Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Si ta ndihmosh fëmijën kur sheh lajme tronditëse

Si ta ndihmosh fëmijën kur sheh lajme tronditëse

 Lajme shokuese, shpesh të shoqëruara me filmime të hollësishme, shfaqen në televizor, në telefon, në tabletë e në kompjuter 24 orë në 24.

 Fëmijët i shohin.

 Si mund t’i ndihmosh fëmijët të mos tronditen nga këto lajme të zymta?

 Si ndikojnë lajmet te fëmija?

  •   Shumë fëmijë trazohen nga ngjarjet tragjike që shohin në lajme. Disa mbase nuk i shprehin hapur ndjenjat, ama, lajmet e këqija i tronditin shumë. a Kjo gjendje përkeqësohet nëse edhe prindërit i mbyt ankthi.

  •   Fëmijët mund t’i keqkuptojnë lajmet. Për shembull, disa fëmijë mendojnë se ajo që shohin, do t’i ndodhë familjes së tyre. Madje të vegjlit që e shohin disa herë filmimin e një incidenti tronditës, mund të mendojnë se ngjarja përsëritet.

  •   Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë nëse ngjarja është vërtet aq tragjike sa ç’e paraqesin lajmet. Mbase nuk e kuptojnë se agjencitë e lajmeve janë biznese që nxjerrin fitim nga numri i madh i ndjekësve. Ja pse, një lajm mund të ekzagjerohet për të mbajtur të mbërthyer shikuesit.

 Si ta ndihmosh fëmijën tënd të përballojë ankthin që i shkaktojnë lajmet?

  •   Kufizo ekspozimin e fëmijës ndaj lajmeve të këqija. Kjo s’do të thotë se fëmija s’duhet ta ketë haberin se çfarë ndodh në botë. Ama nuk i bën mirë të dëgjojë a të shohë vazhdimisht një lajm tronditës.

     «Ndonjëherë unë dhe im shoq e diskutojmë me detaje një lajm, pa e kuptuar sa stresohen fëmijët kur u kap veshi bisedën tonë.»—Maria.

     Parim nga Bibla: «Shqetësimi është një barrë e rëndë.»—Proverbat 12:25, Contemporary English Version.

  •   Dëgjo me durim, përgjigju me empati. Nëse fëmija e ka të vështirë të flasë për një ngjarje, sugjeroji të bëjë një vizatim për të. Diskutoji shqetësimet e fëmijës me fjalë të thjeshta që ai t’i kuptojë, por mos përmend detaje që s’kanë rëndësi.

     «Dukej që vajza jonë ndihej më mirë pasi uleshim dhe e dëgjonim. Por nuk e ndihmonim fare po t’i thoshim: ‘E po kështu janë gjërat tani, duhet të mësohemi, s’kemi rrugë tjetër.’»—Sarai.

     Parim nga Bibla: ‘Ji i shpejtë për të dëgjuar, mos u nxito për të folur.’—Jakovi 1:19.

  •   Ndihmoje fëmijën të kuptojë se lajmi nuk është aq tragjik sa ç’paraqitet. Për shembull, mënyra si paraqitet lajmi për një pengmarrje, mund ta bëjë këtë krim të duket sikur ndodh më shpesh nga ç’ndodh në të vërtetë. Shpjegoji fëmijës çfarë masash ke marrë për ta mbrojtur. Veç kësaj, mbaj parasysh se një krim raportohet në lajme pikërisht se është fenomen i rrallë, jo se ndodh zakonisht.

     «Kujdesu për anën emocionale të fëmijës. Shpesh, ndjenjat burojnë nga mendimet, prandaj nëse e ndihmon fëmijën të përqendrohet te diçka pozitive, ai do të ndihet më mirë.»—Lordes.

     Parim nga Bibla: «Zemra e të mençurit i fal gjykim të thellë gojës së vet dhe u shton forcë bindëse fjalëve të veta.»—Proverbat 16:23.

a Tregues i ankthit që përjetojnë fëmijët e vegjël mund të jetë kur urinojnë në shtrat ose kur kanë frikë të shkojnë në shkollë e të rrinë larg prindërve.