Kalo te përmbajtja

Të pranishmit në Përkujtim u mblodhën në një godinë të marrë me qira në Rozdil, Ukrainë

19 PRILL 2023
LAJME NDËRKOMBËTARE

Marrin pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit për vitin 2023, pavarësisht nga vështirësitë

Marrin pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit për vitin 2023, pavarësisht nga vështirësitë

Të martën më 4 prill 2023, miliona Dëshmitarë të Jehovait bashkë me të ftuarit e tyre përkujtuan vdekjen e Krishtit. Shumë kapërcyen sfida të mëdha për të marrë pjesë në këtë ngjarje të veçantë.

Ukrainë

Për shembull, në Ukrainë, mijëra veta ndoqën Përkujtimin, pavarësisht nga moti i keq dhe nga luftimet e ashpra në disa zona. Për shkak të situatës së rrezikshme në një qytezë në lindje të Ukrainës, pleqtë ua dhanë lajmëtarëve të kongregacionit fjalimin e regjistruar të Përkujtimit një javë përpara. Disa ditë më vonë, në atë zonë u ndërprenë interneti dhe energjia elektrike, jo për shkak të luftimeve të ashpra, por për shkak të një stuhie të fortë. Gjithsesi, kushdo në kongregacion nxori dobi nga fjalimi i regjistruar paraprakisht, me gjithë ndërprerjet e energjisë dhe luftimet e vazhdueshme.

Kazakistan

Violeta 15-vjeçare nga Kazakistani u përball me kundërshtimin në familje. Gjyshi i saj, me të cilin jeton, ishte kundërshtar i flaktë i së vërtetës për rreth 20 vjet. Shpesh përpiqej t’i pengonte për në mbledhje, madje ua shkatërronte literaturën. Megjithatë, ngaqë e kishte shumë për zemër mbesën, herë pas here fliste me të për Biblën. Për habi të Violetës, këtë vit gjyshi pranoi të studionte Biblën dhe ndoqi Përkujtimin.

Lart: Suai, Timori Lindor. Poshtë: Same, Timori Lindor

Të tjerë e patën të vështirë të ndiqnin Përkujtimin për shkak të distancave të largëta. Në Timorin Lindor, lajmëtarët po studiojnë rregullisht Biblën nëpërmjet telefonit me 55 veta në qytetin e Sames dhe të Suait. Të dy qytetet ndodhen disa orë larg me motoçikletë nga kongregacioni më i afërt i Dëshmitarëve të Jehovait. Prandaj, vëllezërit morën masa që në këto qytete ta mbanin Përkujtimin nëpër shtëpi private. Një plak bëri 4 orë rrugë vetëm vajtje për të mbajtur fjalimin e Përkujtimit në Same, ku morën pjesë 56 veta. Një plak tjetër udhëtoi për rreth 7 orë për në Suai, ku Përkujtimin e ndoqën mbi 50 veta.

Hualpen, Kili

Vëllezërit tanë në Hualpen, Kili, hasën vështirësi për të gjetur një vend të përshtatshëm për Përkujtimin. Prandaj i kërkuan ndihmë zyrtarit vendës për çështjet fetare. Vëllezërit u kënaqën shumë kur pak orë para Përkujtimit, ai i kontaktoi dhe u ofroi të përdornin mensën e një shkolle. Ata iu përveshën punës menjëherë dhe e kthyen mensën në një sallë të këndshme për mbledhje. Zyrtari për çështjet fetare dhe kryetari i bashkisë së qytetit pranuan ftesën e vëllezërve për të marrë pjesë në Përkujtim. Kryebashkiaku komentoi: «I përgëzoj të pranishmit për rregullin dhe respektin që kanë shfaqur—madje edhe fëmijët u sollën shumë mirë. Do t’ju mbështetim me kënaqësi edhe në të ardhmen.»

Monako

U gëzuam edhe kur dëgjuam se në nëntor 2022, vëllezërit tanë në Monako morën njohjen ligjore. Pasi mbajtën Përkujtimin në një godinë tërheqëse të marrë me qira, një i ftuar komentoi: «Ky ambient është shumë i bukur, por bukurinë e vërtetë ia japin njerëzit që janë këtu.»

Marrim zemër nga gjithë vëllezërit e motrat që përballuan këto sfida dhe shumë të tjera, që t’i bindeshin urdhrit të Krishtit për t’u mbledhur bashkë ‘në kujtim’ të tij.—Luka 22:19.