Kalo te përmbajtja

19 SHKURT 2020
LAJME NDËRKOMBËTARE

Bibla e parë e plotë në gjuhën e shenjave, në të gjithë botën

Bibla e parë e plotë në gjuhën e shenjave, në të gjithë botën

Më 15 shkurt 2020, vëlla Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës prezantoi librin e fundit të Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re, të përkthyer në gjuhën amerikane të shenjave (ASL). Kjo është Bibla e parë e plotë në gjuhën e shenjave, në të gjithë botën. Ky njoftim historik ishte pikë kulmore e programit të kushtimit të Zyrës Rajonale të Përkthimit për ASL-në, në Ford-Lodërdejll, Florida, SHBA. Programi u mbajt në Qendrën e Kongreseve të Dëshmitarëve të Jehovait në West Palm Beach, Florida.

Më shumë se 2.500 veta ishin të pranishëm në sallë, ndërsa 15.635 të tjerë e ndoqën drejtpërdrejt nga disa Salla Mbretërie në Belize, Haiti, Kanada, Republikën Domenikane, Shtetet e Bashkuara dhe Trinidad e Tobago. Numri total i kalonte 18.000 veta.

Vëlla Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, teksa interviston disa vëllezër

Pas fjalimit të kushtimit, vëlla Xheksoni njoftoi se kishte mbaruar libri i fundit i Biblës në ASL. Në përfundim të fjalimit, ai komentoi: «Duam t’ju tregojmë diçka shumë veçantë. Me daljen e librit të Jobit, tani Përkthimi Bota e Re është i plotë . . . Me sa dimë ne, Dëshmitarët e Jehovait janë organizata ose grupi i parë që kanë përkthyer të gjithë Biblën në ASL. Ka shumë mundësi që kjo të jetë Bibla e parë e plotë në gjuhën e shenjave në historinë e njerëzimit.»

Prezantimi i librit të Jobit ishte kurorëzimi i një pune 15-vjeçare. Në vitin 2004, Trupi Udhëheqës dha miratimin që Përkthimi Bota e Re të dalë edhe në ASL. Dy vjet më vonë u prezantua libri i Mateut, kurse pjesa tjetër e Shkrimeve Greke dolën gradualisht derisa përfunduan më 2010. Ndërsa Shkrimet Hebraike dolën gjatë dekadës së fundit.

Prezantimi i Përkthimit Bota e Re në ASL përgjatë viteve ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm tek ata që nuk dëgjojnë. Isias Itën, një lajmëtar i pranishëm në këtë rast, tha: «Sapo pashë Përkthimin Bota e Re, m’u mbushën sytë me lot. Kur e lexoja Biblën në anglisht, nuk më prekte zemrën. Por, kur fillova ta shihja në gjuhën e shenjave, s’i mbaja dot lotët.»

Ky përkthim ka ndikuar jashtë mase edhe te shërbimi i shumë lajmëtarëve që flasin këtë gjuhë. David Gonzalezi, një përkthyes i ASL-së në Zyrën Rajonale të Përkthimit, u shpreh: «Kjo Bibël më ka ndihmuar ta kuptoj plotësisht të vërtetën dhe të jem i guximshëm në shërbim. Para se ta kishim në ASL, ndihesha i pasigurt dhe shpresoja që i zoti i shtëpisë të mos më bënte ndonjë pyetje të vështirë. Por tani jam i sigurt dhe gati për çdo pyetje.»

Nikolas Ahladis, që punon te Shërbimet e Përkthimit në selinë botërore në Uoruik, Nju-Jork, shpjegon: «Ky projekt është një model për gjuhët e tjera të shenjave. Sot, disa libra të Biblës disponohen në 17 gjuhë të shenjave dhe përkthimi vazhdon.»

Pa dyshim, Përkthimi Bota e Re i plotë në ASL do t’u prekë zemrën akoma më shumë njerëzve dhe do t’i ndihmojë t’i afrohen edhe më tepër Jehovait.—Veprat 2:6.