Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fundi i botës mund të mos të jetë siç e mendoni

Fundi i botës mund të mos të jetë siç e mendoni

SITUATAT imagjinare që përmendëm më parë, përveçse krejt pesimiste, kanë tri të përbashkëta. Së pari, bazohen në spekulime njerëzore, dhe njerëzit nuk shquhen për saktësi kur bëhet fjalë për parashikimin e së ardhmes. Së dyti, mbijetesa e njerëzve, nëse do të shpëtonin, do të ishte çështje rastësie. Së treti, për ata që do të mbeteshin gjallë, do të ishte luftë e vërtetë mbijetesa.

Kurse Bibla paraqet një tablo më të arsyeshme për të ardhmen. Sipas saj, është e sigurt se po afron një ndryshim i madh. Por garanton se do të mbijetojnë të gjithë ata që bëjnë vullnetin e Perëndisë. Për më tepër, Bibla nuk parathotë se toka do të shpërthejë e do të bëhet hi e as do të ngrijë e të kthehet në kub akulli. Ajo do të kthehet në një parajsë globale.

Megjithatë, shumë veta nuk arrijnë t’i pranojnë këto parashikime të Biblës. Skeptikët i konsiderojnë thjesht fantazi mësimet biblike për një shtrëngim të madh, për Harmagedonin, për një mijëvjeçar dhe për Parajsën. Ato janë stërdiskutuar, debatuar dhe interpretuar nga teologët. Teoritë e tyre konkurrojnë dhe bien ndesh me njëra-tjetrën. Për kohën kur do të vijë fundi, shkrimtari Brus A. Robinson pohon: «Ndoshta për këtë temë janë shkruar tekste teologjike të mjegullta më tepër se për çdo bindje tjetër të krishterimit.» Me ç’rezultat? Veçse pështjellim.

Por Shkrimet nuk janë të mjegullta. Bibla është mesazhi i Perëndisë dhe Ai nuk do që të jemi të paqartë për atë që rezervon e ardhmja. Le të shohim disa pyetje që bëhen shpesh, si dhe çfarë thotë vetë Bibla. Nëse doni të dini më shumë, mund të kërkoni librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

 A do të shkatërrohet toka dhe raca njerëzore?

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​—Psalmi 37:29.

A do të ketë të vdekur?

«Vetëm të drejtët do të banojnë në tokë dhe të paqortueshmit do të mbeten në të. Kurse të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»​—Proverbat 2:21, 22.

A i ka ndëshkuar Perëndia njerëzit e paperëndishëm në të kaluarën?

Perëndia «nuk ia kurseu ndëshkimin një bote të lashtë, por Noenë, një predikues të drejtësisë, e ruajti bashkë me shtatë të tjerë, kur solli një përmbytje mbi një botë me njerëz të paperëndishëm. Ai i bëri hi qytetet e Sodomës dhe të Gomorrës dhe i dënoi, duke u lënë njerëzve të paperëndishëm një model të gjërave që do të vijnë».​—2 Pjetrit 2:5, 6.

A mund ta dimë datën se kur do të vijë gjykimi i Perëndisë?

«Atë ditë dhe atë orë s’e di askush, as engjëjt e qiejve, as Biri, por vetëm Ati. Sepse ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut. Ashtu si njerëzit në ato ditë përpara përmbytjes, hanin e pinin dhe burrat e gratë martoheshin, deri ditën që Noeja hyri në arkë, dhe nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë, kështu do të jetë prania e Birit të njeriut.»​—Mateu 24:36-39.

A ka prova se fundi do të vijë së shpejti?

«Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.»​—2 Timoteut 3:1-5.

Çfarë rezervon e ardhmja për njerëzimin?

Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan».​—Zbulesa 21:4.

Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre».

Megjithëse japin veçse një ide të asaj që do të sjellë e ardhmja, Shkrimet na sigurojnë se njerëzimi nuk është i pashpresë. E ardhmja do të jetë aq e lavdishme sa nuk arrijmë ta konceptojmë dot. Të jeni të sigurt për këtë dhe kini besim se Perëndia Jehova është në gjendje t’i mbajë premtimet që ka dhënë.