Kalo te përmbajtja

Pse ndodhi Holokausti? Pse nuk e ndaloi Perëndia?

Pse ndodhi Holokausti? Pse nuk e ndaloi Perëndia?

 Shumë nga ata që i bëjnë këto pyetje kanë pësuar humbje tepër të rënda dhe nuk kërkojnë vetëm përgjigje, por edhe ngushëllim. Të tjerë e shohin Holokaustin si kulmin e ligësisë njerëzore dhe e kanë tejet të vështirë të besojnë te Perëndia.

Ide të gabuara e të zakonshme për Perëndinë dhe Holokaustin

 E rreme: Është e gabuar të pyesësh pse e lejoi Perëndia Holokaustin.

 E vërtetë: Njerëz me besim të fortë kanë pyetur pse e lejon Perëndia ligësinë. Për shembull, profeti Habakuk e pyeti Perëndinë: «Pse lejon që dhuna, paligjshmëria, krimi dhe mizoria të përhapen kudo? (Habakuku 1:3, Contemporary English Version) Në vend që ta qortonte Habakukun, Perëndia bëri që pyetjet e tij të dokumentoheshin në Bibël, që t’i lexojmë të gjithë ne.

 E rreme: Perëndia nuk do t’ia dijë për vuajtjet e njerëzve.

 E vërtetë: Perëndia e urren ligësinë dhe vuajtjet që shkakton ajo. (Proverbat 6:16-19) Në kohën e Noesë, Perëndia «u hidhërua në zemër» për shkak të dhunës që po përhapej në tokë. (Zanafilla 6:5, 6) Pa dyshim që edhe për Holokaustin Perëndia ndjeu dhembje të papërshkrueshme.—Malakia 3:6.

 E rreme: Holokausti ishte ndëshkimi i Perëndisë për judenjtë.

 E vërtetë: Perëndia lejoi që Jerusalemi të shkatërrohej nga romakët në shekullin e parë. (Mateu 23:37–24:2) Por, që nga ajo kohë, Perëndia nuk veçon asnjë grup etnik për t’i dhënë miratim të veçantë ose që ta ndëshkojë. Në sytë e Perëndisë, «nuk ka asnjë dallim mes judenjve dhe jojudenjve».—Romakëve 10:12, Good News Translation.

 E rreme: Nëse ekziston një Perëndi i dashur dhe i plotfuqishëm, nuk do ta kishte lejuar Holokaustin.

 E vërtetë: Ndonëse Perëndia nuk shkakton kurrë vuajtje, ndonjëherë ai i lejon përkohësisht.—Jakovi 1:13; 5:11.

Pse e lejoi Perëndia Holokaustin?

 Perëndia e lejoi Holokaustin për të njëjtën arsye që ka lejuar të gjitha vuajtjet e njerëzimit: që të zgjidhen çështjet e ngritura shumë kohë më parë. Bibla na tregon qartë se sot botën e sundon Djalli, jo Perëndia. (Luka 4:1, 2, 6; Gjoni 12:31) Dy fakte themelore të Biblës mund të na shpjegojnë pse e lejoi Perëndia Holokaustin.

  1.   Perëndia i krijoi njerëzit me vullnet të lirë. Perëndia u tha njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, se çfarë priste prej tyre, por nuk i detyroi t’i bindeshin. Ata zgjodhën të vendosnin vetë se çfarë ishte e mirë dhe e keqe, dhe njerëzimi ka vuajtur pasoja të tmerrshme nga zgjedhja e tyre e keqe, si dhe nga zgjedhje të ngjashme që kanë bërë njerëzit gjatë gjithë historisë. (Zanafilla 2:17; 3:6; Romakëve 5:12) Një libër (Statement of Principles of Conservative Judaism) e shpjegon kështu: «Shumë nga vuajtjet e botës shkaktohen drejtpërdrejt nga keqpërdorimi i vullnetit të lirë që na është dhënë.» Në vend se t’ua heqë vullnetin e lirë, Perëndia u ka dhënë njerëzve kohë që t’u japin vetë drejtim gjërave në jetë, të pavarur prej tij.

  2.   Perëndia është në gjendje dhe do t’i ndreqë të gjitha dëmet e Holokaustit. Perëndia premton se do të risjellë në jetë miliona të vdekur, ku përfshihen edhe viktima të Holokaustit. Gjithashtu, të mbijetuarve të Holokaustit do t’ua heqë dhembjen që u sjellin kujtimet e tmerrshme. (Isaia 65:17; Veprat 24:15) Dashuria që ka Perëndia për njerëzit, na garanton se ai do t’i përmbushë këto premtime.—Gjoni 3:16.

 Shumë veta që ranë viktima të Holokaustit, e ruajtën të fortë besimin dhe bënë jetë domethënëse, ngaqë kuptuan pse Perëndia ka lejuar ligësinë dhe si ka ndër mend t’i ndreqë pasojat e saj.