Kalo te përmbajtja

A besojnë studiuesit se Jezui ka ekzistuar?

A besojnë studiuesit se Jezui ka ekzistuar?

 Studiuesit kanë një bazë të fortë për të besuar se Jezui ka ekzistuar. Në lidhje me referimet e historianëve të shekullit të parë e të dytë për të krishterët e hershëm, një enciklopedi (Encyclopædia Britannica), botimi i vitit 2002, thotë: «Këto tregime të pavarura nga njëra-tjetra provojnë se në kohët e lashta madje as kundërshtarët e krishterimit nuk dyshuan kurrë për vërtetësinë historike të Jezuit, për të cilën u debatua për herë të parë dhe mbi baza të pamjaftueshme në fund të shekullit të 18-të, gjatë shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.»

 Në vitin 2006 një libër (Jesus and Archaeology) thoshte: «Sot asnjë studiues me emër nuk e vë në dyshim që ka ekzistuar një jude me emrin Jezu, bir i Jozefit. Shumica e pranon pa problem se tani dimë mjaft gjëra për veprimet dhe mësimet e tij bazë.»

 Bibla e përshkruan Jezuin si një person real. Ajo tregon emrat e paraardhësve të tij dhe të pjesëtarëve të familjes. (Mateu 1:1; 13:55) Gjithashtu, Bibla tregon emra të sundimtarëve të shquar të kohës së Jezuit. (Luka 3:1, 2) Këto hollësi u japin mundësi studiuesve të verifikojnë saktësinë e tregimeve biblike.