Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ura që vazhdoi të rindërtohej

Ura që vazhdoi të rindërtohej

Ura që vazhdoi të rindërtohej

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BULLGARI

SHALUAR mbi lumin Osam, në veri të pjesës qendrore të Bullgarisë, ndodhet ura e mbuluar e Loveçit. Ashtu si njerëzit që e përdorin, kjo strukturë mahnitëse ka një histori interesante.

Një nga të parët që e bëri të njohur urën ishte gjeologu austriak, Ami Buá, që e vizitoi Loveçin gjatë gjysmës së parë të shekullit të 19-të. Ai shkroi për një «urë guri, të mbuluar dhe të zbukuruar me dyqane të vogla». Po, kjo urë unike ishte pjesë e sistemit të transportit të Loveçit, që lidhte dy pjesët e qytetit dhe shërbente edhe si treg. Si e tillë ura ishte një objekt historik i qytetit.

Në fillim ura e mbuluar e Loveçit nuk u ndërtua me gurë, por me drurë. Por, gjatë viteve, ajo u dëmtua nga vërshimet e lumit dhe u desh të rindërtohej. Së fundi, në vitin 1872, urën e mori lumi, duke i lënë banorët e qytetit pa këtë lidhje jetësore.

Rindërtimi i urës nuk do të ishte një punë e lehtë. Prandaj, punësuan ndërtuesin e famshëm, Kolju Fiçeton, që të projektonte dhe të ndërtonte një urë të re e më të fortë.

Projekt novator

Fiçeto vendosi të ruante konceptin fillestar dhe të projektonte një urë të mbuluar me dyqane të vogla mbi të. Për të mbajtur urën 84 metra të gjatë dhe 10 metra të gjerë, ai shtoi këmbë eliptike. Këto këmbë 5 metra të larta, faqet e ngushta të të cilave ishin drejtuar kundër rrymës, përbënin një veçori të re. Nga mesi i këmbëve të urës e deri pranë skajit të sipërm të tyre kishte të çara për të lejuar kalimin e ujërave gjatë vërshimeve të lumit. Sipër këmbëve të urës Fiçeto shtroi trarë dhe dërrasa lisi. Pjesa tjetër e urës, përfshirë edhe 64 dyqanet në të dyja anët e saj, u bënë me dru ahu. Edhe çatia ishte prej ahu dhe e mbuluar me llamarinë.

Një veçori tjetër interesante e projektit të Fiçetos është se ai parapëlqeu t’i bashkonte trarët mbështetës me kunja dhe kllapa druri, në vend se me bërryla hekuri ose gozhdë të farkëtuara. Rruga përfundoi duke e shtruar me gurë bazamentin prej druri të urës dhe më pas duke e mbuluar me zhavorr. Gjatë ditës, dritaret e vogla anësore dhe baxhat në çati lejonin të depërtonte drita. Gjatë mbrëmjes ndizeshin fenerët me gaz. Për projektimin dhe ndërtimin e urës së re u deshën rreth tre vjet [1].

Jeta mbi urë

Si ishte jeta mbi urë? Vëreni përshkrimin e një dëshmitari okular: «Zërat e shitësve, kalimtarëve dhe të të tjerëve, që rrallë i shqetësonte ndonjë makinë, karrocë ose gomar i ngarkuar që kalonte, përziheshin me zhurmën e teneqepunuesve . . . dhe thirrjet e tregtarëve, që i ofronin mallrat me zë të lartë. Ura kishte jetën e saj të brendshme. Dyqanet e shumta të vogla e plot ngjyra, të mbushura deri në tavan me punime leshi të thurur, rruaza dhe mallra të ndryshme, kishin ritmin dhe traditat e tyre.»

Përveçse për të bërë pazar, njerëzit mblidheshin mbi urën e mbuluar edhe për t’u zbavitur, pasi shumë shitës ishin edhe muzikantë. Dëshmitari okular i përmendur më sipër thoshte më tej: «Në berberhane kishte pesë ose gjashtë berberë, të cilët ishin edhe muzikantë të aftë që u binin kryesisht veglave me tela. Shpesh ata gjenin ca kohë për t’u rënë atyre dhe klientët pritnin të kënaqur derisa të mbaronin.» Pas Luftës së Parë Botërore, disa berberë u bënë themeluesit e së ashtuquajturës Orkestra e Berberit.

Ndodh një tragjedi

Për gjysmë shekulli ura e mbuluar e Fiçetos u rezistoi vërshimeve të lumit, luftërave dhe vështirësive të tjera. Por natën e 2-3 gushtit 1925 flakë të stërmëdha ndriçuan qiellin e Loveçit ndërsa ura piktoreske e qytetit mori flakë dhe u bë hi. Si ndodhi kjo? Edhe sot e kësaj dite askush nuk është i sigurt nëse zjarri ndodhi nga pakujdesia apo u vu qëllimisht. Sido që të ketë qenë, Loveçi ishte përsëri pa një urë që të lidhte brigjet e lumit.

Në vitin 1931 përfundoi një urë e re e mbuluar me dyqane dhe punishte të vogla buzë saj [2]. Por në vend që ta bënte urën prej druri dhe guri, ndërtuesi i ri përdori çelik e beton. Projekti i përgjithshëm ishte shumë i ndryshëm nga ai i Fiçetos. Çatia ishte prej xhami dhe pjesa në qendër nuk kishte mure të jashtme. Në vitin 1981-1982 ura u rindërtua sipas projektit fillestar të Kolju Fiçetos [3].

Ura e mbuluar e Loveçit është një simbol i këtij qyteti dhe një arritje e një ndërtuesi të aftë. Sot ajo vazhdon të tërheqë interesin e vendasve dhe të vizitorëve ndërsa ecin mbi këtë urë me dyqane.

[Harta në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

BULLGARI

SOFJE

Loveç

[Burimi i figurës në faqen 23]

Fotografia 2: Nga libri Loveçi dhe rrethinat e tij, bullgarisht