Kalo te përmbajtja

Çfarë është Bibla?

Çfarë është Bibla?

Përgjigjja e Biblës

 Bibla është një koleksion me 66 libra të shenjtë. Ajo u shkrua gjatë një periudhe rreth 1.600-vjeçare. Bibla përmban një mesazh nga Perëndia—«fjalën e Perëndisë».—1 Selanikasve 2:13.

Në këtë artikull

 Fakte rreth Biblës

  •   Kush e shkroi Biblën? Autori i Biblës është Perëndia, por ai përdori rreth 40 burra për ta hedhur me shkrim atë. Ndër këta burra mund të përmendim Moisiun, mbretin David, Mateun, Markun, Lukën dhe Gjonin. a Zoti futi mendimet e Tij në mendjet e shkrimtarëve, që të dokumentonin mesazhin e Tij.—2 Timoteut 3:16.

     Ta ilustrojmë: një biznesmen e udhëzon sekretarin të shkruajë një mesazh në emër të tij, mbase edhe duke i treguar idenë kryesore të këtij mesazhi. Gjithsesi, autori i mesazhit mbetet biznesmeni. Po kështu, edhe pse Zoti përdori disa burra për të hedhur me shkrim mesazhin e tij, Autori i vërtetë i Biblës mbetet Zoti.

  •   Çfarë kuptimi ka fjala «Bibël»? Fjala «Bibël» vjen nga fjala greke biblia, që do të thotë «libra të vegjël». Me kalimin e kohës, biblia u përdor për të përshkruar gjithë koleksionin e librave të vegjël që formojnë Biblën.

  •   Kur u shkrua Bibla? Bibla nisi të shkruhej në vitin 1513 p.e.s. dhe përfundoi mbi 1.600 vjet më vonë, rreth vitit 98 të e.s.

  •   Ku ndodhet Bibla origjinale? Nga sa dihet deri më sot, nuk ka mbijetuar asnjë dorëshkrim origjinal i Biblës. Kjo pasi shkrimtarët e saj përdorën materialet që disponoheshin në atë kohë të cilat prisheshin, të tilla, si papiruset dhe pergamenat. Megjithatë, për shekuj me radhë skribët i kopjuan e rikopjuan me saktësi deri në detaje dorëshkrimet e Biblës, duke e ruajtur kështu përmbajtjen e saj për ata që do ta lexonin në të ardhmen.

  •   Çfarë janë «Dhiata e Vjetër» dhe «Dhiata e Re»? Ajo që njihet gjerësisht si Dhiata e Vjetër i referohet asaj pjese të Biblës që u shkrua kryesisht në hebraisht b e që njihet edhe si Shkrimet Hebraike. Kurse ajo që njihet si Dhiata e Re i referohet pjesës që u shkrua në greqisht e që njihet edhe si Shkrimet e Krishtere Greke. Të dyja këto pjesë përbëjnë librin e plotë, që quhet edhe Shkrimet e Shenjta. c

  •   Çfarë përmban Bibla? Pjesë të ndryshme të Biblës përmbajnë histori, ligje, profeci, poezi, proverba, këngë dhe letra.—Shih « Lista e librave të Biblës».

 Për çfarë flet Bibla?

 Në fillim Bibla tregon shkurtimisht se si Perëndia i Plotfuqishëm krijoi qiellin dhe tokën. Nëpërmjet Biblës, ai na prezantohet me emrin e tij, Jehova, dhe i fton njerëzit që ta njohin.—Psalmi 83:18.

 Bibla shpjegon se për Perëndinë janë thënë gënjeshtra dhe tregon si do ta vërë në vend ai reputacionin e tij.

 Ajo zbulon qëllimin që ka Zoti për njerëzimin dhe për tokën. Tregon se në të ardhmen Zoti do të eliminojë të gjitha shkaqet e vuajtjeve.

 Gjithashtu na jep këshilla praktike edhe për jetën e përditshme. Për shembull, ajo na mëson:

  •   Si të ruajmë marrëdhënie të mira me të tjerët. «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.

     Kuptimi: Duhet t’i trajtojmë të tjerët ashtu si do të donim të na trajtonin.

  •   Si të përballojmë stresin. «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»—Mateu 6:34.

     Kuptimi: Në vend që të shqetësohemi tepër për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, bëjmë mirë t’i marrim ditët një e nga një.

  •   Si të kesh një martesë të lumtur. «Secili nga ju duhet ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin.»—Efesianëve 5:33.

     Kuptimi: Dashuria dhe respekti janë thelbësore për një martesë të suksesshme.

 A është ndryshuar Bibla?

 Jo. Studiuesit i kanë krahasuar me kujdes dorëshkrimet e lashta të Biblës me Biblën që kemi sot dhe kanë parë se në thelb mesazhi i saj origjinal nuk ka ndryshuar. Dhe kjo ka kuptim, se në fund të fundit, meqë Perëndia do që njerëzit ta lexojnë dhe ta kuptojnë mesazhin e tij, a nuk është logjike që Ai të sigurohej që mesazhi i tij të mos ndryshohej? dIsaia 40:8.

 Pse ka kaq shumë përkthime të Biblës?

 Shumë lexues sot nuk i kuptojnë dot gjuhët e lashta në të cilat u shkrua Bibla. Mirëpo Bibla përmban «një lajm të mirë» për ‘çdo komb, fis dhe gjuhë’. (Zbulesa 14:6) Për këtë arsye, njerëzit kanë nevojë për një përkthim të Biblës në një gjuhë që e kuptojnë, në mënyrë që ta lexojnë dhe ta kuptojnë siç duhet mesazhin e Perëndisë.

 Ka tri lloje përkthimesh të Biblës:

  •   Përkthimi fjalë për fjalë është sa më literal të jetë e mundur.

  •   Përkthimi që përcjell idetë, përdor fjalë që përcjellin kuptimin e tekstit në gjuhën origjinale.

  •   Përkthimi i parafrazuar i lë dorë të lirë përkthyesit me synimin për ta bërë më të këndshëm leximin. Mirëpo kështu, ndryshimet e shumta të tekstit ndonjëherë e ndryshojnë kuptimin e vërtetë të një fragmenti.

 Një përkthim i mirë i Biblës drejtpeshon përkthimin fjalë për fjalë me gjuhën e sotme të kuptueshme, për të përcjellë me saktësi mesazhin e Perëndisë për njerëzimin. e

 Kush e vendosi se cilat fragmente duheshin bërë pjesë të Biblës?

 Si Autori i saj, Perëndia vendosi se cilat fragmente duhej të bëheshin pjesë e Biblës. Në fillim zgjodhi kombin e lashtë të Izraelit që ‘t’i besonte thëniet e Tij të shenjta’, si kujdestarë të Shkrimeve Hebraike.—Romakëve 3:2.

 A ka libra të Biblës që kanë humbur ndër vite?

 Jo. Bibla është e plotë; nuk ka libra «të humbur». Ka nga ata që pretendojnë se disa libra të lashtë të fshehur prej kohësh, i takojnë Biblës. f Mirëpo, vetë Bibla përmban standardin që përcakton autenticitetin e librave që i përkasin asaj. (2 Timoteut 1:13, shënimi.) Në bazë të këtij standardi, librat e Biblës që janë të frymëzuar nga Perëndia, janë plotësisht në harmoni me njëri-tjetrin. Nuk ndodh njësoj me të gjitha dorëshkrimet e lashta që disa individë pretendojnë se i përkasin Biblës. g

 Si ta gjej një varg në Bibël

  Lista e librave të Biblës

a Për të parë listën e plotë të të gjithë librave të Biblës, si edhe kush i shkroi dhe kur i shkroi, të lutemi shih «Tabela e librave të Biblës».

b Disa pjesë të vogla të Biblës u shkruan në aramaisht, një gjuhë shumë e ngjashme me hebraishten.

c Mjaft lexues të Biblës preferojnë shprehjet «Shkrimet Hebraike» dhe «Shkrimet e Krishtere Greke». Këta terma nuk lënë përshtypjen sikur «Dhiatës së Vjetër» i ka ikur koha dhe është zëvendësuar me «Dhiatën e Re».

d Shih artikullin «A ka ndryshuar Bibla?»

e Shumë vetave u pëlqen të lexojnë Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, sepse është një përkthim i saktë dhe i lehtë për t’u lexuar. Shih artikullin «A është i saktë Përkthimi Bota e Re?»

f Të gjithë këta libra së bashku quhen shkrimet apokrife. Sipas Encyclopædia Britannica «në literaturën për Biblën, [kjo shprehje u referohet] shkrimeve që nuk janë pjesë e kanonit të pranuar të shkrimeve»—pra, nuk janë në listën e librave të pranuar si pjesë e Biblës.

g Për të mësuar më shumë, shih artikullin «Ungjijtë apokrifë: A janë të vërteta të fshehura rreth Jezuit?»