Kalo te përmbajtja

16 JANAR 2020
MBRETËRIA E BASHKUAR

Familja Bethel në Britani transferohet në shtëpinë e re në Çelmsford

Familja Bethel në Britani transferohet në shtëpinë e re në Çelmsford

Më 1 janar 2020 familja Bethel në Britani filloi të transferohej në godinat e reja të Bethelit, afër Çelmsfordit, Eseks. Nga fillimi i marsit 2020 të gjithë vullnetarët që punojnë në kohë të plotë në degë do të jenë në zyrën e re të degës.

Dega e Britanisë ka qenë në Mill Hill, Londër, që nga viti 1959. Meqë po zgjerohej vepra e predikimit dhe po shtohej puna, dega bleu disa godina në zona të ndryshme të Londrës. Për t’i mirëmbajtur, duheshin shpenzime shtesë. Ndërsa pjesëtarët e familjes Bethel duhej të lëviznin sa në një zonë në tjetrën. Madje, për njëfarë kohe dega shtypte literaturë që mbulonte mbi 10 për qind të fushës mbarëbotërore. Shtypshkronjat u mbyllën dhe u shitën në mars 2018, pasi ishin përdorur për 92 vjet me radhë për të shtypur literaturë. a

Vëllezër e motra që ndihmuan në ndërtimin e zyrës së re të degës, mirëpresin bethelitët më 1 janar 2020

Dega e re e Britanisë përfundoi pas pesë vitesh punë. Tani të gjitha repartet e Bethelit janë në të njëjtën zonë. Kështu puna do të jetë më efikase dhe do të kursehen fonde. Kompleksi përfshin godinën e studiove video, godinën e punëtorive të mirëmbajtjes, godinën e zyrave dhe gjashtë godina banimi për më shumë se 400 veta. Një godinë shumëfunksionale do të shërbejë si sallë e madhe, sallë ngrënieje dhe për raste të tjera.

Dega e Britanisë mbikëqyr veprën e predikimit edhe në shumë territore të tjera, si Ishujt Falkland, Guernsei, Irlandë, ishulli Men, Xhersi dhe Maltë. Tani dega e re do të përqendrohet te prodhimet audio dhe video, si dhe te botimet dixhitale. Përveç kësaj, dega do të vazhdojë të mbështetë veprimtaritë teokratike të më shumë se 150.000 lajmëtarëve, që shërbejnë në mbi 1.800 kongregacione.

Vizitat në Bethelin e ri janë programuar të nisin më 6 prill 2020. Vizitorët do të shijojnë ekspozitat me tema, si historia e Biblës në Britani dhe në Irlandë, dhe do të mësojnë ç’rol luan Betheli në organizatën dinamike të Jehovait.

Vëlla Stivën Hardi, anëtar i Komitetit të Degës në Britani, ka marrë pjesë në këtë projekt që nga fillimi. Ai i përmblodhi me dy fjalë ndjenjat e gjithë atyre që punuan në këtë projekt: «Jehovai e ka intensifikuar frymën e gatishmërisë së shumë e shumë vullnetarëve nga dega jonë dhe jashtë saj. Rezultatet i kanë tejkaluar pritshmëritë tona, dhe e gjithë kjo i jep lavdi Jehovait.»—Efesianëve 3:20.

a Për literaturën e shtypur që duhet në territorin e degës së Britanisë, tani kujdeset dega e Evropës Qendrore në Selters, Gjermani.

 

Pamje nga lart e degës së Britanisë në mes të gjelbërimit

Një motër vë literaturë në një stendë në recepsion për vizitorët

Vëllezër e motra që punojnë si vullnetarë të jashtëm në Bethel, marrin udhëzime gjatë një mbledhjeje orientimi në një nga dhomat e reja të konferencave

Vëllezër e motra shijojnë drekën në sallën e ngrënies, një nga funksionet e kësaj godine shumëfunksionale

Shenjë rrugore «Udha e Mbretërisë» në hyrje të Bethelit