Kalo te përmbajtja

Çfarë është Babilonia e Madhe?

Çfarë është Babilonia e Madhe?

Përgjigjja e Biblës

 Babilonia e Madhe, që përshkruhet në librin e Zbulesës, është tërësia e feve të rreme në botë, të cilat Perëndia i hedh poshtë. a (Zbulesa 14:8; 17:5; 18:21) Ndonëse ndryshojnë në shumë drejtime, të gjitha këto fe, në një mënyrë a në një tjetër, i largojnë njerëzit nga adhurimi i Perëndisë së vërtetë, Jehovait.​—Ligji i përtërirë 4:​35.

Faktorë që zbulojnë identitetin e Babilonisë së Madhe

  1.   Babilonia e Madhe është simbolike. Bibla e përshkruan si «një grua» dhe një ‘prostitutë të madhe’, e cila ka një emër që është «një mister: ‘Babilonia e Madhe.’» (Zbulesa 17:​1, 3, 5) Libri i Zbulesës flet ‘me shenja’, ndaj është e arsyeshme të nxjerrim përfundimin se Babilonia e Madhe është simbolike, jo një grua e mirëfilltë. (Zbulesa 1:1) Për më tepër, ajo «rri ulur mbi shumë ujëra», të cilat përfaqësojnë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë». (Zbulesa 17:​1, 15) Një grua e mirëfilltë nuk e bën dot këtë.

  2.   Babilonia e Madhe është një njësi fetare e përmasave botërore. Ajo quhet ‘qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretërit e tokës’. (Zbulesa 17:18) Prandaj, ka shtrirje dhe ndikim ndërkombëtar.

  3.   Babilonia e Madhe nuk është njësi politike a tregtare, por fetare. Babilonia e lashtë ishte një qytet jashtëzakonisht fetar, që shquhej për përdorimin e ‘yshtjeve’ dhe të ‘shtrigërive’ spiritiste. (Isaia 47:​1, 12, 13; Jeremia 50:​1, 2, 38) Në fakt, atje praktikohej feja e rreme që ishte kundër Perëndisë së vërtetë, Jehovait. (Zanafilla 10:​8, 9; 11:​2-4, 8) Sundimtarët e Babilonisë me arrogancë e lartësonin veten mbi Jehovain dhe adhurimin e tij. (Isaia 14:​4, 13, 14; Danieli 5:​2-4, 23) Po kështu, Babilonia e Madhe shquhet për ‘praktikat e saj spiritiste’. Kjo tregon se ajo është organizatë fetare.​—Zbulesa 18:23.

     Babilonia e Madhe nuk mund të jetë njësi politike, sepse «mbretërit e tokës» vajtojnë për shkatërrimin e saj. (Zbulesa 17:​1, 2; 18:9) Nuk është as njësi tregtare, pasi Bibla e dallon nga «tregtarët shëtitës të tokës».​—Zbulesa 18:11, 15.

  4. Stelë e Nabonidit, mbretit babilonas, bashkë me simbole të triadës së perëndive Sin, Ishtar dhe Shamash

      Babilonia e Madhe përkon me karakteristikat e fesë së rreme. Në vend që t’i mësojë si t’u afrohen Perëndisë së vërtetë, Jehovait, feja e rreme faktikisht i shtyn njerëzit të adhurojnë perëndi të tjera. Në kuptimin simbolik Bibla e quan këtë gjë ‘kurvëri’. (Levitiku 20:6; Dalja 34:15, 16) Mësime fetare, si Triniteti e pavdekësia e shpirtit dhe praktika të tilla, si përdorimi i shëmbëlltyrave në adhurim, e kanë origjinën në Babiloninë e lashtë dhe vazhdojnë të mbizotërojnë në fenë e rreme. Gjithashtu, këto fe e përziejnë adhurimin fetar me dashurinë për botën. Bibla e quan këtë lloj jobesnikërie kurorëshkelje, ose tradhti ndaj Perëndisë.​—Jakovi 4:4.

     Pasuria dhe kapardisja e fesë së rreme përkojnë me përshkrimin që i bën Bibla Babilonisë së Madhe, që është «e veshur me të purpurt e me të kuqe të ndezur» dhe «e stolisur me ar, me gurë të çmuar e margaritarë». (Zbulesa 17:4) Babilonia e Madhe është burimi i «gjërave të neveritshme të tokës», ose i mësimeve dhe i veprimeve që në të vërtetë e çnderojnë Perëndinë. (Zbulesa 17:5) Kurse anëtarët e fesë së rreme janë ‘popujt, turmat, kombet dhe gjuhët’ që mbështetin Babiloninë e Madhe.​—Zbulesa 17:15.

 Babilonia e Madhe është përgjegjëse për vdekjen e ‘tërë atyre që janë vrarë pa mëshirë mbi tokë’. (Zbulesa 18:24) Gjatë gjithë historisë, feja e rreme jo vetëm ka ndezur luftëra e ka nxitur akte terrorizmi, por edhe u ka mohuar njerëzve të vërtetën për Jehovain, Perëndinë e dashurisë. (1 Gjonit 4:8) Fakti që ajo nuk i ka mësuar njerëzit për Zotin ka kontribuar që të ketë shumë gjakderdhje. Me të drejtë, ata që duan t’i pëlqejnë Perëndisë duhet ‘të dalin prej saj’, të largohen nga feja e rreme.​—Zbulesa 18:4; 2 Korintasve 6:​14-​17.