Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cila pikëpamje është më e arsyeshme?

Cila pikëpamje është më e arsyeshme?

Cila pikëpamje është më e arsyeshme?

ASNJË njeri nuk e ka parë fillimin e jetës në tokë. Dhe asnjë njeri nuk ka parë evoluimin e një lloji në një lloj tjetër, për shembull evoluimin e një zvarraniku në një gjitar. * Prandaj, për të arritur në një përfundim për origjinën e jetës duhet të mbështetemi në provat që kemi. Dhe duhet t’i lëmë provat që të flasin vetë e jo t’i detyrojmë të thonë atë që duam ne.

Megjithatë, mjaft ateistë, e shohin shkencën me syrin e materializmit, një filozofi që beson plotësisht se shkaqet e origjinës së jetës janë një qind për qind materiale. ‘Kemi një detyrim kryesor: t’i qëndrojmë besnik materializmit’,—shkroi evolucionisti Riçard C. Leuontin. Ai shtoi: «Materializmi është [shpjegimi] absolut, sepse nuk mund të lejojmë që të na shkelë në derë një këmbë hyjnore.» Pra, materialistët përqafojnë të vetmen alternativë që kanë: evolucionin.

Edhe njerëzit fetarë kanë paragjykime që shtrembërojnë pikëpamjen e tyre ndaj shkencës. Për shembull, siç e thamë më parë, disa kreacionistë nuk heqin dorë nga ideja e gabuar se Perëndia e formoi botën në gjashtë ditë të mirëfillta disa mijëra vjet më parë. Ngaqë i qëndrojnë besnikë kësaj ideje, përpiqen t’i detyrojnë provat që të mbështetin interpretimet fjalë për fjalë që i bëjnë Biblës. (Shih kutinë  «Sa e gjatë është një ‘ditë’?» në faqen 9.) Ata që bazohen në interpretime të tilla ekstreme për Biblën dhe shkencën, mbeten pa përgjigje të kënaqshme kur përpiqen të gjejnë prova për besimin e tyre.

Cilën pikëpamje mbështetin të gjitha faktet?

Për sa i përket origjinës së molekulave komplekse që përbëjnë gjallesat, disa evolucionistë besojnë idetë e mëposhtme:

1. Elemente kyç, në njëfarë mënyre, u kombinuan për të formuar molekulat bazë.

2. Këto molekula pastaj u lidhën pikërisht sipas renditjes që duhej për të formuar ADN-në, ARN-në ose proteina me aftësinë për të ruajtur informacionet e nevojshme për të kryer funksionet themelore që mbështetin jetën.

3. Molekulat, në njëfarë mënyre, formuan vargjet specifike që nevojiteshin për t’u dyfishuar. Pa dyfishim, nuk mund të ketë as evolucion e as jetë.

Si arritën molekulat e nevojshme për jetën të formonin dhe të përvetësonin aftësitë e tyre mahnitëse pa një projektues inteligjent? Kërkimet mbi evolucionin nuk kanë arritur të sigurojnë prova të mjaftueshme ose përgjigje bindëse për origjinën e jetës. Në fakt, ata që e mohojnë ndërhyrjen e qëllimshme të një Krijuesi, u veshin molekulave pa mend dhe forcave natyrore fuqitë e një perëndie.

Po çfarë tregojnë faktet? Provat ekzistuese tregojnë se molekulat nuk zhvillohen në forma jete komplekse, por është e kundërta: ligjet e fizikës tregojnë se gjërat komplekse, si makinat, shtëpitë e madje edhe qelizat, me kalimin e kohës prishen. * Megjithatë, evolucionistët thonë se mund të ndodhë e kundërta. Për shembull, libri Evolution for Dummies thotë se evolucioni ndodhi ngaqë toka «merr shumë energji nga dielli dhe kjo energji bën të mundur rritjen e kompleksitetit».

Sigurisht, nevojitet energji për të krijuar diçka komplekse, për shembull, për t’i vendosur tullat, dërrasat dhe gozhdët në një mënyrë që të ndërtohet një shtëpi. Megjithatë, kjo energji, duhet kontrolluar me kujdes dhe duhet përdorur me saktësi sepse energjia e pakontrolluar ka më tepër të ngjarë të përshpejtojë prishjen, pikërisht si energjia diellore dhe kushtet atmosferike mund të përshpejtojnë prishjen e një ndërtese. * Ata që besojnë tek evolucioni nuk mund të japin një shpjegim bindës se si kontrollohet energjia në mënyrë që të krijojë.

Nga ana tjetër, kur e shohim jetën dhe universin si vepër të një Krijuesi të mençur që zotëron ‘energji dinamike’, mund të shpjegojmë jo vetëm kompleksitetin e sistemeve të informacionit të jetës, por edhe forcat e kombinuara në mënyrë të shkëlqyer që drejtojnë vetë materien, që nga galaktikat e stërmëdha e deri tek atomet mikroskopike. *Isaia 40:26.

Besimi se ka një Krijues, përputhet edhe me pikëpamjen e pranuar gjerësisht tani se universi fizik ka pasur një fillesë. «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën»,—thuhet te Zanafilla 1:1.

Zakonisht, zbulimet e reja e bëjnë filozofinë e materializmit gjithnjë e më të vështirë për ta mbrojtur, dhe ky është një fakt që i ka shtyrë disa ateistë të rishqyrtojnë pikëpamjet e tyre. * Po, disa që më parë kanë qenë ateistë, kanë arritur në përfundimin se mrekullitë e universit janë prova të dukshme të ‘cilësive të padukshme’ dhe të ‘fuqisë së përjetshme’ të Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova. (Romakëve 1:20) A do të doje ta shqyrtoje më tej këtë çështje? Asnjë çështje tjetër nuk do të kishte më shumë rëndësi dhe ndikim më të madh. *

[Shënimet]

^ par. 2 Megjithëse besonte jashtë mase tek evolucioni, biologu Ernst Majër pranoi se «në dëshmitë fosile ka boshllëqe», domethënë se lloje të reja organizmash shfaqen papritur.

^ par. 11 Kjo prishje vjen si rezultat i asaj që shkencëtarët e quajnë ligji i dytë i termodinamikës. E thënë thjesht, ky ligj thotë se prirja e natyrshme është që rregulli të kthehet në çrregullim.

^ par. 12 ADN-ja mund të ndryshohet nga mutacionet, që mund të shkaktohen nga gjëra të tilla si rrezatimi dhe disa substanca kimike. Por kjo nuk çon në formimin e llojeve të reja.​—Shih artikullin «A është evolucioni një fakt?» në revistën Zgjohuni! të shtatorit 2006.

^ par. 13 Shih librin A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 15 Shih artikullin «U rrita si ateist» në revistën Zgjohuni! të nëntorit 2010.

^ par. 15 Për më shumë informacion mbi çështjen e krijimit dhe të evolucionit, të lutemi shih broshurën A u krijua jeta? dhe Origjina e jetës: Pesë pyetje që ia vlen t’i bësh, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia në faqen 8]

A PO EVOLUON APO PO DEGRADON NJERIU?

Disa shkencëtarë po shprehin shqetësimin e tyre të madh se gjenomi i njeriut në të vërtetë po degradon si rezultat i mutacioneve ose i papërsosmërive të grumbulluara. Nëse është e vërtetë, kjo do të hidhte poshtë pikëpamjen se po evoluojmë ose po përmirësohemi. Por nëse e ka krijuar Perëndia gjenomin e njeriut, pse ka të meta? Bibla na thotë atë që nuk na e thotë dot shkenca, që papërsosmëria njerëzore vjen nga mëkati ose mosbindja ndaj Perëndisë. «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit»,​—thuhet te Romakëve 5:12. Prandaj, fakti që gjenomi po degradon hedh poshtë evolucionin dhe mbështet Biblën. A do të thotë kjo se gjenomi do të vazhdojë të degradojë pafundësisht? Jo! Perëndia ka premtuar se do të ndërhyjë në çështjet njerëzore dhe do të zhbëjë gjithë dëmin e shkaktuar nga prindërit tanë të parë. Po, gjenomin tonë do ta përsosë Krijuesi ynë dhe jo evolucioni pa mend.—​Zbulesa 21:3, 4.

[Kutia në faqen 9]

 SA E GJATË ËSHTË NJË «DITË»?

Në Bibël, fjala «ditë» i referohet periudhave të ndryshme kohore. Për shembull, te Zanafilla 2:4, gjithë periudha e krijimit prej gjashtë «ditësh» cilësohet si ‘dita që Perëndia Jehova bëri tokën dhe qiellin’. Me sa duket, çdo ditë zgjaste një periudhë kohore të konsiderueshme. Është interesante se, megjithëse Bibla përmend në mënyrë specifike fundin e secilës prej gjashtë «ditëve» të para, ajo nuk e përmend fare fundin e ditës së shtatë. Pse? Sepse ajo ditë vazhdon ende.—Zanafilla 2:3; Hebrenjve 4:4-6, 11.

[Figura në faqen 8]

Nëse nuk mirëmbahen, gjërat kanë prirjen të prishen

[Figura në faqet 8, 9]

Fuqia e Perëndisë dhe cilësitë e tij të tjera duken në univers