Kalo te përmbajtja

Çfarë është ringjallja?

Çfarë është ringjallja?

Përgjigjja e Biblës

 Në Bibël, fjala që është përkthyer «ringjallje» vjen nga fjala greke anástasis, që do të thotë «të çohesh» ose «të ngrihesh sërish». Ai që ringjallet, ngrihet nga vdekja dhe rikthehet në jetë siç ishte më parë.​—1 Korintasve 15:12, 13.

 Megjithëse fjala «ringjallje» nuk shfaqet në Shkrimet Hebraike, që shpesh quhen Dhiata e Vjetër, mësimi i ringjalljes gjendet atje. Për shembull, me anë të profetit Hozea, Perëndia premtoi: «Nga dora e Sheolit [varrit] do t’i shpengoj, nga vdekja do t’i rimëkëmb.»​—Hozea 13:14; Jobi 14:13-15; Isaia 26:19; Danieli 12:2, 13.

 Ku do të ringjallen njerëzit? Disa do të ringjallen për të jetuar në qiell, ku do të sundojnë si mbretër me Krishtin. (2 Korintasve 5:1; Zbulesa 5:9, 10) Për këtë, Bibla përdor shprehjet ‘ringjallja e parë’ dhe ‘ata që do të ringjallen të parët’, dhe këto dy shprehje nënkuptojnë se më pas do të ketë edhe një ringjallje tjetër. (Zbulesa 20:6; Filipianëve 3:11) Te kjo ringjallje e dytë përfshihen ata që do të jetojnë në tokë, dhe këtë jetë do ta gëzojnë pjesa dërrmuese e atyre që do të ringjallen.​—Psalmi 37:29.

 Si do të ringjallen njerëzit? Perëndia i jep pushtet Jezuit për të ngritur të vdekurit. (Gjoni 11:25) Jezui do t’i kthejë në jetë «të gjithë ata që janë në varre», secilin sipas identitetit, personalitetit dhe kujtimeve të tij unike. (Gjoni 5:28, 29) Ata që ringjallen në qiell, marrin trup frymor, kurse ata që ringjallen për të jetuar në tokë, marrin një trup fizik plotësisht të shëndetshëm.​—Isaia 33:24; 35:5, 6; 1 Korintasve 15:42-44, 50.

 Kush do të ringjallet? Bibla thotë se «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Veprat 24:15) Te të drejtët përfshihen njerëzit besnikë, si Noeja, Sara dhe Abrahami. (Zanafilla 6:9; Hebrenjve 11:11; Jakovi 2:21) Te të padrejtët përfshihen ata që nuk jetuan sipas normave të Perëndisë, por që nuk kishin mundësi t’i mësonin dhe të jetonin në përputhje me to.

 Gjithsesi, ata që bëhen aq të ligj sa mund të konsiderohen të pandreqshëm, nuk do të ringjallen. Kur këta vdesin, shkatërrimi i tyre është i përhershëm dhe nuk kanë shpresë të kthehen sërish në jetë.​—Mateu 23:33; Hebrenjve 10:26, 27.

 Kur do të ndodhë ringjallja? Bibla paratha se ringjallja në qiell do të ndodhte gjatë pranisë së Krishtit, e cila filloi në vitin 1914. (1 Korintasve 15:21-23) Ringjallja e atyre që do të jetojnë në tokë, do të ndodhë gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezu Krishtit, kur toka të kthehet në parajsë.​—Luka 23:43; Zbulesa 20:6, 12, 13.

 Pse është e arsyeshme të besojmë te ringjallja? Bibla përmban tregime të hollësishme të nëntë ringjalljeve, secila e konfirmuar nga dëshmitarë okularë. (1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21; Luka 7:11-17; 8:40-56; Gjoni 11:38-44; Veprat 9:36-42; 20:7-12; 1 Korintasve 15:3-6) Vlen të përmendet rasti kur Jezui ringjalli Lazarin, pasi ky i fundit kishte qenë i vdekur për katër ditë dhe Jezui e kreu këtë mrekulli para një turme njerëzish. (Gjoni 11:39, 42) Edhe pse ata që iu kundërvunë Jezuit nuk mund t’i mohonin faktet e kësaj ngjarjeje, prapëseprapë komplotuan për ta vrarë Jezuin dhe Lazarin.​—Gjoni 11:47, 53; 12:9-11.

 Bibla tregon se Perëndia ka edhe aftësinë, edhe dëshirën për t’i ringjallur të vdekurit. Në kujtesën e tij të pakufishme ruan hollësitë e çdo personi që do të ringjallë me fuqinë e tij absolute. (Jobi 37:23; Mateu 10:30; Luka 20:37, 38) Perëndia jo vetëm që është në gjendje t’i rikthejë në jetë të vdekurit, por edhe dëshiron ta bëjë! Duke përshkruar ringjalljen në të ardhmen, Bibla thotë për Perëndinë: «Do të kishe mall për veprën e duarve të tua.»​—Jobi 14:15.

Ide të gabuara për ringjalljen

 Ide e gabuar: Ringjallja është ribashkimi i shpirtit dhe i trupit.

 Fakt: Bibla mëson se shpirti është i gjithë personi, jo ndonjë pjesë e tij që i mbijeton vdekjes. (Zanafilla 2:7; Ezekieli 18:4) Ai që ringjallet, nuk ribashkohet me shpirtin e tij; ai krijohet sërish si një shpirt i gjallë.

 Ide e gabuar: Disa ringjallen dhe pastaj shkatërrohen menjëherë.

 Fakt: Bibla thotë se «ata që praktikuan gjëra të poshtra», do të kenë «një ringjallje gjykimi». (Gjoni 5:29) Gjithsesi, ata do të gjykohen në bazë të veprimeve që do të bëjnë pasi të ringjallen, jo në bazë të atyre që bënë para se të vdisnin. Jezui tha: «Të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë dhe ata që i kanë vënë veshin, do të jetojnë.» (Gjoni 5:25) Ata që ‘u vënë veshin’ ose që u binden gjërave që mësojnë pasi ringjallen, do t’i kenë emrat e tyre të shkruar në ‘rrotullën e jetës’.​—Zbulesa 20:12, 13.

 Ide e gabuar: Kur një person ringjallet, ai merr po atë trup që kishte para se të vdiste.

 Fakt: Pas vdekjes, ka shumë gjasa që trupi të jetë shpërbërë e dekompozuar.​—Eklisiastiu 3:19, 20.