Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Pornografia mund të të shkatërrojë martesën

Pornografia mund të të shkatërrojë martesën

 E shoqja ia zbuloi sekretin. Ai iu përgjërua që ta falte dhe premtoi se s’do ta përsëriste më. Kështu ndodhi vërtet, ama vetëm për njëfarë kohe. Pastaj e përsëriti gabimin dhe çdo gjë nisi nga e para.

 A ndodhesh edhe ti në një situatë të ngjashme? Nëse po, duhet të kuptosh si po ndikon te bashkëshortja jote vesi i pornografisë dhe si mund ta lësh njëherë e mirë këtë ves. a

Në këtë artikull

 Çfarë duhet të dish?

 Pornografia mund ta shkatërrojë martesën. Ajo ushqen mëri dhe mosbesim te bashkëshorti i pafajshëm. b

 Një grua, burri i së cilës sheh pornografi, mund:

  •   Të ndihet e tradhtuar. Një grua me emrin Sara, thotë: «Më dukej sikur bashkëshorti më tradhtonte pa pushim.»

  •   Të ndihet e pavlerë. Një grua tha se vesi i të shoqit e bënte të ndihej «e shëmtuar dhe e turpëruar».

  •   Të humbasë besimin. Një bashkëshorte që quhet Helena, komenton: «Dyshoj për çdo lëvizje të tim shoqi.»

  •   Të përjetojë ankth. Një grua me emrin Katerina, pranon: «Shqetësimi për vesin e bashkëshortit më torturonte vazhdimisht.»

 Për të menduar: Bibla e nxit burrin ta dojë gruan. (Efesianëve 5:25) Por, a e do vërtet gruan nëse e bën të përjetojë ndjenjat që përmendëm më lart?

 Ç’mund të bësh?

 Nuk është e lehtë të heqësh dorë nga vesi i pornografisë. Një grua me emrin Stejsi, shprehet: «Bashkëshorti im la duhanin, marihuanën dhe alkoolin, mirëpo akoma po lufton me vesin e pornografisë.»

 Nëse gjendesh në të njëjtën situatë, sugjerimet vijuese mund të të ndihmojnë të heqësh dorë njëherë e mirë nga ky ves.

  •   Kupto pse pornografia është e gabuar. Pornografia nxit dëshira egoiste për të kënaqur veten. Si pasojë rrënon dashurinë, besimin dhe besnikërinë, që janë të domosdoshme për një martesë të lumtur. Gjithashtu tregon mungesë respekti për Krijuesin e martesës, Perëndinë Jehova.

     Parim nga Bibla: «Martesa të nderohet.»—Hebrenjve 13:4.

  •   Mbaj përgjegjësi për veprimet e tua. Mos thuaj: «Nëse ime shoqe do të ishte më e dashur, nuk do të kisha nevojë të shihja pornografi.» Nuk është aspak e drejtë t’ia hedhësh fajin gruas; është thjesht një justifikim i leverdisshëm për t’iu rikthyer prapë vesit kur ajo të zhgënjen.

     Parim nga Bibla: «Secili sprovohet, sepse tërhiqet dhe joshet nga dëshira e vet.»Jakovi 1:14.

  •   Komuniko hapur dhe ji i ndershëm me bashkëshorten. Një burrë me emrin Kevin, shprehet: «Flas çdo ditë me gruan time për mënyrën si reagoj ndaj situatave provokuese. Ky komunikim i vazhdueshëm i heq asaj çdo fije dyshimi.»

     Parim nga Bibla: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.

  •   Mos e humb vigjilencën. Mbase ti mendon se e ke mposhtur këtë ves, por mund të dorëzohesh prapë edhe vite më vonë. Kevini, që u përmend më lart, shpjegon: «I rezistova pornografisë për 10 vjet dhe isha më se i bindur që isha çliruar nga ky ves. Por, varësia ime ishte si një përbindësh që rrinte i fshehur diku, gati për të më sulmuar sapo t’i jepej rasti.»

     Parim nga Bibla: «Ai që mendon se po qëndron në këmbë, të hapë sytë që të mos bjerë.»—1 Korintasve 10:12.

  •   Kur tundohesh, mos u dorëzo. Edhe pse nuk i ndalon dot dëshirat e gabuara, je ti që vendos nëse do të dorëzohesh para tyre apo do t’u rezistosh. Dëshira do të të kalojë—mbase edhe më shpejt nga ç’mendon—nëse mëson ta çosh mendjen te gjëra të tjera.

     Parim nga Bibla: «Secili nga ju duhet të dijë si t’i vërë fre trupit të vet, që ta mbajë të shenjtë dhe të nderuar, e të mos jepet pas epsheve seksuale pa fre e me lakmi.»—1 Selanikasve 4:4, 5.

  •   Shmang situata që të tundojnë t’i kthehesh prapë pornografisë. Sipas një libri, «një herë që gjendesh në një situatë të rrezikshme, është si të ndezësh një fije shkrepseje. Mjafton pak benzinë . . . për të ndezur zjarrin».—Willpower’s Not Enough.

     Parim nga Bibla: «Asnjë e keqe mos më shtëntë në dorë!»—Psalmi 119:133.

  •   Mos e humb shpresën. Që të rifitosh besimin e bashkëshortes, mund të duhet një kohë e gjatë, e madje vite. Por, përvojat tregojnë se kjo është e mundur.

     Parim nga Bibla: «Dashuria është e duruar.»—1 Korintasve 13:4.

a Edhe pse ky artikull u drejtohet burrave, të njëjtat parime zbatohen edhe për gratë që shohin pornografi.

b Disa çifte të martuara mendojnë se po të shohin bashkë pornografi, mund të përmirësojnë marrëdhënien e tyre. Megjithatë, ky ves është në kundërshtim me parimet e Biblës.—Proverbat 5:15-20; 1 Korintasve 13:4, 5; Galatasve 5:22, 23.