Kalo te përmbajtja

A janë njësoj të gjitha fetë? A të drejtojnë të gjitha te Zoti?

A janë njësoj të gjitha fetë? A të drejtojnë të gjitha te Zoti?

Përgjigjja e Biblës

 Jo, fetë nuk janë të gjitha njësoj. Bibla përmend shumë fe që nuk i pëlqejnë Zotit. Këto ndahen në dy kategori kryesore.

Kategoria 1: Adhurimi i perëndive të rreme

 Bibla e përshkruan adhurimin e perëndive të rreme me terma të tillë, si «avull» ose iluzion, ‘kotësi’ dhe ‘i padobishëm’. (Jeremia 10:3-5; 16:19, 20) Perëndia Jehova a e urdhëroi kombin e lashtë të Izraelit: «Mos ki perëndi të tjera përveç meje.» (Dalja 20:3, 23; 23:24) Kur izraelitët adhuruan perëndi të tjera, «Jehovait iu ndez zemërimi».​—Numrat 25:3; Levitiku 20:2; Gjykatësit 2:13, 14.

 Zoti vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim ndaj adhurimit të ‘atyre që quhen “perëndi”’. (1 Korintasve 8:5, 6; Galatasve 4:8) Ai i urdhëron personat që duan ta adhurojnë, që të mos shoqërohen më me ata që praktikojnë fenë e rreme, duke thënë: «Dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni.» (2 Korintasve 6:14-17) Nëse të gjitha fetë do të ishin njësoj dhe do të drejtonin te Zoti, pse atëherë Zoti do të jepte këtë urdhër?

Kategoria 2: Adhurimi i Perëndisë së vërtetë në një mënyrë që ai nuk e miraton

 Ndonjëherë, izraelitët e adhuronin Zotin sipas bindjeve dhe praktikave të huazuara nga adhurimi i perëndive të rreme, por Jehovai e hodhi poshtë këtë orvatje për të përzier fenë e vërtetë me atë të rreme. (Dalja 32:8; Ligji i përtërirë 12:2-4) Jezui i dënoi udhëheqësit fetarë të kohës së tij për shkak të mënyrës si adhuronin Zotin; hiqeshin si fetarë, por me hipokrizi ‘shpërfillnin çështjet më me peshë të Ligjit, domethënë drejtësinë, mëshirën dhe besnikërinë’.​—Mateu 23:23.

 Edhe sot, vetëm feja që bazohet tek e vërteta i drejton njerëzit te Zoti. Kjo e vërtetë gjendet në Bibël. (Gjoni 4:24; 17:17; 2 Timoteut 3:16, 17) Fetë, mësimet e të cilave bien ndesh me Biblën, faktikisht i largojnë njerëzit nga Zoti. Shumë mësime që njerëzit mendojnë se vijnë nga Bibla​—ku përfshihen Triniteti, pavdekësia e shpirtit dhe mundimi i përjetshëm​—u huazuan nga ata që adhuronin perëndi të rreme. Adhurimi që përhap mësime të tilla është ‘i kotë’ ose i padobishëm, sepse i zëvendëson kërkesat e Zotit me traditat fetare.​—Marku 7:7, 8.

 Zoti e urren hipokrizinë fetare. (Titit 1:16) Që një fe t’i ndihmojë njerëzit të afrohen më shumë me Zotin, duhet të ndikojë në jetën e tyre të përditshme e jo vetëm të ketë rite ose formalitete. Për shembull, Bibla thotë: «Nëse dikush pandeh se e adhuron Perëndinë siç duhet, por nuk i vë fre gjuhës, përkundrazi, vazhdon ta mashtrojë zemrën e vet, adhurimi i tij është i kotë. Adhurimi i pastër dhe i pandotur nga pikëpamja e Perëndisë, Atit tonë, është ky: të kujdesesh për jetimët dhe vejushat në vështirësitë e tyre dhe ta ruash veten të panjollë nga bota.» (Jakovi 1:26, 27) Përkthimi Diodati i Ri përdor shprehjen «feja e pastër» për këtë adhurim të pastër e pa hipokrizi.