Kalo te përmbajtja

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet?

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet?

 Dëshmitarët e Jehovait nuk i festojnë ditëlindjet ngaqë besojnë se këto festa nuk i pëlqejnë Zotit. Megjithëse nuk e thotë troç se ditëlindjet s’duhen festuar, Bibla na ndihmon të arsyetojmë rreth disa aspekteve kyç të këtyre rasteve dhe të kuptojmë se ç’mendon Zoti për to. Të shqyrtojmë katër aspekte të tilla, si dhe parimet biblike që lidhen me to.

  1.   Festimet e ditëlindjeve kanë origjinë pagane. Sipas botimit Funk & Wagnalls Standard Dictionary of Folklore, Mythology, and Legend, këto festime erdhën nga besimi se në ditëlindjen e një njeriu, «frymërat dhe forcat e liga mund ta sulmojnë atë që feston» dhe se «prania e miqve dhe urimet ndihmojnë për ta mbrojtur». Libri The Lore of Birthdays thotë se në kohët e lashta, regjistrimet e ditëlindjeve ishin «themelore për të përcaktuar horoskopin», bazuar në «shkencën mistike të astrologjisë». Ky libër shton se «në besimet popullore, qirinjtë e ditëlindjes kanë fuqi të veçanta magjike për plotësimin e dëshirave».

     Mirëpo, Bibla dënon magjinë, fallin, spiritizmin ose «gjëra si këto». (Ligji i përtërirë 18:14; Galatasve 5:19-21) Në fakt, një arsye pse Zoti e dënoi qytetin e lashtë të Babilonisë ishte se banorët e tij praktikonin astrologjinë, që është një formë falli. (Isaia 47:11-15) Dëshmitarët e Jehovait nuk merren me origjinën e çdo zakoni, gjithsesi kur Shkrimet japin një drejtim të qartë, ne nuk e shpërfillim.

  2.   Të krishterët e hershëm nuk i festonin ditëlindjet. The World Book Encyclopedia thotë se «ata e konsideronin një zakon pagan festimin e lindjes së dikujt». Bibla tregon se apostujt dhe të tjerë që u mësuan drejtpërdrejt nga Jezui vendosën një model që të gjithë të krishterët duhet ta ndjekin.​—2 Selanikasve 3:6.

  3.   I vetmi kremtim që kërkohet nga të krishterët nuk është një lindje, por një vdekje, vdekja e Jezuit. (Luka 22:17-20) Kjo nuk duhet të na habitë, sepse Bibla thotë se «dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes». (Eklisiastiu 7:1) Në fund të jetës në tokë, Jezui kishte bërë një emër të mirë para Perëndisë, prandaj dita e vdekjes së tij ishte më e rëndësishme se dita e lindjes.​—Hebrenjve 1:4.

  4.   Bibla nuk përmend asnjë shërbëtor të Perëndisë që të ketë festuar ditëlindjen. Kjo nuk është thjesht një harresë, sepse në të është dokumentuar festimi i dy ditëlindjeve të njerëzve që nuk i shërbenin Perëndisë. Prapëseprapë, të dyja rastet janë paraqitur në një dritë negative.​—Zanafilla 40:20-22; Marku 6:21-29.

A ndihen fëmijët e Dëshmitarëve sikur u është mohuar diçka ngaqë nuk festojnë ditëlindjet?

 Si çdo prind i mirë, edhe Dëshmitarët u shprehin dashurinë fëmijëve të tyre gjatë gjithë vitit, duke u dhënë dhurata dhe duke u mbledhur për raste të gëzueshme. Ata përpiqen të ndjekin shembullin e përsosur të Zotit, i cili kurdoherë u jep gjëra të mira bijve të vet. (Mateu 7:11) Fëmijët e Dëshmitarëve nuk ndihen sikur u është mohuar diçka, siç tregojnë komentet vijuese:

  •   «Është më qejf kur merr një dhuratë atëherë kur s’e pret.»​—Tami, 12 vjeç.

  •   «Edhe pse nuk marr dhurata për ditëlindje, prapëseprapë prindërit më blejnë dhurata herë të tjera. Më pëlqen kështu sepse është surprizë.»​—​Gregori, 11 vjeç.

  •   «Pse, vetëm dhjetë minuta, ca ëmbëlsira dhe një këngë janë festë? Hajdeni në shtëpinë time për të parë se çfarë është një festë e vërtetë!»​—Eriku, 6 vjeç.