:17 paraqesin «një qeveri të re, një mbretëri të re».​—McClintock and Strong’s Cyclopedia, vëllimi IV, faqja 122.