Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NGA ARKIVAT TANË

Një epikë besimi 100-vjeçare

Një epikë besimi 100-vjeçare

«I ngjan vëlla Rasëllit më shumë se vetë vëlla Rasëlli!»—Dikush që pa «Foto-Dramën» më 1914.

KY VIT shënon 100-vjetorin e premierës së «Foto-Dramës së Krijimit», një epikë e prezantuar në mënyrë pamore që ndërton besimin në Bibël, si Fjala e Perëndisë. Në një kohë kur besimi tek evolucioni, kritika e lartë dhe skepticizmi u kishin gërryer besimin shumë vetave, «Foto-Drama» përkrahte Jehovain si Krijues.

Çarls T. Rasëlli, që merrte drejtimin mes Studentëve të Biblës, kërkonte pareshtur mënyra më të efektshme e të shpejta për të përhapur të vërtetën biblike. Studentët e Biblës tashmë kishin më shumë se tri dekada që shfrytëzonin fuqinë e botimeve të shtypura. Tani ua tërhoqi vëmendjen diçka e re: filmat.

SHPALLIN UNGJILLIN ANEKËND ME ANË TË FILMAVE

Filmat pa zë iu shfaqën publikut për herë të parë në vitet 90 të shekullit të 19-të. Shpejt më 1903, në një kishë në qytetin e Nju-Jorkut u shfaq një film fetar. Industria kinematografike sapo kishte zënë fill kur më 1912 Rasëlli mori guxim e nisi përgatitjet për «Foto-Dramën». Kuptoi se ky lloj komunikimi mund të përcillte të vërtetën biblike në një mënyrë që nuk e bënin dot faqet e shtypura.

Paraqitja tetorëshe e «Foto-Dramës», që prezantohej zakonisht në katër pjesë, kishte 96 incizime të shkurtra të fjalimeve biblike, që i lexonte një orator i shquar me një nga zërat më të njohur në atë periudhë. Shumë skena u shoqëruan me muzikë klasike. Punëtorë të zotë vinin në gramafona zërin dhe muzikën e incizuar, duke sinkronizuar zërin me diapozitivat me ngjyra dhe me filmat që paraqitnin histori të famshme biblike.

«Përfshinte përshkrimin e plotë nga krijimi i yjeve deri në kulmin e lavdishëm të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.»—F. Stjuart Barnzi, 14 vjeç më 1914

Shumica e filmimeve dhe e diapozitivave u morën nga studiot profesionale. Artistët profesionistë në Filadelfia, Nju-Jork, Paris dhe Londër i pikturuan me dorë diapozitivat prej xhami, si dhe shiritat e filmave figurë për figurë. Edhe skuadrat e punëtorëve në Repartin e Artit në Bethel bënë një pjesë  të madhe të pikturimit, shpesh duke u marrë me zëvendësimin e diapozitivave të thyer. Përveç filmave të blerë, pjesëtarët e familjes Bethel u filmuan pranë Jonkersit në Nju-Jork, teksa luanin rolin e Abrahamit, të Isakut dhe të engjëllit që e pengoi Abrahamin të flijonte vërtet të birin.Zan. 22:9-12.

Me një llogaritje të përpiktë të kohës, punëtorë të stërvitur sinkronizuan 3,2 kilometra shirita filmash, 26 disqe gramafonash dhe afro 500 diapozitiva prej xhami

Një bashkëpunëtor i vëlla Rasëllit i tha shtypit se ky lloj prezantimi ‘do të nxiste interesin e mijëra e mijëra vetave për Shkrimet, më shumë se çdo gjë tjetër që ishte bërë në të kaluarën për të përhapur mesazhin fetar’. A do ta përkrahte kleri fetar këtë përpjekje novatore për të arritur masat e etura frymësisht? Përkundrazi, krerët e krishterimit në përgjithësi e hodhën poshtë «Foto-Dramën», madje disa përdorën taktika tinëzare dhe të pacipa që publiku të mos e shihte. Në një lokal, një sindikatë e krerëve fetarë bëri që të ndërpriteshin dritat.

Përcjellëset nga kongregacionet vendëse dhanë miliona kopje falas të broshurës që përmbante figurat e «Foto-Dramës»

Gjithashtu, të pranishmit morën nga një stemë të quajtur «Paqja» me figurën e djaloshit Jezu. Stema i kujtonte secilit të ishte një «bir paqeje»

Prapëseprapë, teatrot u mbushën plot me njerëz që donin të shihnin «Foto-Dramën» falas. Në Shtetet e Bashkuara, «Foto-Drama» u shfaq deri në 80 qytete, çdo ditë. Shumë nga auditori u habitën kur panë për herë të parë «film me zë». Me fotografitë që përshpejtonin veprimet, shihnin një zog teksa çukiste lëvozhgën për të dalë, si edhe një gonxhe tek çelej gjithë hijeshi. Informacioni shkencor i asaj dite theksonte mençurinë marramendëse të Jehovait. Siç u përmend në fillim, kur pa vëlla Rasëllin në ekran duke bërë hyrjen e «Foto-Dramës», dikush nga auditori mendonte se ai orator i ngjante «vëlla Rasëllit më shumë se vetë vëlla Rasëlli».

NJË NGJARJE E SHËNUAR NË ARSIMIMIN BIBLIK

Premiera e «Foto-Dramës» u dha më 11 janar 1914, në këtë teatër të Nju-Jorkut, të pronësuar e të mirëmbajtur nga Shoqata Ndërkombëtare e Studentëve të Biblës

Autori dhe historiani i filmit Tim Dërks e përshkroi «Foto-Dramën» si «shfaqjen e parë të rëndësishme në ekran që përfshinte tinguj të sinkronizuar (zëra të incizuar), filma dhe diapozitiva me ngjyra». Filmat që dolën para «Foto-Dramës» kishin përdorur disa nga këto teknika, por jo të gjitha në një prezantim, sidomos me një temë biblike. Dhe asnjëri nuk kishte pasur një auditor kaq të madh—rreth nëntë milionë në Amerikën e Veriut, në Evropë, në Australi dhe në Zelandën e Re vetëm gjatë vitit të parë!

Premiera e «Foto-Dramës» u dha më 11 janar 1914, në qytetin e Nju-Jorkut. Pas shtatë muajsh shpërtheu katastrofa që më vonë u quajt Lufta I Botërore. Megjithatë, turmat përreth botës vazhdonin të mblidheshin për të parë «Foto-Dramën», duke u ngushëlluar nga skenat plot jetë të bekimeve të ardhshme të Mbretërisë. Pra, për vitin 1914, «Foto-Drama» ishte vërtet një prezantim i pakrahasueshëm.

Grupe predikuesish në tërë Amerikën e Veriut përdorën njëzet «Foto-Drama» të plota