Kalo te përmbajtja

Qyteti i Ikaluitit, Nunavut, Kanada. Fotografia e vogël: vëllezër e motra jashtë Sallës së Mbretërisë pas programit të kushtimit

22 SHTATOR 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE

Mesazhi për Mbretërinë prek zemrat e njerëzve në skajet më veriore të Kanadasë dhe të SHBA-së

Mesazhi për Mbretërinë prek zemrat e njerëzve në skajet më veriore të Kanadasë dhe të SHBA-së

Vëllai Mark Sanderson mban fjalimin e kushtimit në Ikaluit, Nunavut

Më 20 maj 2023, vëllai Mark Sanderson, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit për një Sallë Mbretërie të re në Ikaluit, Nunavut, Kanada. Të pranishëm në programin e kushtimit ishin gjithsej 44 veta, kurse 388 të tjerë u lidhën me videokonferencë. Nunavuti konsiderohet si një nga vendet që ka popullsi me dendësi më të ulët në botë, me më pak se 40.000 banorë dhe me një sipërfaqe prej rreth 1.837.000 kilometrash katrorë. Siç është raportuar edhe më parë në jw.org, vëllezërit kanë kapërcyer shumë sfida unike për të ndërtuar këtë Sallë Mbretërie. Dëshmitarët e guximshëm që çuan lajmin e mirë në këtë territor të izoluar, u përballën me një mot të acartë dhe me një terren të vështirë. Gjatë programit të kushtimit iu dha vëmendje të veçantë besnikërisë dhe vendosmërisë që treguan ata.

Territori në veri të Kanadasë përbën 40 për qind të sipërfaqes së vendit dhe përfshin Nunavutin, Territoret Veriperëndimore dhe Jukonin

Në vitin 1976, motër Margaret Gali u transferua nga Montreali, Kuebek, në një komunitet 2.052 kilometra larg, që sot njihet si Ikaluit, Nunavut. Ajo ishte Dëshmitarja e parë që predikoi në atë zonë të paanë e të shkretë. Më vonë, po atë vit, vëlla Hans Pintari, i cili shërbente si mbikëqyrës qarkor, dhe gruaja e tij, Minerva, i bënë një vizitë të veçantë 1-javore motër Galit, për ta inkurajuar dhe për të dalë me të në shërbim.

Më vonë, më 1983, një grup i vogël Dëshmitarësh të zellshëm udhëtuan për në Ikaluit. Përpjekjet e tyre në veprën e predikimit sollën fryt kur pjesëtarët e një familjeje u bënë banorët e parë që u pagëzuan në atë zonë. Përgjatë 20 viteve pasuese, lajmëtarë të guximshëm të Mbretërisë udhëtuan disa herë drejt këtij rajoni të izoluar për të përhapur lajmin e mirë. Në vitin 2008, në Ikaluit u formua një grup. Aty nga viti 2010, ai grup i vogël u bë kongregacion. Vëllezërit e motrat i mbanin mbledhjet në palestrën e një shkolle, prandaj u kënaqën jashtë mase kur, në tetor të 2022-shit, filluan të mblidheshin në një Sallë Mbretërie të sapondërtuar.

Përgjatë viteve, lajmëtarë vetëmohues përballuan me guxim kushtet sfiduese në skajin verior të Kanadasë

Përveçse në Ikaluit, pionierë specialë e të tjerë predikuan në territore të tjera të thella anekënd Nunavutit. Ndër ta ishte vëlla Xhoel Therrieni dhe gruaja e tij, Sherila, që u transferuan në Bejkër-Lejk, i cili ndodhet 1.329 kilometra në perëndim të Ikaluitit. Vëlla Therrieni tregon: «Pavarësisht nga moti i acartë, izolimi dhe shpenzimet, ia vlejti çdo sakrificë. Bekimi i Jehovait dukej qartë nga reagimi pozitiv i atyre që jetonin në Bejkër-Lejk. E shijuam shumë mundësinë që kishim për t’u treguar mesazhin e Biblës njerëzve që banonin atje.»

Vëllezërit Xhoel Therrieni dhe Xhozef Utatnaku në kongresin rajonal «Prisni me durim!» që u mbajt në Vinipeg, Kanada, më 25 gusht 2023

Xhozef Utatnaku është një nga banorët në Bejkër-Lejk që pranoi lajmin e mirë për Mbretërinë. Ai studioi Biblën me vëlla Therrienin dhe u pagëzua më 2021. Tani vëlla Utatnaku është lajmëtari i vetëm në Bejkër-Lejk. Kur mori vesh se programi i kushtimit të Sallës së Mbretërisë në Ikaluit do të zhvillohej në maj të 2023-shit, bëri shumë përpjekje që të ishte i pranishëm. Që nga koha kur u pagëzua, ishte hera e parë që mblidhej në një Sallë Mbretërie me motrat e vëllezërit. Ai komenton: «U preka thellë kur pashë Sallën e Mbretërisë të përfunduar. Shumë nga ata që ndihmuan në ndërtimin e sallës, nuk ishin vendës dhe nuk ishin mësuar me klimën e me kushtet këtu. Dukej qartë se motivi i tyre ishte dashuria për Jehovain dhe për të tjerët.»

Aktualisht ka gjithsej 178 vëllezër e motra që shërbejnë në 4 kongregacione në territorin verior, ku përfshihet 1 kongregacion në Nunavut, 2 në Territoret Veriperëndimore dhe 1 në Jukon. Ky territor zë thuajse 40 për qind të sipërfaqes së Kanadasë. Për shkak të të ftohtit ekstrem dhe të mjedisit të ashpër në skajin verior të Kanadasë, është sfidë të takosh njerëzit që jetojnë në këto zona të izoluara. Ja pse i admirojmë përpjekjet e vëllezërve e të motrave që tregohen të gatshëm për të predikuar lajmin e mirë në këto territore të largëta.—Veprat 1:8.

TERRITORET E IZOLUARA TË ALASKËS, SHBA

Lart djathtas: Salla e Mbretërisë në Heins, Alaskë. Poshtë djathtas: kongregacioni në Heins, në Sallën e re të Mbretërisë

Alaska është shteti më i madh e më verior i Shteteve të Bashkuara dhe zë një sipërfaqe prej rreth 1.723.000 kilometrash katrorë, pra 2 herë sa sipërfaqja e Teksasit. Në Alaskë jetojnë rreth 730.000 veta. Lajmi i mirë për Mbretërinë mbërriti në Alaskë që në vitin 1897, dhe sot ka rreth 2.400 lajmëtarë që shërbejnë në 30 kongregacione dhe në 8 grupe. Në qytetin më të madh të Alaskës, në Ankorixh, ka 10 kongregacione dhe 5 grupe të gjuhëve të ndryshme, ndër to gjuha hmonge (e bardhë), koreane, ruse, samoane dhe jupike e Alaskës Qendrore, që është një gjuhë indigjene. Edhe në qytete të tjera si Ferbenks, Xhunou dhe Uisila, ka kongregacione dhe grupe në gjuhë të ndryshme. Përveç kësaj, lajmi i mirë po predikohet edhe në vende të izoluara, të tilla si qytezat e Bethelit, Rengëllit dhe Heinsit.

Vëllai Keneth Kuk duke mbajtur fjalimin e kushtimit në Heins, Alaskë

Në gusht të 2014-s, dy pionierë specialë, vëllezërit Sebabi Leballo dhe Dastin Uatson, u ftuan të transferoheshin në Heins, Alaskë, që ndodhet rreth 825 kilometra në juglindje të Ankorixhit. Brenda vitit, kishin filluar 40 studime të Biblës me të interesuarit vendës. Disa nga studentët përparuan deri në pagëzim. Në vitin 2018 kishte një kongregacion të vogël në Heins dhe mbledhjet mbaheshin në një bibliotekë të qytezës. Në vitin 2021 u ble një ndërtesë, e cila u rimodelua dhe u bë Sallë Mbretërie. Më vonë, në shtator të 2022-shit, vëllai Keneth Kuk, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e kushtimit para një auditori me 48 veta, kurse 86 të tjerë u lidhën me videokonferencë. Sot, ky kongregacion me 21 lajmëtarë predikon lajmin e mirë në Heins dhe në zona të tjera të largëta.

Vëllezërit Dastin Uatson (në të majtë) dhe Sebabi Leballo (në të djathtë) pasi mbërritën në Heins, Alaskë, më 2014

Pasi ndoqi programin e kushtimit të Sallës së Mbretërisë në Heins në vitin 2022, vëlla Leballo tregon: «Kur erdha këtu 8 vjet më parë, dukej e pamundur që një ditë të kishte një kongregacion dhe një Sallë Mbretërie në këtë vend. Marr shumë zemër kur shoh se edhe në vende të largëta, Jehovai bën të mundur që ‘njerëz të çdo lloji’ të mësojnë për të.»—1 Timoteut 2:4.