Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Dhëmbët e hekurt të një kërmilli

Dhëmbët e hekurt të një kërmilli

 Patella vulgata, një kërmill me guaskë në formë konike, që jeton në ujë, ka dhëmbë jashtëzakonisht të fortë. Ato përbëhen nga fibra të hollë e të ngjeshur mirë të mineralit të fortë të goethitit, që ndërthuret me një bazë të butë proteinike.

 Shqyrto faktet: Radula, organi i tij ushqyes, që është si gjuhë e mbuluar me dhëmbë të harkuar, funksionon si një limë. Nëpërmjet këtyre dhëmbëve gërryen algat nga sipërfaqet shkëmbore, që të ushqehet. Prandaj, secili dhëmb, që është më i vogël se 1 milimetër, duhet të jetë tejet i fortë.

 Me anë të një mikroskopi të fuqishëm, studiuesit matën forcën tërheqëse të dhëmbëve për të përcaktuar sa të fortë janë. Ata zbuluan që s’ka material biologjik më të fortë se dhëmbët e kërmillit, duke ia kaluar edhe rrjetës së merimangës. Drejtuesi i studimit tha: «Duhet të përpiqemi të krijojmë struktura të ngjashme, duke imituar mënyrën si janë ndërtuar.»

 Studiuesit besojnë se mund të prodhojnë artificialisht këtë lloj materiali e ta përdorin për të ndërtuar makina, anije, avionë e madje të bëjnë dhe implante dhëmbësh.

 Si mendon? A erdhi me evolucion struktura e jashtëzakonshme e dhëmbëve të kërmillit? Apo është projektuar?