Kalo te përmbajtja

Ndihmë për personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë në «Smeraldin e Ekuatorit»

Ndihmë për personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë në «Smeraldin e Ekuatorit»

Në Indonezi, që disa e quajnë Smeraldi i Ekuatorit, jetojnë miliona veta që nuk flasin e nuk dëgjojnë. Dëshmitarët e Jehovait i ndihmojnë njerëzit që nuk flasin e nuk dëgjojnë me shumë materiale biblike dhe programe arsimuese në gjuhën indoneziane të shenjave. Këto përpjekje nuk kanë kaluar pa u vënë re.

Kongres në gjuhën e shenjave

Më 2016, në Medan, Sumatra Veriore, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një kongres në gjuhën indoneziane të shenjave. Një zyrtar i rëndësishëm për çështjet e sigurisë në atë zonë, shkoi në kongres dhe i lavdëroi Dëshmitarët për programet arsimuese falas. U prek aq shumë nga ajo që pa, sa u përpoq të këndonte bashkë me auditorin duke imituar shenjat e tyre.

Administratori i godinës u shpreh se kongresi «u zhvillua me sukses dhe në kushte të sigurta. Shpresoj që Dëshmitarët të vazhdojnë me këto programe dashamirëse për të ndihmuar fqinjët tanë që nuk flasin e nuk dëgjojnë». Më tej tha se, kur pronari i godinës mori vesh se kongresi ishte për personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë, «donte të bënte diçka të mirë për Dëshmitarët. Prandaj, më udhëzoi që të siguroja drekën për [300] të pranishmit».

Mirënjohje për videot në gjuhën e shenjave

Përveç kësaj, Dëshmitarët e Jehovait shkojnë t’i takojnë personalisht e t’u japin mesazhin e Biblës personave që nuk flasin e nuk dëgjojnë. Shpesh, Dëshmitarët përdorin video në gjuhën indoneziane të shenjave që i ndihmojnë njerëzit të bëjnë jetë frytdhënëse e të kënaqshme.

«Është e lavdërueshme puna që bëni për t’u kujdesur për personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë, si edhe për nevojat e tyre,—u shpreh Mahendri Teguh Prisvanto, zëvendësdrejtori rajonal i Shoqatës Indoneziane për Mirëqenien e Personave që nuk Flasin e nuk Dëgjojnë në Qytetin e Semarangut, Java Qendrore.—Për shembull, videoja Familja jote mund të jetë e lumtur është shumë e dobishme. Do ta vlerësonim nëse e vazhdoni këtë punë.»

Ata «tregojnë dashuri»

Janti, një grua që nuk flet e nuk dëgjon, ka nxjerrë dobi të shumta nga përpjekjet e Dëshmitarëve. Ajo shpjegon: «Shpesh njerëzit i vënë në lojë personat që nuk flasin e nuk dëgjojnë, por Dëshmitarët e Jehovait u tregojnë dashuri. Shumë Dëshmitarë që dëgjojnë, mësojnë gjuhën e shenjave për t’i ndihmuar këta persona të njohin Krijuesin dhe të përmirësojnë jetën. Këto përpjekje të sinqerta më prekën në zemër.»

Janti u bë Dëshmitare e Jehovait dhe tani është pjesë e një skuadre përkthimi që prodhon video në gjuhën indoneziane të shenjave. Ajo thotë: «Materialet që prodhojmë, i ndihmojnë disa që nuk e dinë mirë gjuhën e shenjave të aftësohen më shumë. Por ato edhe i mësojnë njerëzit si të kenë jetë të lumtur e kuptimplotë.»