Kalo te përmbajtja

A duhet t’u lutem shenjtorëve?

A duhet t’u lutem shenjtorëve?

 Përgjigjja e Biblës

 Jo. Bibla tregon se duhet t’i lutemi vetëm Perëndisë në emër të Jezuit. Jezui u tha dishepujve: «Lutuni kështu: ‘Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.’» (Mateu 6:​9, Simon Filipaj) Ai nuk i mësoi kurrë dishepujt e tij që t’u luteshin shenjtorëve, engjëjve a kujtdo tjetër përveç Perëndisë.

 Veç kësaj, Jezui u tha ithtarëve të tij: «Unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Askush nuk vjen tek Ati, përveçse nëpërmjet meje.» (Gjoni 14:6) Vetëm Jezui është i autorizuar nga Perëndia që të ndërmjetësojë për ne.​—Hebrenjve 7:25.

Po nëse i lutem edhe Perëndisë, edhe shenjtorëve?

 Pjesë e Dhjetë Urdhërimeve ishin edhe fjalët e Perëndisë se ai «është me të vërtetë një Perëndi xheloz». (Dalja 34:​14, shënimi) Në ç’kuptim është «xheloz» Perëndia? Një shënim për këtë fjalë në përkthimin katolik New American Bible tregon se «xheloz» ka kuptimin «që kërkon t’i përkushtohesh vetëm atij». Perëndia kërkon që aktet e përkushtimit ose të adhurimit​—ku futet edhe lutja​—t’i drejtohen vetëm atij.​—Isaia 48:11.

 Po t’i lutemi dikujt tjetër, qoftë edhe shenjtorëve ose engjëjve të shenjtë, e fyejmë Perëndinë. Kur apostulli Gjon u përpoq të adhuronte një engjëll, engjëlli nuk e lejoi, duke i thënë: «Mos e bëj! Unë s’jam veçse shoku yt i skllavërisë dhe i vëllezërve të tu, të cilët japin dëshmi për Jezuin. Perëndinë adhuro!»​—Zbulesa 19:10.