Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Gjeta zgjidhjen e padrejtësive

Gjeta zgjidhjen e padrejtësive

Gjeta zgjidhjen e padrejtësive

Treguar nga Ursula Meneja

Me sa mbaj mend, gjithmonë kam pasur një dëshirë të zjarrtë që të gjithë njerëzit të trajtohen me drejtësi. Nga kjo dëshirë përfundova në një burg në Gjermaninë Lindore komuniste. Dhe çuditërisht atje gjeta cila është zgjidhja për padrejtësitë. Ja si ndodhi.

LINDA në vitin 1922 në qytetin gjerman të Halles, i cili ka një histori më shumë se 1.200-vjeçare. Ky qytet, që ndodhet rreth 200 kilometra në jugperëndim të Berlinit, ishte një nga qendrat më të hershme të protestantizmit. Motra ime, Kati, lindi në vitin 1923. Babai shërbente në ushtri, kurse mamaja këndonte në teatër.

Dëshirën e fortë për të ndrequr padrejtësitë e kam trashëguar nga babai. Kur u largua nga ushtria, ai bleu një dyqan. Ngaqë shumica e klientëve të tij ishin të varfër, nga dhembshuria, ai u jepte mallra edhe pse nuk kishin mundësi të paguanin menjëherë. Megjithatë, ky gjest fisnik e çoi në falimentim. Duhet të kisha mësuar nga përvoja e babait se të luftosh pabarazinë e padrejtësinë, ishte më e vështirë dhe më e komplikuar nga ç’dukej. Por idealizmi rinor është një zjarr i vështirë për t’u shuar.

Nga mamaja kam trashëguar talentin artistik dhe ishte ajo që më futi mua dhe Katin në botën e muzikës, këngës dhe baletit. Isha shumë e gjallë si fëmijë dhe bashkë me Katin bënim një jetë fantastike, por kjo zgjati deri në vitin 1939.

Fillon makthi

Pasi mora arsimimin bazë, ndoqa shkollën e baletit ku mësova edhe Ausdruckstanz (balet ekspresiv) nga Meri Vigmani. Ajo ishte pioniere e baletit ekspresionist, një lloj baleti ku artisti shpreh ndjenjat e tij me anë të kërcimit. Fillova edhe të pikturoja. Pra, vitet e para të adoleshencës ishin të lumtura dhe plot mësime e emocione. Por pastaj erdhi viti 1939 dhe Lufta II Botërore. Një goditje tjetër ishte vdekja e babait nga tuberkulozi në vitin 1941.

Lufta është makth. Edhe pse isha vetëm 17 vjeçe kur filloi lufta, për mua bota ishte çmendur. Shihja turma njerëzish, dikur normalë, t’i kaplonte histeria e nazizmit. Pastaj erdhën mjerimi, vdekja dhe shkatërrimi. Shtëpia jonë u dëmtua keq nga një bombardim dhe gjatë luftës disa nga të afërmit e mi u vranë.

Kur lufta mbaroi në vitin 1945, bashkë me mamanë dhe Katin ishim ende në Halle. Në këtë kohë, isha e martuar dhe kisha një vajzë të vogël, por unë dhe burri kishim një marrëdhënie të tensionuar. U ndamë dhe ngaqë duhej të mbaja veten e vajzën, punoja si balerinë e piktore.

Gjermania e pasluftës u nda në katër pjesë dhe qyteti ynë ndodhej në atë pjesë që ishte nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Kështu që të gjithë duhej të mësoheshim me regjimin komunist. Në vitin 1949, pjesa e Gjermanisë ku jetonim ne, e cila shpesh quhej Gjermania Lindore, mori emrin Republika Demokratike Gjermane (RDGJ).

Jeta nën regjimin komunist

Në ato vite, mamaja u sëmur dhe më duhej të kujdesesha për të. Fillova të punoja në zyrë për qeverinë vendore. Ndërkohë, takova disa studentë disidentë të cilët përpiqeshin të drejtonin vëmendjen te disa padrejtësi të asaj kohe. Për shembull, një djali iu hoq e drejta për të ndjekur universitetin ngaqë i ati kishte qenë anëtar i partisë naziste. E njihja mirë atë student, sepse edhe ai merrej me muzikë. Mendoja: «Pse duhej të vuante për atë që kishte bërë i ati?» Bashkëpunova më shumë me disidentët dhe vendosa të merrja pjesë në demonstrata. Madje një herë, ngjita trakte anash shkallëve të jashtme të gjykatës lokale.

Për shkak të ndjenjës sime të drejtësisë, u trazova më shumë kur si sekretare e Komitetit Rajonal të Paqes më duhej të shtypja në makinë shkrimi disa letra. Në një rast, për arsye politike, Komiteti planifikoi t’i dërgonte materiale propagandistike komuniste një të moshuari që jetonte në Gjermaninë Perëndimore, që të ngrinin dyshime kundër tij. U indinjova kaq shumë nga kjo padrejtësi, sa i fsheha materialet në zyrën time. Si rezultat, ato nuk u dërguan kurrë.

«Personi më i keq në fjetore» më dha shpresë

Në qershor të vitit 1951, dy burra hynë në zyrën time dhe më thanë: «Je e arrestuar.» Më çuan në burgun që quhej Roter Okse ose Kau i Kuq. Një vit më vonë më akuzuan për veprimtari kundër regjimit. Një student më kishte spiunuar te Stasi, policia sekrete, duke u treguar për traktet që kisha shpërndarë më parë në shenjë proteste. Gjyqi ishte një farsë, sepse askush nuk u vuri veshin fjalëve që thashë në mbrojtjen time. Më dënuan me gjashtë vjet burg. Gjatë asaj kohe u sëmura dhe më dërguan në fjetoren e spitalit të burgut ku ishin rreth 40 gra të tjera. Më zuri paniku kur pashë gjithë ata njerëz thellësisht të trishtuar. U turra drejt derës e i gjuajta me grushta.

«Çfarë do?»​—më pyeti roja.

«Duhet të dal që këtu,—bërtita.—Më fut në izolim po deshe, vetëm më nxirr që këtu.» Sigurisht që nuk e dëgjoi kërkesën time. Pak pas kësaj, vura re një grua që ishte ndryshe nga të tjerat. Sytë e saj pasqyronin një qetësi të brendshme, prandaj iu ula pranë.

Për habinë time, ajo tha: «Bën mirë të kesh kujdes nëse ulesh pranë meje.» Pastaj shtoi: «Të tjerët mendojnë se jam personi më i keq në fjetore, sepse jam Dëshmitare e Jehovait.»

Atëherë nuk e dija se Dëshmitarët e Jehovait konsideroheshin si armiq të shtetit komunist. Por ajo që dija, ishte se dy Studentë të Biblës (siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) e vizitonin babanë rregullisht kur isha e vogël. Në fakt, kujtoj babanë që thoshte: «Studentët e Biblës thonë të vërtetën.»

Qava nga lehtësimi që kisha takuar këtë grua të dashur që quhej Berta Brygemajër. «Të lutem, më trego për Jehovain»,—i thashë. Që nga ai moment, kalonim shumë kohë së bashku dhe flisnim për Biblën. Ndër të tjera, mësova se Perëndia i vërtetë, Jehovai, është Perëndi i dashurisë, i drejtësisë dhe i paqes. Gjithashtu, mësova se ai do të zhbëjë të gjitha dëmet që kanë shkaktuar njerëzit e ligj e tiranë. Te Psalmi 37:10, 11 thuhet: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më . . . Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»

Dal nga burgu dhe arratisem për në Perëndim

Dola nga burgu në vitin 1956, pasi kisha kaluar pesë vjet atje. Pesë ditë pasi u lirova, u arratisa nga RDGJ-ja për të jetuar në Gjermaninë Perëndimore. Në atë kohë kisha dy vajza, Haneloren dhe Sabinën, të cilat i mora me vete. Atje u divorcova nga burri dhe takova përsëri Dëshmitarët. Ndërsa studioja Biblën, kuptova se duhej të bëja disa ndryshime që ta përputhja jetën me standardet e Jehovait. I bëra këto ndryshime dhe u pagëzova në vitin 1958.

Më vonë, u martova përsëri, por kësaj here me një Dëshmitar të Jehovait, Klaus Menen. Bashkë ia kaluam shumë mirë dhe patëm dy fëmijë, Benxhaminin dhe Tabinë. Mjerisht, Klausi vdiq në një aksident rreth 20 vjet më parë dhe që atëherë kam mbetur e ve. Por më ngushëllon shumë shpresa e ringjalljes, shpresa se të vdekurit do të vijnë në jetë në parajsën në tokë. (Luka 23:43; Veprat 24:15) Më ngushëllon mjaft edhe fakti që të katër fëmijët e mi i shërbejnë Jehovait.

Falë studimit të Biblës, kam mësuar se vetëm Jehovai mund të sjellë drejtësi të vërtetë. Ndryshe nga njerëzit, Ai merr parasysh të gjitha rrethanat dhe formimin tonë, hollësi këto që njerëzit nuk i shohin dot. Kjo njohuri e çmuar më jep paqe edhe tani, sidomos kur shoh ose kur më bëhen padrejtësi. Tek Eklisiastiu 5:8 thuhet: «Nëse sheh në ndonjë provincë se të vobektit shtypen dhe se u mohohet gjykimi e drejtësia, mos u habit nga kjo, sepse çdo zyrtar ka një më të lartë mbi krye dhe më i larti i vëzhgon vazhdimisht ata të gjithë.» (The Revised English Bible) Sigurisht, «më i larti» është Krijuesi ynë. «Të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari»,—thuhet te Hebrenjve 4:13.

Kur mendoj për afro 90 vitet e jetës sime

Ndonjëherë të tjerët më pyesin se si ishte jeta nën regjimin nazist dhe atë komunist. Ishte e vështirë në të dyja këto regjime. Dhe këto forma qeverisjeje thjesht vërtetuan se njerëzimi nuk mund të vetëqeveriset, ashtu si kanë treguar edhe të gjitha format e tjera të qeverisjes njerëzore. Bibla e thotë hapur këtë të vërtetë: «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»—Eklisiastiu 8:9.

Kur isha e re dhe naive, e kërkoja nga njerëzit sundimin e drejtë. Tani e di se kjo s’është e mundur. Vetëm Krijuesi ynë mund të sjellë një botë vërtet të drejtë dhe këtë ai do ta bëjë së shpejti duke shfarosur të gjithë të ligjtë dhe duke vënë si sundimtar mbi tokë Birin e tij, Jezu Krishtin, i cili ka vendosur gjithnjë interesat e të tjerëve para të tijave. Në lidhje me Jezuin, Bibla thotë: «Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë.» (Hebrenjve 1:9) I jam kaq mirënjohëse Perëndisë që më bëri të njoh këtë Mbret të mrekullueshëm e të drejtë, nën sundimin e të cilit shpresoj të jetoj përgjithmonë.

[Figura në faqen 23]

Me vajzat e mia, Haneloren dhe Sabinën, pasi erdhëm në Gjermaninë Perëndimore

[Figura në faqen 23]

Sot, me djalin tim, Benxhaminin, dhe gruan e tij, Sandrën