Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përballosh një sëmundje të papritur

Si ta përballosh një sëmundje të papritur

 A je sëmurur papritur? Atëherë e di mirë sa sfilitëse mund të jetë një sëmundje mendërisht dhe emocionalisht, për të mos përmendur anën ekonomike. Si mund ta përballosh? Si mund ta ndihmosh një pjesëtar të familjes ose një mik që po kalon një problem shëndetësor? Edhe pse Bibla nuk është libër mjekësor, përmban parime praktike që mund të të ndihmojnë ta përballosh sa më mirë një problem të tillë.

Sugjerime për të përballuar një problem shëndetësor

  •   Kërko ndihmën e mjekut

     Bibla thotë: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.»—Mateu 9:12.

     Kuptimi: Kërko ndihmë mjekësore profesionale sa herë të jetë e nevojshme.

     Sugjerim: Kërko kujdesin më të mirë mjekësor që mund të gjesh. Me raste mund të jetë e mençur të kërkosh edhe mendimin e një mjeku tjetër. (Proverbat 14:15) Komuniko qartë me mjekët. Sigurohu mirë që ti të kuptosh gjithçka që thonë dhe, nga ana tjetër, që mjekët të dinë tërë simptomat që ke. (Proverbat 15:22) Informohu për sëmundjen tënde, përfshirë këtu edhe për të gjitha trajtimet e mundshme. Kur di ç’duhet të presësh, do të jesh më i përgatitur për ta përballuar mirë emocionalisht sëmundjen dhe do të marrësh vendime të mençura për shëndetin tënd.

  •   Përpiqu të jetosh shëndetshëm

     Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme.»—1 Timoteut 4:8.

     Kuptimi: Kur përpiqesh të jetosh shëndetshëm, për shembull kur merresh rregullisht me fizkulturë, do të nxjerrësh shumë dobi.

     Sugjerim: Mbaj një program të rregullt fizkulture, ha shëndetshëm dhe fli mjaftueshëm. Edhe pse mund të jesh akoma duke u përshtatur me situatën e re shëndetësore, ekspertët thonë se ia vlen barra qiranë të investosh kohë dhe energji për të jetuar në mënyrë të shëndetshme. Patjetër, duhet të mbash parasysh gjendjen tënde shëndetësore dhe duhet të sigurohesh se kjo mënyrë jetese nuk bie ndesh me kurën që po ndjek.

  •   Kërko ndihmën e të tjerëve

     Bibla thotë: «Miku i vërtetë të do në çdo kohë dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

     Kuptimi: Miqtë mund të të ndihmojnë të përballosh periudha të vështira.

     Sugjerim: Fol me një mik të besuar të cilit mund t’i shprehësh hapur atë që ndien. Kështu mund të lehtësosh stresin emocional dhe mendor që të ka shkaktuar përkeqësimi i shëndetit. Me siguri miqtë dhe familja duan të të japin një dorë, ama mund të mos dinë çfarë të bëjnë. Prandaj tregoju hapur çfarë mund të bëjnë konkretisht për ty. Ji i arsyeshëm në atë që pret dhe përherë mirënjohës ndaj të tjerëve. Në të njëjtën kohë, mund të jetë e mençur të vësh disa kufij, për shembull sa shpesh mund të të vizitojnë dhe sa gjatë mund të rrinë. Në këtë mënyrë përpjekjet e miqve, edhe pse me qëllime të mira, nuk do të të zënë frymën.

  •   Ji optimist

     Bibla thotë: «Një zemër e gëzuar është ilaç i mirë, por një shpirt i dërrmuar t’i shteron forcat.»—Proverbat 17:22.

     Kuptimi: Kur ke një qëndrim pozitiv dhe optimist mund të ruash ekuilibrin emocional dhe të përballosh një problem stresues shëndetësor.

     Sugjerim: Teksa përshtatesh me situatën e re, përqendrohu tek ajo që mund të bësh, jo te gjërat që nuk i ke nën kontroll. Mos e krahaso veten me të tjerët ose me situatën tënde para se të shfaqej sëmundja. (Galatasve 6:4) Vër synime të arsyeshme dhe të arritshme, sepse këto të ndihmojnë ta shohësh të ardhmen me optimizëm. (Proverbat 24:10) Për sa ta lejojnë rrethanat, bëj për të tjerët. Lumturia që vjen kur jep, mund t’i largojë mendimet negative.—Veprat 20:35.

A të ndihmon Perëndia ta përballosh sëmundjen?

 Bibla tregon se Perëndia Jehova a mund të na ndihmojë të përballojmë një problem shëndetësor. Edhe pse nuk mund të presim të shërohemi me anë të ndonjë mrekullie, Perëndia mund t’i ndihmojë adhuruesit e tij duke u siguruar . . .

 Paqe. Jehovai mund të të japë ‘paqen e Tij, që tejkalon çdo mendim’. (Filipianëve 4:6, 7) Kjo paqe e brendshme mund ta ndihmojë dikë të mos e mbytë ankthi. Perëndia ua jep këtë paqe atyre që i luten dhe që i shprehin ankthin e zemrës.—1 Pjetrit 5:7.

 Mençuri. Jehovai mund të të japë mençuri që të marrësh vendimet e duhura. (Jakovi 1:5) Një person e fiton këtë lloj mençurie kur mëson dhe kur zbaton parimet e Biblës që vlejnë në çdo kohë.

 Një shpresë të bukur për të ardhmen. Jehovai premton se në të ardhmen «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’». (Isaia 33:24) Kjo shpresë po ndihmon shumë veta të ruajnë optimizmin edhe mes problemeve më të rënda shëndetësore.—Jeremia 29:11, 12.

a Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.—Psalmi 83:18.