Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | RRITJA E FËMIJËVE

Fëmijët dhe media sociale—Pjesa 1: A duhet ta përdorë fëmija im median sociale?

Fëmijët dhe media sociale—Pjesa 1: A duhet ta përdorë fëmija im median sociale?

 Nga një sondazh, doli se 97 për qind e adoleshentëve përdorin median sociale. Mos ndoshta edhe fëmija yt mezi po pret të ketë një profil të tijin? Nëse po, ka disa gjëra që duhet të marrësh parasysh.

Në këtë artikull

 Si do të ndikojë te koha e fëmijës?

 Sipas faqes së internetit HelpGuide, «platformat e medias sociale janë projektuar enkas që të na vjedhin vëmendjen, të na mbajnë gjithë kohën online dhe të na nxitin të kontrollojmë vazhdimisht çfarë ka ndonjë gjë të re».

 «Pa e kuptuar fare, minutat bëhen orë ndërsa kaloj nga një postim në tjetrin. Është shumë e vështirë ta lësh telefonin dhe të gjesh diçka më të dobishme për të bërë.»—Lina 20 vjeçe.

 Pyet veten: A do të ketë aq vetëkontroll fëmija im sa t’u bindet kufizimeve që i vendos për përdorimin e medias sociale? A është aq i pjekur sa të vendosë vetë kufizime dhe t’i respektojë?

 Parim nga Bibla: ‘Bëni shumë kujdes që të ecni si të mençurit, duke e shfrytëzuar sa më mirë kohën.’—Efesianëve 5:15, 16.

Ta lësh fëmijën të përdorë median sociale pa e mësuar më parë, është si ta hipësh mbi kalë pa e stërvitur

 Si do të ndikojë te pikëpamja e fëmijës për miqësitë?

 Termi «media sociale» jep idenë se përdoruesit e saj kanë miq ose ruajnë lidhjet me ata që njohin. Por, shpesh këto lidhje janë sipërfaqësore.

 «Kam vënë re se shumë të rinj gabimisht mendojnë se sa më i madh të jetë numri i likes ose i followers, aq më shumë njerëz interesohen vërtet për ta. E besojnë këtë madje edhe kur nuk i njohin tamam këta njerëz.»—Patricia 17 vjeçe.

 Pyet veten: A është aq i pjekur fëmija im sa të mos i japë tepër rëndësi numrit të followers dhe të likes? Sa i aftë është të krijojë shoqëri offline, pra në jetën reale?

 Parim nga Bibla: «Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

 Si do të ndikojë te shëndeti emocional i fëmijës?

 Studiuesit kanë vënë re se përdorimi i tepruar i medias sociale mund të shkaktojë ndjenja vetmie, ankth e madje depresion.

 «Asnjëherë nuk të vjen mirë kur sheh nëpër postime atë që bëjnë miqtë e tu pa ty.»—Serena 19 vjeçe.

 Pyet veten: A ka fëmija im pjekurinë e duhur që të mos përqendrohet vetëm te vetja, të mos ketë frymën e konkurrencës ose të mos ndikohet tepër nga ajo që bëjnë të tjerët në median sociale?

 Parim nga Bibla: «Të mos jemi egoistë, të mos ngjallim konkurrencë mes nesh e të mos kemi zili njëri-tjetrin.»—Galatasve 5:26.

 Si do të ndikojë tek ajo që bën fëmija yt online

 Media sociale mund t’i hapë derën bullizmit kibernetik, sexting dhe pornografisë. Edhe nëse nuk është qëllimi i fëmijës të bëjë gjëra të tilla, fare kollaj mund të ekspozohet ndaj tyre.

 «Kam vënë re se ajo që qarkullon në median sociale po degradon gjithnjë e më tepër. Në të shumtën e rasteve gjuha që përdoret është vulgare dhe muzika e papërshtatshme.»—Linda 23 vjeçe.

 Pyet veten: A është aq i pjekur fëmija im sa ta përdorë me mençuri internetin? A do të ketë forcë morale për t’u qëndruar larg materialeve të papërshtatshme?

 Parim nga Bibla: «Imoraliteti seksual e çdo lloj ndyrësie a lakmie as të mos përmenden ndër ju, . . . as sjellja e turpshme, as të folurit pa mend, as shakatë e ndyra.»—Efesianëve 5:3, 4.

 A është e domosdoshme media sociale?

 Media sociale nuk është e domosdoshme për të jetuar, madje as për të pasur një jetë të rehatshme e të lumtur. Shumë të rinj janë të kënaqur që kanë zgjedhur të mos e përdorin median sociale. Ndër ta janë edhe disa që dikur i përdornin, por kanë vendosur të heqin dorë.

 «Kur pashë sa keq ndikoi media sociale te motra ime, vendosa të mos e përdorja më. Që atëherë, jam më i lumtur dhe kam një jetë më interesante.»—Nejthëni 17 vjeç.

 Përfundimi: Para se ta lejosh fëmijën të përdorë median sociale, sigurohu që të jetë aq i pjekur sa të respektojë limitet e kohës, të ruajë miqësi të shëndetshme dhe të shmangë përmbajtjen e papërshtatshme.

 Parim nga Bibla: «Mendjemprehtët matin çdo hap që hedhin.»—Proverbat 14:15.