Kalo te përmbajtja

Çfarë do të thotë numri 666?

Çfarë do të thotë numri 666?

Përgjigjja e Biblës

 Sipas librit të fundit të Biblës, 666 është numri ose emri i bishës me shtatë kokë e dhjetë brirë që del nga deti. (Zbulesa 13:1, 17, 18) Kjo bishë është simbol i sistemit politik mbarëbotëror, i cili sundon mbi «çdo fis, popull, gjuhë dhe komb». (Zbulesa 13:7) Emri 666 e identifikon sistemin politik si një dështim total në sytë e Perëndisë. Në ç’kuptim?

  Jo thjesht një emërtim. Emrat e vënë nga Perëndia kanë kuptim. Për shembull, Abramit, që do të thotë «Ati është i lartë (i lartësuar)», Perëndia i dha emrin Abraham, që do të thotë «Atë i një shumice (turme)». Këtë emër ia dha kur i premtoi ta bënte «atë të shumë kombeve». (Zanafilla 17:5, shënimi) Po kështu, Perëndia e emërtoi bishën 666 si simbol të karakteristikave të saj dalluese.

  Numri gjashtë nënkupton papërsosmëri. Shpesh, numrat në Bibël përdoren si simbole. Shtata simbolizon plotësi ose përsosmëri. Kurse gjashta, që është një më pak se shtata, mund të nënkuptojë diçka të paplotë ose të metë në sytë e Perëndisë dhe mund të lidhet me armiqtë e tij.​—1 Kronikave 20:6; Danieli 3:1.

  Përsëritet tri herë për theksim. Ndonjëherë, Bibla e thekson diçka duke e përsëritur tri herë. (Zbulesa 4:8; 8:13) Prandaj, emri 666 thekson në mënyrë të fuqishme se Perëndia i sheh sistemet politike si një dështim total. Ato nuk kanë arritur të sjellin paqe dhe siguri të përhershme, që vetëm Mbretëria e Perëndisë do t’i sjellë.

Damka e bishës

 Bibla thotë se njerëzit marrin «damkën e bishës» sepse e ndjekin «me admirim» deri aty sa e adhurojnë. (Zbulesa 13:3, 4; 16:2) Këtë e bëjnë duke nderuar tërë adhurim vendin e tyre, simbolet e tij ose fuqinë e tij ushtarake. Një enciklopedi thotë: «Në botën e sotme, nacionalizmi është bërë një formë feje dominuese.» a​—Encyclopedia of Religion.

 Si e marrin njerëzit damkën e bishës në dorën e djathtë ose në ballë? (Zbulesa 13:16) Për urdhërimet që i dha kombit të Izraelit, Perëndia tha: «Lidhini në dorë si shenjë dhe le të jenë si shirit në ballë.» (Ligji i përtërirë 11:18) Kjo nuk do të thoshte se izraelitët duhej të vinin mirëfilli një shenjë në duar e në ballë, por se fjalët e Perëndisë duhej t’i udhëhiqnin në gjithçka bënin dhe mendonin. Po njësoj, damka e bishës nuk është një tatuazh i mirëfilltë me numrin 666, por ajo identifikon në mënyrë simbolike ata që i lejojnë sistemet politike t’i drejtojnë në jetë. Ata që kanë damkën e bishës, janë kundërshtarë të Perëndisë.​—Zbulesa 14:9, 10; 19:19-21.

a Shih edhe botimet Nationalism in a Global Era, faqja 134 dhe Nationalism and the Mind: Essays on Modern Culture, faqja 94.