Kalo te përmbajtja

SHPJEGIM I VARGJEVE TË BIBLËS

Kolosianëve 3:23—«Bëjeni gjithçka nga zemra, si njerëz që i shërbejnë Zotit e jo njerëzve»

Kolosianëve 3:23—«Bëjeni gjithçka nga zemra, si njerëz që i shërbejnë Zotit e jo njerëzve»

 «Çfarëdo që të bëni, përpiquni me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.»—Kolosianëve 3:23, Përkthimi Bota e Re.

 «Bëjeni gjithçka nga zemra, si njerëz që i shërbejnë Zotit e jo njerëzve.»—Kolosianëve 3:23, Bibla ECM.

Kuptimi i Kolosianëve 3:23

 Një i krishterë duhet të përpiqet me gjithë shpirt të jetë punëtor i palodhur, sepse qëndrimi i tij ndaj punës lidhet ngushtë me adhurimin që i bën Perëndisë Jehova.

 «Çfarëdo që të bëni.» Ata që duan të adhurojnë Jehovain, përpiqen të zbatojnë në gjithçka atë që thotë Bibla. Bëjnë çmos të jenë të palodhur, të ndershëm dhe të besueshëm gjatë aktiviteteve të përditshme në shtëpi, në punë dhe në shkollë.—Proverbat 11:13; Romakëve 12:11; Hebrenjve 13:18.

 «Bëjeni . . . nga zemra.» Shprehja «nga zemra» është përkthyer nga një shprehje greke që «përshkruan përkushtimin e një personi ndërsa kryen ose përmbush vullnetin e Perëndisë me të gjithë fuqinë e tij». a

 Pra, një punëtor i tillë përdor tërë aftësitë e tij fizike e mendore për të dhënë më të mirën kur kryen një punë. Bibla të tjera e përkthejnë këtë shprehje «me dëshirë të mirë» (Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar) ose «me vullnet» (Bibla Simon Filipaj).—Shih « Kolosianëve 3:23 në përkthime të tjera».

 «Si për Jehovain e jo si për njerëzit.» Çfarëdolloj pune që bëjnë, të krishterët e marrin seriozisht, sepse e kuptojnë që kjo ndikon te marrëdhënia e tyre me Perëndinë Jehova. Meraku i tyre kryesor është t’i pëlqejnë Atij, jo punëdhënësit a ndokujt tjetër. Etika e shkëlqyer e punës dhe qëndrimi pozitiv që ka një i krishterë, e ndihmojnë që jo vetëm t’i bëjë një emër të mirë vetes, por edhe t’i sjellë lavdi Perëndisë që adhuron. Në këtë mënyrë, ai bën gjithë sa ka në dorë «që kurrë të mos flitet keq për emrin e Perëndisë».—1 Timoteut 6:1; Kolosianëve 3:22.

Konteksti i Kolosianëve 3:23

 Apostulli Pavël ua shkroi këtë libër të Biblës, pra librin e Kolosianëve, të krishterëve që banonin në qytetin e lashtë të Kolosesë. b Me sa duket e shkroi rreth viteve 60-61 të e.s., aty nga fundi i burgosjes së parë në Romë.

 Libri i Kolosianëve përmban këshilla që i ndihmojnë të krishterët ta adhurojnë Perëndinë në unitet, pavarësisht nga prejardhja a rrethanat. (Kolosianëve 3:11) Ai i nxit të pasqyrojnë cilësitë e Perëndisë të tilla, si dashurinë, zemërmirësinë dhe mëshirën. (Kolosianëve 3:12-14) Gjithashtu shpjegon si duhet të ndikojë adhurimi i Perëndisë te çdo aspekt i jetës sonë.—Kolosianëve 3:18–4:1.

 Kolosianëve 3:23 në përkthime të tjera

 «Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit.»—Përkthimi Diodati i Ri i Rishikuar.

 «Çfardo pune që të bëni, bëne me vullnet, si ta bëshit për Zotin e jo për njerëz.»—Bibla Simon Filipaj.

 Shih këtë video të shkurtër që i bën një përmbledhje librit të Kolosianëve.

a Nga Exegetical Dictionary of the New Testament, 1993, vëllimi 3, faqja 502.

b Ndodhet në Turqinë e sotme.