Kalo te përmbajtja

Ata vazhduan të përhapnin lajmin e mirë gjatë pandemisë

Ata vazhduan të përhapnin lajmin e mirë gjatë pandemisë

 Gjatë pandemisë COVID-19, motrat e vëllezërit tanë i kanë përshtatur mënyrat si u japin të tjerëve mesazhin ngushëllues të Biblës. Në vend që të predikojnë në vende publike ose të shkojnë në shtëpitë e njerëzve, ata e kanë përhapur këtë mesazh kryesisht nëpërmjet telefonit dhe letrave. a Shumë veta kanë shprehur vlerësim për përpjekjet e tyre dhe bekimi i Jehovait ka qenë i dukshëm. (Proverbat 16:3, 4) Ja disa eksperienca nga një shtet ishullor.

 Para pandemisë, Helena kishte vizituar rregullisht një grua të re dhe e kishte ftuar të studionte Biblën me të. Gruaja nuk kishte pranuar asnjëherë. Gjithsesi, ditën para se të fillonin kufizimet për shkak të COVID-19, Helena i dha asaj një Bibël dhe librin Çfarë na mëson Bibla? Gjatë mbylljes, Helena e ftoi përsëri këtë grua të studionin Biblën së bashku dhe i shpjegoi se studimi do të zhvillohej nëpërmjet telefonit. Këtë herë ajo pranoi. I pëlqyen jashtë mase bisedat dhe, pa kaluar shumë, i kërkoi Helenës që ta bënin studimin çdo ditë. Veç kësaj, kjo e re filloi të ndiqte rregullisht mbledhjet tona nëpërmjet telefonit. Madje, jo vetëm që po i zbaton në jetën e saj mësimet e Biblës, por po u flet edhe të tjerëve për gjërat që mëson.

 Dëshmitarët në një kongregacion u shkruan letra policëve në komunitet për t’i falënderuar për shërbimin e tyre të çmuar dhe për t’u dhënë dëshmi. Policët u habitën shumë kur morën këto letra. Një oficer i tha Xhefersonit, një plaku kongregacioni: «Mendoja se Dëshmitarët e Jehovait nuk i kishin qejf policët.» Xhefersoni i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Policëve iu bë qejfi aq shumë nga fjalët pozitive që lexuan, sa i vendosën letrat në një tabelë në hyrje të rajonit të policisë. Një oficer tjetër tha: «Kjo mund t’i ndihmojë edhe të tjerët të kenë mendim pozitiv për ne.»

 Edna dhe Ednalina janë pioniere të rregullta. b Ngaqë nuk kanë linjë interneti në shtëpi, nuk lidheshin dot me mbledhjet e kongregacionit nëpërmjet videokonferencës. Prandaj i telefonuan fqinjës së tyre që nuk është Dëshmitare, për ta pyetur nëse mund të përdornin lidhjen e saj Wi-Fi dhe i ofruan të paguanin për këtë shërbim. Me dashamirësi kjo grua i lejoi të përdornin internetin e saj falas. Kur Edna dhe Ednalina e ftuan edhe atë të shihte mbledhjet tona, gruaja pranoi. Tani ajo fqinje, një nga fëmijët e saj dhe dy mbesat e saj po studiojnë Biblën me Dëshmitarët dhe po ndjekin rregullisht mbledhjet tona.

 Vëllezërit e motrat ftuan fqinjët, shokët e punës dhe të tjerë që të ndiqnin një fjalim publik që do të mbahej virtualisht. Në fillim, Elejna, e cila punon në një nga spitalet e zonës, ngurronte të ftonte kolegët e saj. Mendonte se disa mjekë kishin opinion negativ për Dëshmitarët. Prapëseprapë, me anë të mesazheve u dërgoi një ftesë të përzemërt mjekëve të spitalit. Në veçanti Elejna ngurronte të ftonte dy mjekë që janë burrë e grua. Mirëpo, pasi e mendoi mirë e mirë dhe u lut për këtë çështje, vendosi t’u çonte një ftesë me mesazh. Gruaja iu përgjigj: «Me sa duket, do që të më futësh në fenë tënde?» Elejna i shkroi se në mbledhjet tona ishte i mirëpritur kushdo, jo vetëm Dëshmitarët e Jehovait. Të nesërmen, Elejna u habit shumë kur pa se çifti u lidh me mbledhjen që para se të fillonte! Ajo thotë: «Akoma pa mbaruar mbledhja, gruaja më dërgoi një mesazh që thoshte: ‘Kjo është hera e parë që ndjek një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Më pëlqeu. Jam shumë e kënaqur. Faleminderit që më ftove!’»

Elejna

 Elejna ftoi 20 mjekë në mbledhje dhe u gëzua shumë kur mori vesh se 16 prej tyre morën pjesë. Duke cituar fjalët e apostullit Pavël, ajo thotë: «Jam e lumtur që ‘mora guxim’ për t’ua thënë ‘lajmin e mirë të Perëndisë’ kolegëve të mi.»—1 Selanikasve 2:2.

 Pandemia ka qenë e vështirë për të gjithë. Por vëllezërit e motrat në këtë shtet ishullor dhe kudo tjetër ia kanë dalë të ruajnë gëzimin dhe qëndrimin pozitiv, duke bërë gjithçka mundën për të ngushëlluar dhe për të ndihmuar të tjerët.—Veprat 20:35.

a Dëshmitarët e Jehovait e kryejnë shërbimin e tyre duke respektuar ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale.

b Pionierët janë shërbëtorë fetarë në kohë të plotë.