Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Këshilla të mençura për një familje të lumtur

Këshilla të mençura për një familje të lumtur

Martesa dhe fëmijët janë një dhuratë e çmuar nga Krijuesi ynë. Ai do që të kemi një familje të lumtur. Prandaj, nëpërmjet një libri të shenjtë e të lashtë, na ka dhënë udhëzime që na e përmirësojnë dhe na e bëjnë më të lumtur jetën familjare. Shqyrto këto këshilla të mençura.

Burra, duajini gratë tuaja

«Burrat duhet t’i duan gratë e tyre si vetë trupat e tyre. Burri që do gruan, do veten, se asnjë burrë nuk e urren kurrë trupin e vet, por e ushqen dhe përkujdeset për të.»—EFESIANËVE 5:28, 29.

Burri është kreu i familjes. (Efesianëve 5:23) Por një bashkëshort i mirë nuk është as i ashpër, as i rreptë. E vlerëson gruan dhe përkujdeset për nevojat e saj materiale dhe emocionale. Përpiqet fort që ta bëjë të lumtur duke mos këmbëngulur që gjithnjë t’i dalë e vetja. (Filipianëve 2:4) Hapet me gruan për mendimet dhe ndjenjat e tij, si dhe e dëgjon kur ajo shprehet. Nuk tregohet ‘i vrazhdë’ me të, ndaj nuk e lëndon fizikisht a emocionalisht.—Kolosianëve 3:19.

Gra, respektojini burrat tuaj

«Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.»—EFESIANËVE 5:33.

Kur gruaja e respekton bashkëshortin dhe i përkrah vendimet e tij, ndihmon që familja të ketë më shumë paqe. Nëse ai gabon, nuk e përçmon, por e respekton dhe vazhdon të tregojë butësi. (1 Pjetrit 3:4) Kur duhet që të flasë me burrin për një problem, e bën në momentin e përshtatshëm dhe me respektin e duhur.—Eklisiastiu 3:7.

Ji besnik ndaj bashkëshortit

«Burri . . . do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe do të bëhen një mish i vetëm.»—ZANAFILLA 2:24.

Kur një burrë e një grua martohen, krijojnë një lidhje të ngushtë familjare. Prandaj, çifti i martuar duhet të përpiqet shumë që ta mbajë të fortë martesën duke e bërë zakon komunikimin e hapur dhe duke bërë gjeste të dashura për njëri-tjetrin. Gjithashtu duhet të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit, duke mos pasur marrëdhënie seksuale jashtë martesës. Tradhtia bashkëshortore është shumë e rëndë. Shkatërron besimin dhe prish familjen.—Hebrenjve 13:4.

Prindër, mësojini dhe stërvitini fëmijët

«Stërvite fëmijën në udhën që duhet të ndjekë; edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—PROVERBAT 22:6, shënimi.

Perëndia u ka ngarkuar prindërve përgjegjësinë që t’i stërvitin fëmijët e tyre. Këtu përfshihet t’i mësojnë si të sillen me anë të shembullit të mirë. (Ligji i përtërirë 6:6, 7) Kur fëmija nuk sillet mirë, prindi i mençur e ruan qetësinë, është ‘i shpejtë për të dëgjuar, nuk nxitohet për të folur e nuk zemërohet shpejt’. (Jakovi 1:19) Nëse është e nevojshme që prindi ta disiplinojë fëmijën, e bën i shtyrë nga dashuria dhe jo nga nervat.

Fëmijë, bindjuni prindërve

«Fëmijë, bindjuni prindërve. . . . ‘Ndero babanë dhe nënën tënde.’»—EFESIANËVE 6:1, 2.

Fëmijët duhet t’u binden prindërve dhe t’u tregojnë respekt të thellë. Kur fëmijët i nderojnë prindërit, në shtëpi ka më shumë gëzim dhe paqe. Fëmijët e rritur i nderojnë prindërit kur sigurohen të mos u mungojë gjë. Si për shembull, i ndihmojnë financiarisht ose që ta mirëmbajnë shtëpinë.—1 Timoteut 5:3, 4.