Kalo te përmbajtja

A është mëkat të pish duhan?

A është mëkat të pish duhan?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla nuk përmend as pirjen e duhanit a dhe as mënyra të tjera të përdorimit të duhanit. Megjithatë përmban parime që na tregojnë se Perëndia nuk i miraton praktikat e papastra dhe të dëmshme, prandaj e konsideron mëkat pirjen e duhanit.

  •   Respekti për jetën. ‘Perëndia u jep të gjithëve jetë dhe frymë.’ (Veprat 17:24, 25) Meqë jetën e kemi dhuratë nga Perëndia, nuk duhet të bëjmë asgjë që do të na e shkurtonte jetën, si për shembull, të pimë duhan. Në mbarë botën pirja e duhanit është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme.

  •   Dashuria për të afërmin. «Duaje të afërmin tënd si veten.» (Mateu 22:39) Kur pi duhan në prani të të tjerëve, nuk tregon dashuri. Ata që ekspozohen vazhdimisht ndaj tymit të dorës së dytë rrezikojnë më tepër të preken nga të njëjtat sëmundje që vuajnë shpesh duhanpirësit.

  •   Domosdoshmëria për të qenë të shenjtë. «Paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë.» (Romakëve 12:1) «Le të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, dhe ta përsosim shenjtërinë në frikën e Perëndisë.» (2 Korintasve 7:1) Pirja e duhanit është diçka e panatyrshme dhe bie ndesh me të qenët të shenjtë, pra të pastër e të pandotur, meqë kush pi duhan, konsumon qëllimisht toksina që i dëmtojnë seriozisht trupin.

A thotë gjë Bibla se marihuana ose drogat e tjera mund të përdoren për zbavitje?

 Në Bibël nuk përmendet me emër as marihuana (e njohur edhe si kanabis ose hashash) dhe as droga të tjera të ngjashme. Megjithatë, disa parime të saj ndalojnë përdorimin për zbavitje të substancave të tilla që krijojnë varësi. Përveç parimeve që përmendëm më sipër, zbatohen edhe parimet e mëposhtme.

  •   Duhet të ruajmë aftësinë për të menduar. «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd . . . me gjithë mendjen tënde.» (Mateu 22:37, 38) «Ruani plotësisht gjykimin.» (1 Pjetrit 1:13) Kush abuzon me drogat, nuk mund të mendojë kthjellët, e madje shumë veta kanë krijuar varësi ndaj saj. Në vend se të mendojnë gjëra të dobishme, u rri mendja te droga, si ta sigurojnë e ta përdorin.​—Filipianëve 4:8.

  •   Bindja ndaj ligjeve të shtetit. ‘Jini të bindur ndaj qeverive dhe autoriteteve.’ (Titit 3:1) Në shumë vende ka ligje specifike që kontrollojnë përdorimin e disa drogave. Nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet t’u bindemi autoriteteve.​—Romakëve 13:1.

a Pirja e duhanit këtu i referohet thithjes së tymit të duhanit direkt nga cigaret, purot, llullat ose llullat me ujë. Gjithsesi, parimet që shqyrtohen, zbatohen njëlloj edhe për duhanin që përtypet, për atë që thithet me hundë, për cigaret elektronike që përmbajnë nikotinë dhe për produkte të tjera të ngjashme.