Kalo te përmbajtja

Predikojnë përgjatë lumit Xingu

Predikojnë përgjatë lumit Xingu

Në fillim të korrikut 2013, një grup me 28 Dëshmitarë të Jehovait në Brazil u nis nga qyteti São Félix do Xingu drejt territorit të indianëve kajapu dhe juruna. Me një barkë 15 metra të gjatë, ata lundruan kundër rrjedhës së lumit Xingu, i cili është 2.092 kilometra dhe bashkohet në veri me lumin Amazona.

Grupi e nisi këtë udhëtim për t’u predikuar për Mbretërinë e Perëndisë banorëve që jetojnë në fshatrat përgjatë lumit. Ditën e tretë, grupi arriti në fshatin Kokraimoro. Banorët ishin mikpritës dhe i mirëpritën me buzëqeshje vizitorët. Një grua që takuan, po ua bënte me shenjë me këmbë e me duar. Udhërrëfyesi vendës që shoqëroi ekspeditën shpjegoi se çfarë po thoshte ajo: «Shenja e saj do të thotë: ‘Hajdeni të gjithë. Duam t’ju njohim të gjithëve!’»

Dëshmitarët folën me të gjithë​—disave u folën në portugalisht dhe të tjerëve me anë të shenjave. Figurat shumëngjyrëshe në botimet biblike që sollën me vete ishin të dobishme, dhe shumë veta e pranuan literaturën, veçanërisht broshurën Dëgjoje Perëndinë.

Një pionier special me emrin Gerson nga São Félix do Xingu, kujton si e mori një banor botimin Libri im i tregimeve biblike: «Ai e pa dhe e shtrëngoi fort me të dyja duart; nuk donte ta lëshonte për asnjë moment.»

Dëshmitarët e Jehovait u shpërndanë banorëve mirënjohës të fshatrave përgjatë lumit rreth 500 libra, revista dhe broshura. Në Kawatire, banorët e fshatit e dëgjuan me interes të zjarrtë premtimin e Biblës për një parajsë tokësore. Tonjaikwa, një indian kajapu mikpritës tha: «Njerëzit në Parajsë do të jetojnë si ne.»

Shumë veta në São Félix do Xingu e dinin për ekspeditën. Simone, një pjesëtare e grupit, tha se disa nga qyteti i saj i lindjes kishin thënë se atë dhe shokët e saj nuk do t’i lejonin të hynin në fshatra. Por, ata hynë pa problem. Simone tha: «Na mirëpritën dhe u predikuam të gjithëve.»