Kalo te përmbajtja

Diplomimi i klasës së 138-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Diplomimi i klasës së 138-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Më 14 mars 2015 u diplomua klasa e 138-të e Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në qendrën e arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait në Paterson, Nju-Jork. Programin e ndoqën live më tepër se 14.000 persona, përfshirë edhe ata që ishin lidhur me video nga vende të ndryshme. Ai filloi me një interval muzikor me katër këngë të reja të Mbretërisë, të cilat u kënduan më vonë nga të pranishmit. a

Xhefri Xheksoni, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, ishte drejtuesi i programit. Në fjalët hyrëse, ai i nxiti studentët të mos e mbanin vetëm për vete njohurinë që kishin marrë, por ta përdornin stërvitjen për t’u sjellë dobi të tjerëve.​—2 Timoteut 2:2.

Vëlla Xheksoni foli për shembullin e Moisiut. Për një kohë të caktuar, tenda e Moisiut ishte, si të thuash, qendra e adhurimit për kombin e Izraelit. Gjithsesi, kur tabernakulli u përfundua, u bë ai qendra e adhurimit të vërtetë. Me sa duket, Moisiut nuk i lejohej të hynte te pjesa Më e Shenjtë e tabernakullit; ky privilegj i takonte vetëm kryepriftit. Prapëseprapë, nuk ka asnjë tregues që Moisiu të jetë ankuar për këtë ndryshim. Përkundrazi, e mbështeti me besnikëri Aaronin në caktimin e ri si kryeprift. (Dalja 33:​7-​11; 40:34, 35) Ç’mësim nxjerrim nga kjo? «Çmoje çdo privilegj që ke, por mos i mbaj kurrë privilegjet vetëm për vete»,​—tha vëlla Xheksoni.

«A do të trembeni nga fërfërima e një gjetheje?» Kjo ishte tema e fjalimit që mbajti Keneth Flodini, një ndihmës në Komitetin e Mësimit të Trupit Udhëheqës. Ai e pranoi se studentët mund të hasin situata që duken frikësuese, si përndjekje ose caktime sfiduese. Duke përdorur shprehjen e Levitikut 26:36, ai i nxiti studentët t’i shihnin situata të tilla jo si të papërballueshme, por thjesht si një gjethe të thatë. Më tej, vëlla Flodini theksoi shembullin e apostullit Pavël, i cili arriti t’i përballonte vështirësitë e shumta, sepse kishte besim te Jehovai.​—2 Korintasve 1:​8, 10.

«Çfarë po kërkoni?» Mark Sandersoni, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin vijues të programit. Ai trajtoi parimin te Proverbat 13:12, që thotë: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» Mjerisht, shumë veta provojnë gjithë jetën zhgënjim, sepse në zemrën e tyre vendosin synime që mund të mos i arrijnë kurrë, si për shembull, pasuri ose famë.

Në ditët e Jezuit, disa e përfytyronin ndryshe Gjon Pagëzorin. (Luka 7:​24-​28) Për shembull, mbase shpresonin të vinte ndonjë filozof që do t’i zbaviste me mësime abstrakte. Nëse mendonin kështu, duhet të jenë zhgënjyer, sepse Gjoni mësonte një mesazh konkret të së vërtetës. Të tjerë mund të kenë përfytyruar një burrë me pamje tërheqëse. Por Gjoni vishte rroba që mbanin të varfrit. Megjithatë, ata që prisnin një profet, nuk do të jenë zhgënjyer, pasi Gjoni nuk ishte vetëm profet, por edhe ai që parapriu Mesinë.​—Gjoni 1:​29.

Vëlla Sandersoni e zbatoi për studentët këtë mësim, prandaj i nxiti të kërkonin gjërat e duhura. Në vend që të donin të spikatnin ose të prisnin trajtim të veçantë për shkak të caktimit të tyre, ata duhej ta përdornin stërvitjen për t’u sjellë dobi të tjerëve. Këtë mund ta arrinin duke i ndarë me të tjerët mësimet e Galaadit, duke u forcuar besimin vëllezërve e motrave dhe duke i dashur. Vëlla Sandersoni tha: «Kërkoni të jeni shërbëtorë të përulur të vëllezërve e të motrave dhe bëni çmos të kryeni vullnetin e Jehovait. Si rezultat, nuk do të zhgënjeheni kurrë.»

«Ushqejini të uriturit.» Kjo ishte tema që zhvilloi Xhejms Kothëni, instruktor në Repartin e Shkollave Teokratike. Vëlla Kothëni vuri në dukje se çdo njeri ka nevojë që ta duan, ta vlerësojnë dhe ta pranojnë. Edhe Jezui e kishte këtë nevojë, dhe Jehovai ia plotësoi kur i tha fjalë të ngrohta gjatë pagëzimit të tij.​—Mateu 3:​16, 17.

Jehovai na ka dhënë fuqinë për të inkurajuar e për të forcuar të tjerët me fjalët tona, dhe pret që ta përdorim. (Proverbat 3:​27) «Stërvituni të kërkoni të mirën te të tjerët dhe më pas mos ngurroni t’i lavdëroni. Lavdërimet e sinqerta do t’i sigurojnë bashkëbesimtarët tanë se përpjekjet e tyre janë të vlefshme»,​—nxiti vëlla Kothëni.

«I mirë deri në pikën e fundit.» Mark Numeri, ndihmës në Komitetin e Mësimit, mbajti fjalimin tjetër të programit. Me anë të shembullit të apostullit Pavël, vëlla Numeri i nxiti studentët të mos kënaqeshin duke bërë vetëm minimumin e asaj që kërkohet. Përkundrazi, ashtu si Pavli, ata do të kënaqen vërtet nëse derdhen ose jepen me gjithë shpirt për të tjerët.​—Filipianëve 2:​17, 18.

Pavli nuk u dorëzua as kur hasi vështirësi. Ngaqë nuk u kursye gjatë gjithë jetës, Pavli u shpenzua si të thuash deri në pikën e fundit. Ai mund të thoshte vërtet: «Vrapimin e përfundova.» (2 Timoteut 4:​6, 7) Vëlla Numeri i nxiti studentët të imitonin Pavlin duke e mbështetur me besnikëri veprën e Mbretërisë në caktimin e tyre.

Përvoja. Majkëll Bërneti, një instruktor tjetër i Galaadit, bëri pjesën vijuese të programit, ku disa studentë demonstruan përvoja nga predikimi gjatë kohës që kishin qenë në Paterson.

Studentët kishin pasur herë pas here rezultate të kënaqshme duke qenë syçelë ndaj mundësive për të dhënë dëshmi dhe duke u përpjekur ta predikonin të vërtetën në «gjuhën e zemrës», në gjuhën amtare të njerëzve që takonin. Për shembull, një student mori vesh se në territorin ku do të predikonte, kishte shumë spanjishtfolës. Prandaj, një ditë, para se të dilte në shërbim, ai mësoi disa fjalë në spanjisht me anë të aplikacionit JW Language. Po atë ditë, ai takoi në rrugë një burrë që fliste spanjisht. Me ato pak fjalë që kishte mësuar, filloi një bisedë që çoi në një studim biblik me këtë burrë dhe me katër pjesëtarë të familjes së tij.

Intervista. Më tej, Uilliam Tërneri, ndihmës në Komitetin e Shërbimit të Trupit Udhëheqës, intervistoi katër studentë për përvojat që kishin pasur para se të ndiqnin shkollën e Galaadit, si edhe për stërvitjen që kishin marrë prej saj.

Studentët veçuan disa pika inkurajuese nga programi i shkollës. Për shembull, njëri prej tyre përmendi se çfarë mësoi nga tregimi në kapitullin 10 të Lukës. Të 70 dishepujt që dërgoi Jezui, u gëzuan për rezultatet e mira që kishin pasur në shërbim. Megjithëse edhe Jezui u ndie po njësoj, ai i mësoi dishepujt që të mos gëzoheshin vetëm për rezultatet, por së pari ngaqë e dinin se Jehovai ishte i kënaqur me përpjekjet e tyre. Kjo na kujton se gëzimi i vërtetë nuk varet nga rrethanat që kemi, por nga miratimi i Jehovait.

Vëlla Tërneri zbatoi për studentët fjalët e Filipianëve 1:6, duke i siguruar se Jehovai ‘kishte nisur një vepër të mirë’ në ta dhe se do të vazhdonte të ishte me ta.

«Mbajini sytë te Jehovai.» Samuel Hërdi, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin kryesor të programit. Ai e pranoi se ne nuk mund ta shohim Jehovain. Por atëherë, si mund t’i mbajmë sytë tek Ai?

Një mënyrë si mund ta shohim, është duke shqyrtuar krijimin e Jehovait, i cili na mëson për të. Për më tepër, Jehovai ‘na ka ndriçuar sytë e zemrës’. (Efesianëve 1:​18) Sa më shumë të lexojmë Biblën, aq më tepër mësojmë për Jehovain. Dhe, sa më shumë të mësojmë për Të, aq më tepër i afrohemi.

Duam t’u kushtojmë vëmendje veçanërisht ungjijve, pasi na japin një tablo të qartë të personalitetit të Jehovait, siç vërehet nga fjalët dhe veprimet e Birit të tij. Jezui e pasqyroi aq mirë personalitetin e Jehovait, sa mund të thoshte: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»​—Gjoni 14:9.

Vëlla Hërdi e nxiti auditorin jo vetëm të shihnin Jehovain me anë të shembullit të Jezuit, por edhe të imitonin atë që shihnin. Për shembull, ashtu si Jezui bëri shumë përpjekje për të ushqyer të tjerët, edhe ne duam të përpiqemi fort t’i ushqejmë të tjerët me mësimet biblike që kemi marrë.

Ç’rezultate do të kemi po t’i mbajmë sytë te Jehovai? Mund të jemi po aq të sigurt sa psalmisti, i cili shkroi: «E kam Jehovain gjithnjë para syve. Nuk do të lëkundem, pasi ai është në të djathtën time.»​—Psalmi 16:8.

Përfundimi. Pasi studentët morën diplomat, një nga të diplomuarit lexoi në emër të klasës një letër çmueshmërie të thellë. Në përfundim, vëlla Xheksoni u tha të diplomuarve se s’është e thënë të kenë gjithmonë gjëra të reja ose të thella për t’u mësuar të tjerëve. Shumica e gjërave do të jenë përkujtues që vëllezërit e motrat tashmë i dinë. Gjithashtu, vëlla Xheksoni theksoi nevojën për të qenë të përulur. Në vend që ta tërheqin vëmendjen te vetja ose te stërvitja e Galaadit, të diplomuarit duan ta drejtojnë vëmendjen te Bibla dhe te botimet tona biblike. Kështu, në vend që t’i shkurajojnë ata që mund të mos kenë kurrë mundësi të bëjnë shkollën e Galaadit, të diplomuarit do t’i inkurajojnë bashkëbesimtarët duke i ndihmuar të nxjerrin dobi nga gjërat që kanë në dispozicion. Në fund të programit, të gjithë të pranishmit u larguan të inkurajuar dhe të vendosur për t’u shërbyer vëllezërve e motrave.

a Këngët e reja iu vunë në dispozicion pjesëmarrësve në fillim të javës.

b Në hartë nuk tregohen të gjitha vendet.

c Nuk janë renditur të gjithë të diplomuarit.