11 DHJETOR 2020
RUSI
Vëlla Juri Savelievi, që mbahet në paraburgim prej dy vitesh, rrezikon të dënohet me 8 vite burg
Data e vendimit
Më 16 dhjetor 2020 a Gjykata e Krahinës së Leninskit në Novosibirsk mori vendimin për çështjen e vëlla Juri Savelievit. Prokuroria kërkoi që Juri të dënohet me 8 vite burg. Ky do të ishte dënimi më afatgjatë me burg që është dhënë për vëllezërit tanë në Rusi që nga vendimi i Gjykatës së Lartë më 2017.
Të dhëna
Juri Savelievi
Lindur: 1954 (Krohaljovkë, Rajoni i Novosibirskut)
Biografia: E ëma i vdiq kur ai ishte foshnjë, prandaj e ka rritur e motra. Ka punuar si hidraulik në një central elektrik. Filloi të interesohej për tema fetare pasi i vdiq e shoqja. Kuptoi se Bibla përmbante përgjigje logjike për pyetjet e tij. Në vitin 1996 u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait
Historiku i çështjes
Më 8 nëntor 2018, policia bastisi apartamentin e tij dhe shtëpitë e nëntë Dëshmitarëve të tjerë në Rajonin e Novosibirskut. Jurin e arrestuan dhe e futën në një qendër paraburgimi.
Atë e akuzuan për organizim të aktiviteteve të Dëshmitarëve të Jehovait në qytet. Pavarësisht nga apelimet për ta liruar, autoritetet ia kanë zgjatur nëntë herë periudhën e paraburgimit. Juri ka kaluar mbi 2 vjet në burg. Që nga vendimi i Gjykatës së Lartë Ruse në vitin 2017, vetëm vëllezërit Denis Kristenseni dhe Sergej Klimovi kanë qëndruar në burg më shumë se ai.
Gjatë deklaratës së tij të fundit në gjyq, të mërkurën më 9 dhjetor 2020, Juri i tha plot guxim gjykatësit: «E gjej veten në pozitën e të pandehurit në këtë gjyq, jo sepse kam kryer ndonjë krim, por sepse zbatoj mësimet fetare të Dëshmitarëve të Jehovait.
Nuk kam asnjë armik. Sot jam pothuajse 67 vjeç dhe nuk jam akuzuar kurrë për shkelje civile a penale. Kam vendosur të jem asnjanës politikisht. Jam kundër dhunës të çfarëdolloj forme, qoftë verbale, psikologjike a fizike.
Falë kërkesave të Perëndisë e ndiej për detyrë që t’i trajtoj të gjithë njerëzit me respekt, pavarësisht nga pozita shoqërore, kombësia ose bindjet fetare.
Fjala e Perëndisë na nxit që t’i trajtojmë me respekt edhe autoritetet. Te Romakëve 13:1-3 thuhet pjesërisht: ‘Çdo njeri të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, pasi nuk ka autoritet që të mos jetë lejuar nga Perëndia, dhe autoritetet ekzistuese janë në pozita relative nga Perëndia. Prandaj, ata që u kundërvihen autoriteteve, i kundërvihen rregullit të Perëndisë.’
Unë nuk u kundërvihem autoriteteve, sepse nuk dua t’i dal kundër Perëndisë: kjo do të thoshte dënim me vdekje. Vetëm falë Dëshmitarëve të Jehovait kam njohur të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Birin e tij, Jezu Krishtin. Falë tyre, jam bindur se Shkrimet e Shenjta, pra, Bibla, është një libër unik. Ajo na ndihmon në çdo aspekt të jetës.»
Marrim zemër kur shohim se besimi i Jurit është i fortë dhe se shprehja e tij e fytyrës vërteton se Jehovai e ka bekuar, duke e mbushur me paqe të pafund.—Isaia 26:3.
a Data edhe mund të ndryshojë.