Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkatërrimi i pronës private nuk i ndali vëllezërit dhe motrat që t’i shërbenin Jehovait

GJEORGJIA | 1998-2006

I shërbejnë Jehovait pavarësisht nga kërcënimet

I shërbejnë Jehovait pavarësisht nga kërcënimet

Vëllezërit dhe motrat nuk u frikësuan dhe vazhduan të mblidheshin së bashku. Pleqtë me mençuri morën masa paraprake për të mbrojtur lajmëtarët. Vëlla Andre Karbonoja, një avokat kanadez i cili mbrojti vëllezërit gjatë atyre viteve, kujton: «Zakonisht pranë vendit të mbledhjes qëndronte një vëlla me celular. Nëse vërente që po afrohej një turmë, lajmëronte menjëherë pleqtë për rrezikun e ndonjë sulmi.»

Një grup personash i vunë zjarrin shtëpisë së familjes Shamojan (majtas) dhe një depoje literature (djathtas)

Pas çdo incidenti, dy përfaqësues nga zyra e degës takonin vëllezërit për t’u dhënë zemër. «Ishte mbresëlënëse,​—thotë Andrea,—​që përfaqësuesit e degës zakonisht gjenin në vendin e mbledhjes plot motra e vëllezër të lumtur dhe të qeshur.»

Vëllezërit u përballën me kundërshtarë si brenda edhe jashtë sallës së gjyqit

Ata që nuk u prekën drejtpërdrejt nga sulmet, përfshirë studentët e Biblës, treguan të njëjtën vendosmëri. Andrea kujton bisedën me një grua që u kualifikua si lajmëtare e papagëzuar. Ajo i tha: «Kur pashë sulmet e dhunshme në televizor, vura re ndryshimin midis të krishterëve të vërtetë e atyre të rremë, dhe unë dua të jem një e krishterë e vërtetë.»

Mbrojnë me guxim bashkëbesimtarët

Gjatë atyre viteve të vështira, lajmëtarët treguan besim e guxim të jashtëzakonshëm duke bërë shumë në veprën e predikimit. Ata që mbrojtën bashkëbesimtarët në gjykata shfaqën të njëjtin besim.

Dëshmitarët keqparaqiteshin shpesh në media si njerëz që prishnin familjet, që nuk pranonin trajtime mjekësore dhe që ishin kundër shtetit. Avokatët që i mbronin, rrezikonin reputacionin dhe karrierën.

Vëllezër të guximshëm nga reparti ligjor i Shteteve të Bashkuara mbrojtën bashkëbesimtarët para gjykatave

Xhon Bërnsi, një avokat nga dega e Kanadasë, i cili ndihmoi vëllezërit në Gjeorgji gjatë atyre viteve, sjell ndër mend: «Motrat e vëllezërit vendës, që punonin si avokatë, e vunë veten në dispozicion. Nuk kishin frikë të shkonin në gjykata e të identifikoheshin si Dëshmitarë të Jehovait, edhe pse kjo mund të sillte pasoja në profesionin e tyre.» Ata Dëshmitarë të guximshëm kontribuan «në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë».​—Filip. 1:7.

Gjeorgjianët kundërshtojnë dhunën

Ndërkohë, aktet e dhunshme kundër Dëshmitarëve vazhduan. Prandaj që nga 8 janari 2001, Dëshmitarët kërkuan përmes një peticioni, mbrojtje nga sulmet e turmave dhe ndjekje penale të atyre që kishin sulmuar qytetarë paqësorë.

Vëlla Bërnsi shpjegon qëllimin e peticionit: «Synimi ynë ishte të tregonim se shumica e gjeorgjianëve nuk e miratonin dhunën ndaj Dëshmitarëve dhe se përgjegjës për të ishte vetëm një grup i vogël ekstremistësh fetarë.»

Vetëm në dy javë, 133.375 veta nga të gjitha rajonet e Gjeorgjisë​—shumica ortodoksë—​firmosën peticionin. Megjithëse peticioni iu paraqit presidentit Shevernadze, dhuna nuk ndali. Ekstremistët fetarë qëllimisht vazhduan t’i sulmonin Dëshmitarët.

Mijëra gjeorgjianë firmosën një peticion që dënonte dhunën ndaj Dëshmitarëve

Gjatë kësaj kohe, Jehovai vazhdoi ta bekonte popullin e tij. Ndërsa ekstremistët fetarë i shkaktonin probleme popullit të Perëndisë, Jehovai po nxiste shumë njerëz të sinqertë të dilnin nga feja e rreme.

Çlirohen nga feja e rreme

Babilina Karatishvili ishte anëtare e devotshme e Kishës Ortodokse Gjeorgjiane gjatë pjesës më të madhe të jetës. Kur ishte te të 30-at, ajo shkonte qytet më qytet dhe fshat më fshat që t’u mësonte njerëzve rreth jetës së shenjtorëve.

Por, vite më vonë, Babilina vendosi të mësonte më shumë për Zotin, kështu që ndoqi një seminar ortodoks. Një herë, një klerik u tregoi librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme dhe i nxiti dëgjuesit të merrnin një kopje nga Dëshmitarët e Jehovait. Ai u tha: «Ky libër mund t’ju mësojë shumë rreth Biblës.»

Babilina u shokua. Ajo gjithnjë i kishte shmangur Dëshmitarët e tani një klerik po i nxiste të lexonin librat e tyre. Kështu tha me vete: «Nëse më duhet të mësoj për Zotin nga Dëshmitarët e Jehovait, çfarë jam duke bërë këtu?» Menjëherë kontaktoi me ta në qytetin e Potit dhe filloi një studim biblik.

Ndërsa mësonte më shumë nga Bibla, Babilina bëri ndryshime rrënjësore në jetë. Njëherë tha: «Kur pashë me sytë e mi në Bibël se adhurimi i ikonave është i gabuar, hoqa dorë nga çdo lloj idhujtarie. Isha e bindur se po bëja atë që ishte e drejtë.» Ajo vendosi të bëhej Dëshmitare e Jehovait kur ishte rreth 80 vjeçe.

Babilina i foli për të vërtetën biblike mbesës së saj, Izabelës

Mjerisht, në vitin 2001, Babilina u sëmur dhe vdiq para se të pagëzohej. Më vonë mbesa e saj Izabela u pagëzua dhe po i shërben Jehovait me besnikëri.

Donte të bëhej murgeshë

Eliso Dzidzishvili ishte 28 vjeçe kur vendosi të bëhej murgeshë. Pranë qytetit të saj, Tkibulit, nuk kishte manastir, ndaj u transferua në Tbilis në vitin 2001. Ndërsa priste për një vend të lirë në manastir, gjeti punë si mësuese private me orar të pjesshëm. Rastisi që një nga nxënëset e saj ishte vajza e një motre të quajtur Nunu.

Eliso kujton: «Flisnim shpesh për Biblën. Unë mbroja me fanatizëm fenë ortodokse, ndërsa Nunuja me durim më përgjigjej nga shkrimet. Një ditë më tregoi broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Pasi lexuam paragrafët dhe pamë vargjet biblike, kuptova se adhurimi i ikonave është në kundërshtim të plotë me urdhrin e Perëndisë.»

Pas kësaj Elisoja shkoi në kishë për t’i bërë disa pyetje priftit. Nga përgjigjet e tij kuptoi se mësimet e kishës nuk bazohen në Bibël. (Mar. 7:7, 8) E bindur se kishte gjetur të vërtetën, menjëherë filloi një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait dhe shpejt u pagëzua.

Eliso Dzidzishvili (majtas), që donte të bëhej murgeshë dhe Nunu Kopaliani (djathtas)

Ndërtohen Salla Mbretërie pavarësisht nga kundërshtimi

Aty nga viti 2001, një numër gjithnjë e më i madh kongregacionesh kishin nevojë për vende të përshtatshme adhurimi. Sipas një përllogaritjeje duheshin rreth 70 Salla Mbretërie. Me gjithë kundërshtimin, filloi një program për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.​—Ezd. 3:3.

Shpejt një ekip ndërtimi filloi rikonstruksionin e një ndërtese që më parë përdorej nga disa kongregacione në Tbilis. Menjëherë vijuan dy projekte në Gjeorgjinë Perëndimore, një në Tbilis e një në Kiaturë.

Një Sallë Mbretërie në Tbilis (majtas) u zëvendësua me një të re (djathtas)

Vëlla Tamazi Kutsishvili, i cili punoi në projektin e Kiaturës, kujton: «Pesëmbëdhjetë nga ne punonin në kantierin e ndërtimit çdo ditë. S’kaloi shumë e gjithë qyteti mori vesh se po ndërtonim një sallë të re. Ndonjëherë qarkullonin fjalë se kundërshtarët donin ta shembnin Sallën e Mbretërisë.»

Sa sukses do të kishte projekti i ndërtimit përballë këtij kundërshtimi? Tamazi thotë: «Ne vazhduam punën dhe e mbaruam Sallën e Mbretërisë për tre muaj. Pavarësisht nga kërcënimet, s’u duk asnjë kundërshtar.» *

Lehtësim i shumëpritur

Anëtarë të grupit ekstremist ortodoks dhe kreu i tyre, Vasili Mkalavishvili, u arrestuan

Në tetor të vitit 2003 filloi një projekt ndërtimi në qytetin e Samtredias. Edhe njëherë ekstremistët fetarë i kërcënuan vëllezërit vendës. Muret sapo ishin ngritur e llaçi ishte ende i njomë kur kundërshtarët erdhën dhe e shembën ndërtesën.

Gjithsesi, në nëntor të 2003-shit ndodhi një zhvillim i ri në Gjeorgji, që u solli lehtësim motrave dhe vëllezërve. Ndryshimi në qeverisje i çeli rrugën tolerancës fetare. Si rrjedhim, u arrestuan disa anëtarë të grupit ekstremist ortodoks që kishin sulmuar Dëshmitarët e Jehovait.

Një lumë me bekime derdhet mbi popullin e Perëndisë

Jo shumë kohë pasi ndaloi përndjekja, një lumë me bekime frymore u derdh mbi popullin e Perëndisë në Gjeorgji. Në Kongresin Krahinor të vitit 2004 dolën Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në gjuhën gjeorgjiane.

Më vonë, në Kongresin Krahinor të vitit 2006, «Çlirimi është afër!», ndodhi një ngjarje tjetër e paharrueshme. Të pranishmit u emocionuan jashtë mase kur dëgjuan se do të mbante fjalim Xhefri Xhekson, anëtar i Trupit Udhëheqës. Çfarë surprize ishte kur vëllai Xhekson njoftoi daljen e botimit të plotë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjeorgjisht!

Dalja e Përkthimit Bota e Re në gjuhën gjeorgjiane në vitin 2006

Lot gëzimi rridhnin nga sytë e shumë të pranishmëve. Një motër tha: «Nuk e shpreh dot me fjalë gëzimin që ndjeva kur morëm Biblën e plotë. . . . Ishte vërtet një ngjarje historike.» Më shumë se 17.000 veta shijuan këtë banket frymor, që ishte një ngjarje e shënuar në historinë e popullit të Jehovait në Gjeorgji.

^ par. 29 Nga viti 2001 deri në vitin 2003, në të gjithë vendin u ndërtuan shtatë Salla Mbretërie.