Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Peshku-papagall—Fabrikues rëre?

Peshku-papagall—Fabrikues rëre?

RËRA formohet nga shumë agjentë në natyrë. Por mund të habiteni kur të mësoni se një prej tyre është peshku-papagall, i cili i bluan koralet dhe i kthen në rërë të imët.

Peshku-papagall jeton në ujëra tropikale anembanë botës. Pasi mbllaçit gjithë zhurmë copa koralesh, një pjesë e gëlltit dhe pjesën tjetër e nxjerr në formë rëre. Për këtë përdor nofullat e fuqishme si sqep dhe dhëmbët e pasmë të fortë. Disa lloje të peshkut-papagall jetojnë deri 20 vjet dhe nuk u konsumohen fare dhëmbët.

Në disa zona peshku-papagall prodhon më tepër rërë se çdo agjent tjetër në natyrë. Sipas disa studiuesve, një peshk-papagall i zakonshëm prodhon rreth 100 kilogramë rërë në vit.

Peshku-papagall zeshkan

Ai bën edhe një gjë tjetër mjaft të dobishme. Pastron koralet duke ngrënë koralet e ngordhura, të veshura me alga e leshterikë. Domethënë me anë të dietës së çuditshme, peshku-papagall mirëmban shkëmbinjtë koralorë. Falë gjallesave barngrënëse, koralet nuk mbyten nga algat dhe leshterikët. Libri Reef Life shpjegon: «Disa mendojnë se, po të mos ishte për gjallesat barngrënëse, koralet nuk do të ishin kaq të bukura.»

Pas gjithë kësaj pune gjatë ditës, i duhet të pushojë mirë natën. Edhe për këtë bën diçka të pazakontë. Në shkëmbinjtë koralorë nata është e rrezikshme, pasi ka shumë grabitqarë. Peshku-papagall zakonisht fle i fshehur në guva shkëmbore, por ndonjëherë kjo nuk i mjafton për t’u mbrojtur nga peshkaqenët e uritur. Prandaj, disa peshq-papagaj gjatë natës mbështillen me një «batanije» transparente që e thurin me anë të mukozës. Shkencëtarët e botës nënujore besojnë se kjo mbështjellë kutërbuese mban larg grabitqarët.

Peshku-papagall është një nga peshqit më të bukur e që bie më tepër në sy mes koraleve. Mashkulli e femra shpesh shpalosin gjithë paletën e ngjyrave të forta, që ndryshojnë ndërsa rriten. Më e bukura është se në zonat ku nuk peshkohet pa kriter, ata nuk tremben nga njeriu dhe mund t’u afrohesh pa problem.

Një nga përvojat më të paharrueshme për ata që eksplorojnë koralet, është kur vëzhgojnë e dëgjojnë peshkun-papagall ndërsa mbllaçit korale. Ndërsa bën paradë gjithë finesë, ai mban habitatin të pastër që ta shijojnë njerëzit dhe gjallesat e tjera ujore.