Duke ndihmuar të verbrit në Afrikë
Në disa vende në zhvillim të verbrit nuk kanë gjithmonë të njëjtat mundësi si të verbrit në vende të tjera. Nganjëherë shoqëria i mënjanon dhe nuk marrin ndihmën e nevojshme për të përballuar disa vështirësi në jetë, të cilat, ata që shohin, as i llogaritin. Për shembull, psonisja, autobusi dhe përdorimi i përditshëm i parave mund të jenë goxha të vështira. Edhe leximi mund të jetë problem. Jo të gjithë lexojnë në braile. Edhe po të lexojnë, mezi gjejnë botime në gjuhën e tyre.
Për më se 100 vjet, Dëshmitarët e Jehovait kanë prodhuar literaturë biblike për të verbrit. Kohët e fundit Dëshmitarët kanë dërguar nga Holanda në Malavi pajisje për të shtypur e për të lidhur botimet në braile me qëllim që të sigurojnë botime braile në çikeve, një gjuhë që flitet në Malavi.
Leo, një Dëshmitar i Jehovait që punon në zyrën e degës në Brazil dhe që ka përvojë në botimin e literaturës në braile, shkoi në Malavi. Ai ndihmoi një skuadër prej pesë vetash të mësonin të përdornin pajisjet dhe një program kompjuterik për transkriptimin në braile të krijuar nga Dëshmitarët. Programi transkripton tekstin në braile të gjuhës çikeve. Që ky program të punonte, skuadrës iu desh të krijonte një tabelë konvertimi që përmbante edhe germat e zakonshme, edhe ato të gjuhës braile. Programi mund të konvertojë tekstin origjinal në braile dhe ta formatojë botimin në një mënyrë që të verbrit ta lexojnë lehtë. Le të shohim çfarë kanë thënë disa nga Malavia për botimet në braile.
Munyaradzi është një grua e re e verbër që punon me orar të reduktuar në radio, ku drejton emisionin e saj. Kalon edhe 70 orë çdo muaj duke u mësuar të tjerëve për Biblën. Ajo komenton: «Në të kaluarën i merrja botimet braile në anglisht, por tani që i lexoj në gjuhën e nënës më kanë prekur shumë. Jam shumë mirënjohëse për gjithë përpjekjet dhe shpenzimet që kanë bërë bashkëbesimtarët e mi për t’i pasur botimet braile në gjuhën tonë. Kështu ndiej se nuk na kanë harruar dhe na shohin si të rëndësishëm.»
Francis është një Dëshmitar që jeton në veri të Malavisë. Ngaqë është i verbër, dikur kishte nevojë që t’i lexonin të tjerët. Kur mori botimin e parë braile në çikeve, u shpreh: «Mos jam në ëndërr?! Është mrekulli!»
Loyce, edhe ajo e verbër, predikon në kohë të plotë si Dëshmitare e Jehovait. Ajo ka ndihmuar 52 veta të ndryshojnë jetën për mirë. Si? Duke përdorur botimet në braile me studentët e saj të cilët e ndjekin në botimet e shtypura, të gjitha të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait.
Leo, instruktori nga Brazili i përmendur më lart, tha: «Ndiej kënaqësi të jashtëzakonshme kur u jap njerëzve botime biblike në braile dhe shoh reagimin e tyre teksa dallojnë se po lexojnë në gjuhën e vet. Shumë janë shprehur sa mirënjohës i janë Jehovait dhe sa të kënaqur ndihen ngaqë mund të përgatiten për mbledhjet e për predikimin pa ndihmën e të tjerëve. S’kanë më nevojë t’u lexojë dikush tjetër. Tani për ta studimi personal është vërtet personal. Ata mund të ndihmojnë familjet e tyre të përparojnë frymësisht. Këto botime i ndihmojnë të afrohen më shumë me Jehovain.»