Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të thotë që burri të jetë kreu i gruas?

Çfarë do të thotë që burri të jetë kreu i gruas?

Pikëpamja e Biblës

Çfarë do të thotë që burri të jetë kreu i gruas?

NË SHUMË vende është traditë që në ceremoninë e martesës çifti të thotë betimet. Nusja premton se do t’i bindet të shoqit. Megjithatë, shumë gra i bezdis ideja që burri të jetë kreu. Le të shqyrtojmë çfarë thotë Bibla për këtë. Do të shihni se pikëpamja e Biblës është e arsyeshme dhe praktike.

Pikëpamja e Perëndisë për kryesinë

Tek Efesianëve 5:22-24 tregohet çfarë thotë në thelb Bibla për kryesinë. Aty thuhet: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit. . . . Po, ashtu si kongregacioni është i nënshtruar ndaj Krishtit, ashtu të jenë edhe gratë ndaj burrave të tyre në gjithçka.» Si «kreu i gruas», burri duhet të drejtojë familjen, kurse gruaja duhet të ndjekë drejtimin e tij dhe të respektojë autoritetin e bashkëshortit.​—Efesianëve 5:33.

Autoriteti i burrit është i kufizuar, sepse edhe ai i nënshtrohet Perëndisë dhe Krishtit. Atij nuk i është dhënë e drejta t’i kërkojë gruas të shkelë ligjet e Perëndisë ose ndërgjegjen e saj të stërvitur sipas Biblës. Gjithsesi, brenda këtyre kufijve, Perëndia i ka dhënë atij përgjegjësinë të marrë vendime të rëndësishme për familjen.​—Romakëve 7:2; 1 Korintasve 11:3.

Bibla e urdhëron burrin ta ushtrojë autoritetin pa egoizëm, duke mos menduar vetëm për veten, por në radhë të parë për të mirën e gruas. Tek Efesianëve 5:25 thuhet: «Burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja, ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin dhe dorëzoi veten për të.» Burri që ndjek shembullin e shkëlqyer të dashurisë që tregoi Krishti, nuk sheh vetëm interesin e vet kur ushtron autoritetin.

Gjithashtu, Bibla e udhëzon burrin të banojë me gruan «sipas njohurisë». (1 Pjetrit 3:7) Kjo nuk do të thotë që vetëm të dijë cilat janë ndryshimet fizike dhe emocionale midis burrave dhe grave, por edhe të arrijë të kuptojë nevojat e gruas.

«Ajo është shoqja jote»

A nënkupton nënshtrimi i gruas se ajo nuk duhet të marrë iniciativën për asgjë? Të shohim rastin e Sarës, që në Bibël përmendet si një shembull për bindjen ndaj të shoqit, Abrahamit. (1 Pjetrit 3:5, 6) Ajo iu nënshtrua atij si në çështje të mëdha, ashtu edhe në të vogla. Iu nënshtrua atij jo vetëm kur la një shtëpi të rehatshme për të bërë një jetë endacake nëpër tenda, por edhe kur papritur iu kërkua të përgatiste për të ngrënë. (Zanafilla 12:5-9; 18:6) Megjithatë, për një çështje të rëndësishme ajo kishte një pikëpamje të kundërt me Abrahamin dhe ia shprehte shpesh. Ishte rasti kur donte që Abrahami të përzinte nga shtëpia konkubinën, Agarën, dhe të parëlindurin e tij Ismaelin. Perëndia, jo vetëm që nuk e qortoi Sarën, por i tha Abrahamit ‘ta dëgjonte zërin e saj’. Ndërkohë Sara vazhdoi t’i nënshtrohej Abrahamit duke pritur që ai të vepronte dhe nuk u përpoq t’i dëbonte vetë Agarën dhe Ismaelin.​—Zanafilla 21:8-14.

Shembulli i Sarës tregon se gruaja nuk ka pse të jetojë në hijen e burrit, por duhet të jetë «shoqja» e tij, duke pasur një vend të nderuar. (Malakia 2:14) Si e tillë, ajo jep një ndihmë të çmuar në vendimet e familjes dhe i është dhënë njëfarë autoriteti në familje. Prandaj është amvisë në shtëpi dhe madje administron disa çështje financiare. Sigurisht, si kreu i familjes, burri ka përgjegjësinë të thotë fjalën e fundit.​—Proverbat 31:10-31; 1 Timoteut 5:14.

Respekt për Krijuesin

Perëndia Jehova krijoi burrin e gruan dhe krijoi martesën si një lidhje të shenjtë mes tyre. (Zanafilla 2:18-24) Gjithashtu përcaktoi rolin që duhet të përmbushë secili bashkëshort që të jenë sa më të lumtur.​—Ligji i përtërirë 24:5; Proverbat 5:18.

Meqë është Krijuesi i martesës, Jehovai ka edhe të drejtën, edhe aftësinë të vërë norma për martesën. Kur bashkëshortët përmbushin rolin e tyre dhe ndjekin rregullin që vendosi Perëndia për kryesinë​—jo thjesht ngaqë është praktik, por edhe nga respekti për autoritetin hyjnor​—kanë miratimin dhe mbështetjen e tij.

A DONI TË DINI?

▪ Kush e dha shembullin e përsosur si duhet ta ushtrojë kreu autoritetin?​—Efesianëve 5:25.

▪ A i ka vënë kufij Perëndia autoritetit të burrit?​—1 Korintasve 11:3.

▪ Cili është qëllimi i martesës dhe i rregullit të kryesisë?​—Proverbat 5:18.

[Figura në faqen 28]

Kur kreu i familjes e ushtron autoritetin sipas shembullit të Krishtit, të dy bashkëshortët janë të gëzuar e të kënaqur