Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

Si u mbollën në Portugali farat e para të Mbretërisë

Si u mbollën në Portugali farat e para të Mbretërisë

TEKSA valët e Atlantikut rrihnin anijen që udhëtonte drejt Evropës, një nga pasagjerët, Xhorxh Jangu, meditonte plot kënaqësi për frytet e Mbretërisë që kish lënë pas në Brazil. * Mirëpo, ndërsa udhëtimi vazhdonte, vëlla Jangu e ktheu vëmendjen te caktimi i tij i ri​—te territoret thuajse të paprekura të Spanjës dhe të Portugalisë. Ai shpresonte të organizonte atje fjalime biblike që do t’i mbante vëlla Xhozef Radhërfordi dhe të shpërndante 300.000 fletushka!

Xhorxh Jangu përshkoi dete në shumë nga udhëtimet e predikimit

Kur mbërriti në Lisbonë, në pranverën e vitit 1925, vëlla Jangu gjeti një atmosferë të turbullt. Revolucioni republikan i 1910-s i kishte dhënë fund monarkisë dhe e kishte hequr Kishën Katolike nga pozita e saj e privilegjuar. Populli kishte fituar më shumë liri, por trazirat civile vazhdonin.

Tamam kur vëlla Jangu i organizoi gjërat për fjalimin e vëlla Radhërfordit, qeveria e vuri vendin nën kontrollin e ushtrisë për shkak të një tentative për grusht shteti. Sekretari i Shoqërisë Biblike për në Angli dhe Jashtë e paralajmëroi vëlla Jangun se me siguri do të haste shumë kundërshtime. Gjithsesi, vëlla Jangu kërkoi leje për të përdorur palestrën e shkollës së mesme «Kamoish», dhe kërkesa iu plotësua.

E ja ku erdhi 13 maji​—dita e programuar për fjalimin e vëlla Radhërfordit. Ngjarja pritej gjithë entuziazëm! Afishet nëpër ndërtesa dhe reklamat nëpër gazeta njoftonin fjalimin publik me temë «Si të jetosh përgjithmonë në tokë». Kundërshtarët fetarë nxituan të botonin një artikull në gazetën e tyre që t’i paralajmëronin lexuesit për «profetët e rremë» që sapo kishin ardhur në vend. Veç kësaj, në hyrje të palestrës kundërshtarët shpërndanë mijëra broshura me informacione kundër mësimeve që prezantonte vëlla Radhërfordi.

Prapëseprapë, rreth 2.000 veta mbushën plot e përplot auditorin dhe po aq të tjerë duhej të largoheshin se s’kishte më vend. Disa dëgjues kureshtarë mbaheshin pas shkallëve prej litari në muret e palestrës, kurse të tjerë ishin ulur mbi veglat e ushtrimeve.

Jo gjithçka shkoi vaj. Kundërshtarët bërtitnin e thyenin karrige. Por vëlla Radhërfordi mbajti vetëkontrollin me dinjitet dhe qetë-qetë hipi mbi një tavolinë që ta dëgjonin të gjithë. Pasi mbaroi, aty nga mesnata, mbi 1.200 të interesuar lanë emrat dhe adresat që të merrnin literaturë biblike. Menjëherë të nesërmen, gazeta O Século botoi një artikull për fjalimin e vëlla Radhërfordit.

Në shtator të vitit 1925, në Portugali nisi të botohej Kulla e Rojës në gjuhën portugeze. (Më herët, botimi i saj në gjuhën portugeze kishte dalë në Brazil.) Rreth asaj kohe, Verzhilio Fergusoni, një Student i Biblës në Brazil, filloi të bënte plane për t’u transferuar në Portugali që të ndihmonte në veprën e Mbretërisë. Më parë, ai kishte bashkëpunuar me vëlla Jangun në degën e vogël të Studentëve të Biblës në Brazil. Pa kaluar shumë, Verzhilio nisi lundrimin me gruan e tij Lizin, që të bashkohej sërish me vëlla Jangun. Vëlla Fergusoni mbërriti në kohën e duhur, sepse shumë shpejt vëlla Jangu do të shkonte në caktime të tjera predikimi, ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik.

Lejeqëndrimi për Lizi dhe Verzhilio Fergusonin, 1928

Kur në Portugali u vendos diktatura pas një grushti ushtarak, kundërshtimi u shtua. Vëlla Fergusoni qëndroi i palëkundur dhe mori masa që ta mbronte grupin e vogël të Studentëve të Biblës e t’i jepte shtysë veprës së tyre. Ai kërkoi leje që të përdorte shtëpinë e tij për të mbajtur mbledhje rregullisht. Në tetor të 1927-s ia dhanë lejen.

Gjatë vitit të parë të diktaturës, rreth 450 veta në Portugali u abonuan në revistën Kulla e Rojës. Gjithashtu, falë fletushkave e broshurave, fjala e së vërtetës u përhap deri në skajet më të largëta të Perandorisë Portugeze​—në Angolë, Azore, Goa, Kepin e Gjelbërt, Madeirë, Mozambik dhe në Timorin Lindor.

Në fund të viteve 20, një kopshtar i thjeshtë portugez, Manuel da Silva Zhordau, shkoi në Lisbonë. Kur jetonte në Brazil, kishte dëgjuar një fjalim publik nga vëlla Jangu. E kishte dalluar menjëherë tingullin e së vërtetës dhe dëshironte me zjarr të ndihmonte vëlla Fergusonin për të zgjeruar veprën e predikimit. Prandaj Manueli nisi të shërbente si përhapës, siç quheshin atëherë pionierët. Tani që shtypja dhe shpërndarja e literaturës biblike ishte e mirorganizuar, kongregacioni i sapoformuar në Lisbonë po lulëzonte!

Më 1934, vëllai dhe motra Ferguson duhej të ktheheshin në Brazil. Megjithatë, farat e së vërtetës ishin mbjellë tashmë. Mes trazirave në Evropë gjatë Luftës Civile të Spanjës dhe Luftës II Botërore, grupi i vëllezërve besnikë në Portugali arritën të mbanin integritetin ndaj Jehovait. Për njëfarë kohe, ata dukeshin thjesht si thëngjij të ndezur, por në vitin 1947 zjarri i tyre, si të thuash, u rindez kur shkoi atje misionari i parë i stërvitur në Galaad, Xhon Kuk. Pas kësaj, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë u rrit pa u ndalur. Madje edhe kur qeveria ndaloi veprën e Dëshmitarëve të Jehovait më 1962, rritja vazhdoi. Në dhjetor të 1974-s kur vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u njoh ligjërisht, në vend ishin më shumë se 13.000 lajmëtarë.

Sot, mbi 50.000 lajmëtarë predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në Portugali dhe në disa ishuj ku flitet gjuha portugeze, si në Azore dhe në Madeirë. Mes këtyre lajmëtarëve ka pasardhës të brezit të tretë të disa prej të pranishmëve në fjalimin historik të vëlla Radhërfordit më 1925.

Falënderojmë Jehovain dhe ata vëllezër e motra të parë besnikë që me guxim ishin në ballë të veprës si ‘shërbëtorë publikë të Krishtit Jezu për kombet’.​—Rom. 15:15, 16.​—Nga arkivat tanë në Portugali.

^ par. 3 Shih artikullin «Ka akoma punë në korrje» në Kullën e Rojës të 15 majit 2014, f. 31-32.